Ndahet nga jeta Saverio Giuseppe Mazzei, babai i “ambasadores së Kombit” shqiptar, Cettina Mazzei

Leda Hysa

Fëmijët prezantohen me emrin e prindërve dhe gjatë gjithë jetës krenohen me emrin dhe punët e mira të tyre! Por shpesh ndodh që edhe prindërit të prezantohen e të krenohen me emrin e mirë të fëmijëve kur ata kanë bërë vend të merituar në shoqëri me punët e tyre të mira! Gjithsesi askush nuk e zë vendin dhe emrin e mirë të tjetrit! Megjithatë, ka raste që edhe pse afirmohemi, na vjen mirë të prezantohemi me prindërit apo edhe me fisin, prejardhjen, origjinën, me rrënjët tona! Na duket sikur të mirat e arritura fuqizohen me të mirat e trashëguara, sepse ushqehen nga rrënjë të thella në breza, kanë histori dhe e pasurojnë historinë!

Këto ditë pandemie, mikja ime arbëreshe, Cettina Mazzei më njoftoi me dhimbje se babai i vet ndërroi jetë!

Saverio Mazzei jetoi gati një shekull dhe luftoi për jetën, lirinë, progresin, të drejtat demokratike! Ai u angazhua në mënyrë aktive dhe idealiste edhe në strukturat politikëbërëse e vendimmarrëse në Caraffa, Catanzaro në Kalabri, në vendin e tij të lindjes dhe të banimit! Ka qenë zgjedhur këshilltar bashkiak në qeverisjen vendore, ku vite më pas, do të zgjidhej kryetar bashkie djali i tij arkitekt Attilio Mazzei.

Duke qenë i përfshirë në politikë ai kontribuoi në PCI në Catanzaro ku spikati dëshira e mirë për të mbështetur dhe inkurajuar sidomos angazhimin e më të rinjve në politikëbërje për fuqizimin e demokracisë dhe në shërbim të komunitetit. Përfaqësuesit e Partisë e konsiderojnë të pazëvendësueshëm rolin e tij në politikë. PCI shpreh nderim e mirënjohje të thellë e të jashtëzakonshme për humbjen e Saverios si përfaqësues i brezit të militantëve idealistë në radhët e saj.

Saverio Mazzei ishte i përkushtuar në çdo angazhim, detyrë apo përgjegjësi që merrte apo i ngarkohej dhe asnjëherë nuk kërkonte ndere apo favore në këmbim, sepse punën e tij të ndershme e konsideronte investim për të mirën e përbashkët, për demokracinë!

Saverio ishte i shkolluar, por edhe vetë ishte një shkollë më vete e pasur me dije, mençuri, eksperiencë të papërsëritshme dhe me një kujtesë “të frikshme”.

Ai dëshironte, interesohej dhe dinte të kërkonte e të merrte informacion nga shumë fusha e disiplina shkencore e aplikative.

Saverio ishte i martuar me Annine me të cilën jetoi 80 vjet dhe, së bashku lindën, rritën, edukuan, arsimuan 7 fëmijë! Ai ishte model në këto marrëdhënie, por ishte model edhe për familjet e fëmijëve të vet, për 14 nipat e mbesat, për 12 stërnipat e stërmbesat!

Ai respektonte rolin e gruas, nënës, vajzës, shoqes në të gjitha aspektet! Ai njihte mirë dhe respektonte realisht barazinë gjinore!

Familja ishte e shenjtë për arbëreshin Saverio! Ai i mbante natyrshëm të bashkuar fëmijët duke vlerësuar rolin e familjes si njësia që mban gjallë dhe u mëson pjesëtarëve të vet gjuhën, zakonet, traditat, kulturën etnike! Familja ruan e përcjell vlerat. Ai i qëndroi besnik përkatësisë së tij arbërore dhe ua përcolli krenarinë dhe angazhimin për të luftuar për kauzën e madhe të identitetit kulturor etnik arbëror pasardhësve të vet!

Përkatësia, mësimet, porositë, amaneti i tij u dëshmuan edhe në organizimin e ceremonisë mortore: në ballë të kortezhit ishte flamuri kombëtar shqiptar! Ai valëvitej edhe më lart se flamuri kombëtar italian dhe flamurët e partisë e të qeverisjes vendore!

Ceremonia mortore filloi me ekzekutimin e internacionales nga banda muzikore vendore me instrumente fryme dhe tunxhi! Më pas u ekzekutua himni italian, kënga e partizanëve antifashistë italianë “Bella ciao”, më pas një këngë vaji e kënduar në të folmen arbëreshe…..

Saverio mishëronte sjellje kohezive sociale! Ai ishte i pranishëm në zgjidhjen e konflikteve apo mosmarrëveshjeve, në pajtimin mes individëve apo familjeve në Catanzaro! Ai synonte që Caraffa e Catanzaro të ishin model demokratizimi e korrektësie edhe ne funksionimin e administratës vendore në Itali!

Ai respektonte njerëzit pavarësisht nga mosha, gjinia, gjuha e folur apo e shkruar, ngjyra e lëkurës apo besimi fetar e bindjet politike, por edhe i përcillte bindjet e veta tek të tjerët si porosi! Folësit në ceremoni e theksuan sintezën e porosive të tij morale: “Duajeni njeri tjetrin se nuk humbisni asgjë, përkundrazi!”

Jeta i kish mësuar atij si të jetonte me dinjitet e optimizëm pavarësisht rrethanave të vështira apo pengesave, si t’i kontribuonte kurdoherë ndërtimit dhe kurrë jo shkatërrimit!

Siç do të thoshte nipi i vet Andrea Mazzei “Ai ishte mjeshtër i punës dhe jetës. Ai ndërtoi një perandori të vlerave morale dhe njohurive të fituara në pothuajse 100 vjet …”

Saverio ishte krenar si arbëresh, demokrat në shpirt dhe antifashist i betuar!

Secili, që e mori fjalën, përcolli mesazhe konkrete, të fuqishme e të dobishme! Folën edhe përfaqësues të institucioneve vendore të partisë dhe ata të vetëqeverisjes vendore, përfaqësues të intelektualëve vendorë, njeri nga dhëndurët – mjeku Franco Stirparo, nipi Andrea Mazzei…

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni respektuan me dinjitet e mirënjohje Saverion, por edhe rregullat e sjelljes ne kushtet e PANDEMI – së.

Njerëz të tillë ndahen fizikisht, por kujtimet dhe mësimet që lenë pas lartësohen e jetësohen në breza!

Doc. Dr. Elidiana Canaj

N/kryetare e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *