Urdhri më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë ndalon kryerjen e aborteve në klinikat private apo publike që nuk kanë funksional sistemin e shtrimeve. Urdhri sanksionohet në licencat e reja që këto klinika kanë nisur tashmë t’i rinovojnë
Pranvera Kola
Ndalohet kryerja e aborteve në klinikat spitalore pa shtretër. Duke marrë shkas nga të dhënat shqetësuese që raportojnë strukturat spitalore mbi zhvillimin e aborteve, autoritetet e shëndetësisë kanë marrë masat që të ndalojnë kryerjen e aborteve në klinikat private apo publike të cilat nuk kanë shtretër shtrimi. Ky vendim është marrë pas sinjalizimeve se në shumë prej klinikave private që marrin përsipër zhvillimin e aborteve, nuk plotësohen as kushtet më minimale të sigurisë së shëndetit.
Një tjetër fenomen që mbart rrezikshmëri të madhe, është vështirësia në evidentimin e aborteve që kryhen pranë klinikave private, të cilat në pjesën dërrmuese të rasteve fshehin të dhënat përkatëse duke mos i raportuar ndërhyrjet e zhvilluara.
Burime pranë dikasterit të shëndetësisë bëjnë me dije se kanë qenë të shumta rastet kur klinikat private kanë dështuar në kryerjen e aborteve, pasi në shumë raste i kanë dërguar pacientet në gjendje të rëndë shëndetësore drejt spitaleve publike. Për të zbatuar këtë vendim autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se do të sanksionohet në licencat e reja që këto institucione kanë nisur të rinovojnë me këtë institucion. Kreu i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, ka bërë të ditur se vendimi i ri do të përshkruhet në licencat që këto institucione po rinovojnë, proces i cili do të vijojë deri në mbyllje të muajit janar, sipas kritereve të përcaktuara. Sipas Piperos, zhvillimi i aborteve në mënyrë vullnetare do të jetë i ligjshëm vetëm në spitalet të cilat kanë funksional sistemin e shtrimit.
“Është e ndaluar çdo ndërhyrje invazive jashtë institucioneve me shtretër, qofshin këto publike apo private. Aborti vullnetar do të bëhet vetëm në spitale. Ligji i mëparshëm e ka lejuar në rastet kur klinikat kanë qenë të licencuara. Gradualisht, afati i licencimit të tyre po shkon drejt mbylljes. Në janar përfundojnë dhe tre-katër të fundit. Ju garantoj që në asnjë klinikë nuk do të ketë më ndërhyrje invazive siç është aborti”, bën të ditur Pipero. Më tej ai vë në dukje se ky vendim ishte i domosdoshëm për t’u ndërmarrë pasi nënat duhet t’i kryejnë abortet në kushte sa më të mira ku nuk vënë në rrezik shëndetin e tyre.
Ndërkohë që ky urdhër ndihmon edhe në frenimin e fenomenit negativ të aborteve selektive, të cilat fatkeqësisht gjatë viteve të fundit janë shndërruar në një fenomen shqetësues në vendin tonë. Kjo pasi dallimet ndërmjet gjinive në lindje janë shumë të mëdha. Tek prindërit shqiptarë mbetet ende në nivele të forta mendësia e preferencave gjinore që në lindje. Shumë prej tyre, pasi mësojnë gjininë e bebes i drejtohen metodave të abortit selektiv, në rastet kur fëmija që do sjellin në jetë nuk është i gjinisë mashkull.
Ky fenomen më shqetësues mbetet në rrethet e largëta të vendit ku mungesa e informacioneve mbi metodat e kontracepsionit është shumë e lartë, çka i hap udhë realizimit të aborteve selektive. Duke iu referuar të dhënave të studimit më të fundit të kryer në vendin tonë, konstatohet se me fenomenin e disbalancave gjinore janë të lidhur një sërë faktorësh që kanë të bëjnë me “parapëlqimin e djemve apo vajzave në shoqërinë shqiptare, nivelin e fertilitetit, sigurimin e teknologjisë për përcaktimin e seksit, modernizimin e mjeteve të disponueshme të riprodhimit, zhvillimin e shpejtë të sistemit privat të kujdesit shëndetësor dhe legalizimin e abortit”.