Ndahet nga jeta regjisori i një prej serialeve më të ndjekur në Shqipëri në vitet ’90, Oktapodi”. Damiano Damiani, aktor, shkrimtar dhe regjisor ka ndërruar jetë mbrëmjen e së enjtes, në shtëpinë e tij në Romë. 83-vjeçari Damiano konsiderohet si një ndër mjeshtrit e transformimit të kinemasë italiane dhe mbahet mend për filmat e suksesshëm, mes të cilëve “Oktapodi” me Mikele Palçido dhe “Gruaja më e bukur” me Ornela Muti, shumë të pëlqyer në Shqipëri pas vitit1990. Damiano Damiani e ka nisur karrierën e tij me filmin “Buzëkuqi”, në vitin 1960, kur interpretoi në rolin e një komisari policie. Ky film shënoi hapjen e një periudhë të artë për krijimtarinë e tij. Dhjetëvjeçari që pasoi ishte mjaft i suksesshëm për veprat e tij mjaft të vlerësuara nga kritika. Filmat e tij u ndoqën masivisht nëpër kinema, duke shënuar fitime shumë të mëdha. Një prej filmave më të suksesshëm të kësaj periudhe është “Gruaja më e bukur”, ku protagoniste është aktorja Ornela Muti. Pak vite më vonë, në 1980, vjen suksesi më i madh i Damianos, seriali i famshëm “Oktapodi”, me Mikele Paçido, Remo Xhirone dhe Patricia Milarde në rolet kryesore. Seriali u pasua nga dhjetëra filma të tjerë, ndërsa në vitin 2001, Damiano u tërhoq nga kinematografia, për t’iu përkushtuar pikturës.