Akademia e Shkencave njoftoi se dje, në datën 30 gusht 2014 në orën 13.50, u nda nga jeta në shtëpinë e tij në Tiranë gjuhëtari i madh, profesori, akademiku, Mësuesi i Popullit, i lauruar disa herë me Çmim Republike, Mjeshtri i Madh i Punës, ish-kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Shaban Demiraj (1920-2014). Shaban Demiraj lindi në Vlorë. Kreu shkollën e mesme në Tiranë dhe studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin Pedagogjik 2-vjeçar (1946–1948) dhe më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954–1955). Disa vjet punoi si mësues në disa shkolla të mesme. Nga viti 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik e më pas në UT, ku shërbeu deri në v. 1990.
Në njoftim theksohet se “Ai ishte një autoritet shkencor elitar, një nga përfaqësuesit më të shquar të fushës së gjuhësisë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai i solli shkencës gjuhësore shqiptare, por edhe ballkanike, vlera të mëdha përmes shumë veprave monumentale, ku veçohen: “Gramatikë historike e gjuhës shqipe”, “Gjuha shqipe dhe historia e saj”, “Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët”, “Fonologjia historike e gjuhës shqipe”, “Prejardhja e Shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe”, “Gjuhësi ballkanike” etj. Mendimit shkencor të Akademikut Shaban Demiraj i referohet sot brenda dhe jashtë vendit elita e gjuhësisë së sotme dhe historike. Ai e përfaqësoi me dinjitet shkencën gjuhësore shqiptare në forumet më të rëndësishme shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shaban Demiraj si pedagog dhe si drejtues kërkimor përgatiti breza studentësh dhe studiuesish. Ndër vlerat më të mira shkencore e mësimore ata ruajnë në dijet e tyre shumë nga dijet e profesor Shabanit. Modeli i tij i punës u bë shkollë për studentë e studiues.
Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe shkencore dhe njerëzore. Por ai lë pas një vepër të madhe, një pasuri shkencore, një vlerë të madhe kombëtare, një pasuri monumentale për breza.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të thella gruas, djalit dhe vajzës dhe gjithë të afërmve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të Tij. I përjetshëm qoftë emri, vepra dhe kujtimi!”
Me këtë rast, Akademia e Shkencave njofton se në nderim të jetës, veprës dhe figurës së akademikut Shaban Demiraj, sot do të organizohen homazhe në sallën “Aleks BUDA” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nga ora 11.00-12.00. Pas homazheve do të zhvillohet ceremonia e përcjelljes në oborrin e Akademisë së Shkencave. Më pas do të vijohet me ceremoninë mortore në varrezat e Sharrës në Tiranë.
***
Rama: Iku një punëtor i madh i mendjes
Për vdekjen e Prof. Shaban Demiraj, reagoi dje në statusin e tij në Facebook edhe Kryeministri Edi Rama. “Hidhërim për vdekjen e Shaban Demirajt! Iku një tjetër punëtor i madh i mendjes, i cili tërë jetën u kujdes me pasion për gjuhën tonë amtare”, shkruan Rama.
***
Ngushëllimet nga bota arbëreshe
Prof. Matteo Mandalà*
Sapo mora lajmin shumë të hidhur: U nda prej nesh prof. Shaban Demiraj, dikur kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, gjuhëtar i shquar, autor i një varg kryeveprash në fushën e historisë së gjuhës shqipe, më të vëllimshmen “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” në krye.
Prof. Shaban Demiraj ishte studiues i pasionuar i autorëve arbëreshë, botues i Këngës së sprasme të Balës. Profesori ishte mjeshtër i madh i formimit të brezave të tërë të gjuhëtarëve shqiptarë e të huaj. Ishte mik i imi personal.
Ngushëllimet e botës arbëreshe, të Katedrës albanologjike të Universitetit të Palermos e të miat personale familjes së profesorit të dashur e të nderuar; ngushëllime për humbjen e babait të shtrenjtë mikut e kolegut tim të shtrenjtë, prof. Bardhyl Demiraj, si edhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Albanologjia botërore humbi një nga bijtë e saj më të shquar! Ajilimono!
Të prehesh në paqe i dashur prof. Shaban; nuk do të të harrojmë kurrë!
*Shef i Katedrës së Albanologjisë, Universiteti i Palermos, Itali
***
Në yllnajën e gjuhëtarëve dhe albanologëve tanë më të shquar
Prof. Dr. Remzi Përnaska
Profesor Sh. Demiraj i përket yllnajës më të lartë të albanistëve dhe albanologëve të të gjitha kohërave. Jeta dhe vepra e vet flet për dashuri ndaj gjuhës shqipe, ndaj gjuhëve, madje ndaj Gjuhës vetë, për pasion, durim e këmbëngulje shembullore në rrugën e kërkuesit, të shkencëtarit të palodhur. Puna e tij është punë blete, ai lëron gjuhën tonë amtare dhe frutet janë të bollshme dhe të pjekura, ai gërmon si arkeolog shqipen e hershme dhe monumentet e vjetra të saj dhe u jep jetë “fosileve” të gjuhës. Me punë dhe prodhim ai i ka ngritur monument vetes.
Prodhimtaria e tij është e pashoqe. Vepra e tij është shumë e gjerë dhe e thellë, aq sa mund të pohohet figurshëm se ka krijuar një bibliotekë me to. Nga viti 1970 e deri më sot shkroi e botoi vepra (disa prej të cilave edhe në gjuhë të huaja) me vlerë teorike e praktike për njohjen më të mirë e më të thelluar të ndërtimit gramatikor të gjuhës shqipe. Nga këto vepra del se profesor Shaban Demiraj është gjuhëtar dhe filolog që jo vetëm parashtron, jo vetëm prek, por që edhe shqyrton, kërkon, analizon e thellon mendimin shkencor, u jep përgjigje pyetjeve të parashtruara dhe shtron pyetje të tjera. Nga këto vepra, vendin e nderit e zë “Gramatikë historike e gjuhës shqipe”, që në thelb është enciklopedi e vërtetë e ndërtimit gramatikor të gjuhës shqipe, sidomos e morfologjisë historike, është parashtrim analitik i arritjeve në këtë fushë, është arena ku profesori ynë i nderuar ka shpalosur jo vetëm dijet e veta të gjera, por edhe ka dhënë mendimin e vet të qëndrueshëm për ato që parashtron, është përgjithësim e krijim shkencor, një vepër monumentale e fondit të artë të letërsisë sonë gjuhësore.
Është bashkautor dhe redaktor i veprës madhore Gramatikë e gjuhës shqipe, vëllimi I, Morfologjia, (1976, ribotuar 1995, 2002), parathënia dhe kreu për foljen. Si redaktor i këtij vëllimi u shqua për aftësi drejtuese, për kërkesa të larta dhe sidomos për njëjtësimin e krerëve të tij. Si bashkautor mbajti një peshë bukur të madhe me kreun më të rëndësishëm, me kreun për sistemin foljor të gjuhës së sotme shqipe, sistem aq i zhvilluar morfologjikisht, që kërkonte zotësi përgjithësimi e parashtrimi.
Profesori ynë i nderuar është autor i dhjetra e dhjetra shkrimeve studimore në revista e të përkohshme të tjera të ndryshme shqiptare, me plot ndihmesa nga fusha e morfologjisë së sotme e historike të shqipes, nga sintaksa historike, nga fonetika historike, nga historia e gjuhës, etj., etj. Vetëm këto shkrime do të mjaftonin për ta renditur ndër gjuhëtarët tanë më të shquar. Ka transkriptuar dhe përshtatur në shqipen e sotme veprën e Gavril Darës “Kënga e sprasme e Balës” (1994), ribotuar në Prishtinë (2006). Në bashkëpunim me akademik Kristaq Priftin, ka hartuar dhe botuar Kongresi i Manastirit (1968), ribotuar më 2005. Ka botuar një monografi jetëshkrimore për Eqrem Çabejnë, Eqrem Çabej, (1990).
Ka përkthyer romanin Martin Iden të Xhek Londonit (1959), me gjuhë të krehur, larg ndikimeve e ndërtimeve të pastra angleze, shembull për përkthyes të tjerë.

Ndahet nga jeta , gjuhetari me ne ze i Shqipes , studiues, perkthyes, transkriptues, Kryetar I Akademise se Shkenes, Nje nder gjuhetaret me te mire qe njeh vendi yne. Ai ka lene nje pasuri te çmuar per te gjithe brezat ne fushen e gjuhesise.
Ngushllime familjes se Profesor Shaban Demirajt
E kam njohur si figurë publike por jo nga afer. Me ka lëné përshtypjen e burrit të ditur dhe të urtë,një enciklopedik në fushën e gjuhesisë. Do te doja te kishte pasur dhe një “zë politik” si shkencetar dhe akademik si dhe si personalitet kombetar qe duhej te thoshte dicka për dilemat shqiptare, por megjithate kjo nuk e cënon figurën e tij si autoritet shkencor. Ngushëllime dhe kurajo familjes se nje njeriu qe bëri histori ne gjuhësinë shqiptare? U prehtë në kujtesën kombetare!
Ngushellimet me te sinqerta familjareve te Porfesor Shaban Demirajt !
Ishte gjuhetar i shkelqyer qe vinte nga brezi i shkencetareve tane te medhenj te linguistikes si Cabej,Buda,Domi, Kostallari etj
Profesor Shaban Demiraj ishte vlonjat , dhe mendoj se qyteti i Vlores atje tek Universiteti duhet te ngreje
nje bust -permendore ne nderim te profesorit te shquar Akademik Shaban Demiraj
Koha eshte e pameshireshme,dhe ajo na i merr nje nga nje njerezit e medhenj……
I qofte dheu i lehte profesorit tone !
R.I.P.
Komentuesve të Dita-s??? Bëni komente këtu sepsë është turp indiferenca që tregoni ndaj këtij autoriteti te gjuhës sonë? Shprehni te paktën një ngushellim..!? Mos ju kushtoni më shumë vëmëndje mesilave e kopilave. Prof. Demiraj ka qënë pishtar ndricues i shkencës tone gjuhesore !!??? Tung?