Ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare (1935-2014) aktori i njohur i humorit dhe cirkut të Tiranës, Skënder Sallaku. Prej gati një muaji ai ishte i shtruar në spitalin “Nënë Tereza”, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë në stomak. Sallaku ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të djeshëm rreth orës 03:30 minuta. Personalitet të artit dhe të kulturës dhe politikanë kanë shprehur ngushëllimet për këtë humbje të madhe.
Ndërkohë Bashkia e Tiranës do të organizojë sot nga ora 10:00-13:00 në Teatrin Kombëtar homazhet në nderim të Skënder Sallakut. Më pas trupi i pajetë i ‘Artistit të Popullit’, do të përcillet për në banesën e fundit në Varrezat e Tufinës në Tiranë. Kryeministri Edi Rama, përmes rrjetit social Facebook ka ngushëlluar familjen e të ndjerit.
“Lajm i trishtueshëm vdekja e Skënder Sallakut, humoristit popullor që në kohë të zymta bëri të qeshin pleq e fëmijë! Ngushëllime familjes”, është shprehur Rama.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha shprehu hidhërimin e tij për ndarjen nga jeta të aktorit Sallaku.
“Ndarja nga jeta e legjendës së humorit tiranas Skënder Sallaku më trishtoi pa mase. Pak jave më pare u takuam në Bashki. Përcillte si gjithmonë po atë humor dhe optimizëm që e shoqëronte emrin dhe praninë e tij prej dekadash. Skënder Sallaku ishte një nga artistët më të dashur për çdo qytetar të këtij vendi pavarësisht moshës. Ngushëllime familjes, miqve dhe artdashësve të tij të shumtë”, shprehet Basha në mesazhin e tij në Facebook.
I ndjeri ishte njëri nga aktorët tanë më të mirë të humorit, autor skeçesh e parodish, ish-kampion kombëtar në mundjen klasike etj. Ishtë i njohur për interpretimin e tij brilant në estradë dhe cirk.
Sallaku ka lindur me 25 janar të vitit 1935 në Tiranë. Ai ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës fizike ”Vojo Kushi” dhe ka kryer dy vjet specializim në akrobaci dhe humor në Kinë, pranë cirkut të Pekinit. Ka punuar si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun në cirk duke e ushtruar një profesion sa të vështirë aq edhe të bukur. Ka vazhduar paralelisht edhe në film, humor, dramë, etj.
Skënder Sallaku kishte një karrierë artistike gjashtëdhjetëvjeçare në skenë. Përveç çmimit “Artist i Popullit”, ai ka edhe titullin ”Artist i Merituar”, “Mirënjohja e qytetit”, etj.
Një Shkurt, si ky
Sot është data 12 Shkurt dhe që nga fillimi i këtij muaji, janë ndarë nga jeta 4 artist që kanë bërë epokë në Shqipëri. Është e trishtueshme, por natyrshëm buzëqeshim kur mendojmë se produktet e tyre artistike do të jenë në kujdesën e gjithkujt.
I pari që u nda nga jeta ishte virtuozi i klarinetës, legjendari i muzikës qytetare shqiptare, Laver Bariu. Ai u përcoll për në banesëne fundit me muzikë dhe tinguj klarinete, duke marrë me vetë gjithë dashurinë e popullit të Përmetit, por jo vetëm.
Pas tij u nda nga jeta edhe violinisti i famshëm shqiptar, Ibrahim Madhi. Mësohet se violinisti Madhi vuante nga një sëmundje e rëndë.
Por arti dhe i gjithë populli shqiptar pak ditë më parë humbi një ndër ikonat e veta, këngëtaren e papërsëritshmen Vaçe Zela. Ajo jetonte prej vitesh në Zvicër, ku edhe ndërroi jetë pas një sëmundjeje disa vjeçare. Trupi i saj u soll në Shqipëri ku do të prehet përjetë, ashtu siç ishte edhe amaneti i saj i fundit.
Ndërkohë, ditën e djeshme ka ndërruar jetë edhe aktori i madh i humorit shqiptar Skënder Sallaku, i cili vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Sallaku i përket një plejade të artë që kanë bërë epokën e humorit të Shqipërisë. Por Sallaku njihej edhe si një ndër personalitetet e cirkut të vendit tonë. Më pasurin dhe krijimtarinë e tyre ndër vite, do të duheshin të jetonin mirë e bukur në kohën e pleqërisë, me pensione të posaçme, edhe më të ardhurat që mund t’i merrnin nga të drejtat e autorit. Por ja që nuk ka ndodhur kështu. Sa mirë na vjen kur qeshim e këndojmë me ta, duhet bërë më shumë në respektimin dhe shpërblimin e punës së gjithkujt, edhe punës së artistëve.
NGUSHELLIME TE SINQERTA FAMILJES TE NDJERIT SKENDER SOLLAKU .POR KJO ESHTE JETE NJE BREZ IKEN DHE NJE BREZ VJEN DHE HAPET NJE DRITARE E RE PER KULTUREN DHE ARTIN ,POR SKENDERI JU HAP DRITA JESHILE NGA SISTEMI KOMUNIST ESHTE ISHTE ANETAR PARTIE DHE SEKRETAR I ORGANIZATES TE PARTISE TE ESTRADES,POR ISHTE NJE HUMBJE PER VACE ZELEN POR KESAJ VAJZE TE RE JU HAP RUGA JESHILE NGA SEKRETARI PARTISE LUSHNJE DHE NEZHMIE HOXHA DHE PREFERURA E SISTEMIT ,KULTURES SHQIPETARE I DHANE SEPSE KISHIN SUPORTIN E PARTISE NDERSA TE TJERET NUK JU DHA KU KISHIN TALENTE NATYRORE ,KETA E BENE TALENTIN ME PUNE TE SFORCUAR..
Pse kanë qenë aq njerëz fisnikë përveçse artista të mëdhenj?I paharruar qoftë kujtimi i Skënder Sallakut.
I ndjeri kishte humor te natyrshem.Nga komentuesit e mora vesh se paska qene komunist,por komunistet nuk benin per te qeshur.Komunistet nuk te linin as me qa!