Ndahet nga jeta albanologu Robert Elsie. Amaneti: Dua të prehem në Shqipëri!

Ornela

 

Është ndarë nga jeta në moshën 67- vjeçare albanologu, studiuesi dhe përkthyesi kanadez Robert Elsie.

Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme.

Shkrimtarja Flutura Açka ka postuar në rrjetin social lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Robert Elsie. Açka i bën thirrje ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe kryeministrit Edi Rama që të plotësojnë amanetin e tij për t’u prerë në Shqipëri.

Statusi i plotë i Flutura Açkës:

Amaneti i Robert Elsie: Dua të prehem në Shqipëri!

Zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës,

Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton.

Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kulturën shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi. Kultura shqiptare është sot në zi.

Vepra e këtij njeriu modës në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer!

Biografia e Robert Elsies

Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë më 29 qershor 1950.

Ai ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua më 1972.

Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978. Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të ‘takimeve shkencore’ midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë. Këto udhëtime në fund të viteve 70-të dhe në fillim të viteve 80-të i gjallën një interes të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj të panjohur në botë. Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur. Elsie është tani autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë.

Në mes të viteve 80-të, Robert Elsie punoi si përkthyes dhe interpret për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Qysh nga vitet 90-të deri ne fillim të shekullit të 21-të ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes dhe ka marrë pjesë në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara, NATO-n, Këshillin e Evropës, etj. Që nga viti 2002, ai ka punuar kryesisht për Tribunalin e Hagës ku, ndër të tjera, ka qenë interpret simultan në procesin gjyqësor të Sllobodan Millosheviqit. Robert Elsie është anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Share This Article
10 Comments
  • nderime,u preftë i qetë!
    shpresoj që kallëpët tanë të pordhitikës të bëjnë një veprim të drejtë duke i plotësuar dëshirën e tij të fundit!!

  • Sikur vetem fotografite e rralla historike, te gjetur dhe botuar prej tij,ne shtypin shqiptar dhe expozita,meriton te nderohet humbja e tij.Do te ishte e udhes qe kete humbje te rende per kulturen shqiptare ta lajmeronin Akademia e Shkencave,autoritete te shkences dhe letersise si Moikom Zeqo,Nelson Cabej,Aurel Plasari me te cilet e lidhte perkushtimi ne Albanologji.Qofte i paharruar!

  • U prefte i qete ne Token Shqiptare-amanet lene!
    Albanologu-Kanadez Robert Elsie.
    Nje humbie dhe per mbare shqiptaret, ndaria nga jeta e ketij dashamiresi te perkushtuear z.Robert Elise.U prefte i qete si ka dashur Ai ne Token shqiptare; I paharruari Robert Elsie.
    Nga Toronto me dhimbie-jo vetem.
    Guri Naimit D..(Dh Xh)

  • Amanetin nuke e tret as dheu;thote populli jone.Qeverise sa me shpejt i del per detyre sa humane aqe dhe njerezore,qe ti plotesoje amanetin albanologur Robert Elise,duke i bere nderimet me madheshtore ndaj ketije albanologu qe dha sa mundi per njohjen e te drejtave sa te ligjeshme,aqe dhe njerzore te popullit shqiptare ne shekuj.I prjetshem qofte kujtimi per albanologun Robert Elise.Amen.

  • Nderime te perjetshme per Robert Elsin. Ai beri per Shqiperine nje pune qe nuk e kane bere tere gjuhtaret dhe historianet rrogtare shqiptare.

  • Njerez te tille i rrisin vlerat dhe e bejne te njohur ne bote vendin tone.Le te nderohet sic e meriton nji njeri qe i ka bere nder ketij vendi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *