Ndalimi i fishekzjarrëve, qytetarët mbështesin vendimin

DITA Online

Këtë vit nata e ndërrimit të viteve do të ketë festime me fishekzjarrë vetëm në qendrat e qyteteve, në ceremonitë që do të organizojnë bashkitë. Qytetarët në shtëpi dhe në rrugë do të jenë më të qetë dhe më të sigurt nga kapsollat dhe mjetet e tjera piroteknike, raporton AbcNews në një kronikë të transmetuar në edicionin informativ.

Urdhri i ministrit të Brendshëm për ndalimin e tregtimit të kapsollave dhe mjeteve piroteknike përkrahet nga një numër i madh qytetarësh në këtë prag të ndërrimit të viteve. Ata thonë se ndihen më të sigurt nga mospërdorimi i fishekzjarrëve.

“Unë e përshëndes këtë vendim sepse duket sikur çdo vit fishekzjarret dhe kapsollat hidhen në rrugë dhe na trembin fëmijët”, u shpreh një qytetare.

“Duket më mirë. Do ishte më mirë që këto të ishin të kontrolluara”, tha një qytetar.

“Sigurisht që është edhe më mirë pa fishekzjarrë sepse ata bëjnë edhe rreziqe. Kjo është gjë e mirë”, tha ndërkohë një tjetër.

“Vazhdimisht kanë ndodhur ngjarje të rënda. Këto janë të paparashikuara, nuk ke siguri”, u shpreh një qytetare.

ABC News pyeti qytetarë të Tiranës nëse mungesa e fishekzjarrëve e zbeh atmosferën e festës.

“Diçka e organizuar që ka kontroll atëherë do duket bukur dhe nuk e zbeh fare magjinë e festës”, tha një qytetare.

“Po! Këtë vit më duket pak kot me thënë të drejtën”, u shpreh një tjetër.

“Pak më e mërzitshme, por gjithsesi festa do jetë”, tha një i ri.

“Si kot është, por gjithsesi ky është ligji”, u shpreh një qytetar tjetër.

Këtë 31 Dhjetor, nata e ndërrimit të viteve pritet të shënojë më pak incidente nga mjetet piroteknike, krahasuar me vitet e mëparshme. Përdorimi  i fishekzjarrëve për arsye festive do të bëhet vetëm nga institucionet e autorizuara, siç janë Bashkitë.

v.l/ Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *