Ndalojeni Saliun! Shpëtoni Partinë Demokratike!

Ornela

Pajtim Bello

Beteja mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës ka ndezur llampat e grupeve të interesit brenda Partisë Demokratike (PD). Taborrre deputetësh, ish deputetësh, ish funksionarë shteti e të PD nën parullën: “Të shpëtojmë PD-në!”, me lugën në brez, po shfaqen në foltoret e Sali Berishës dhe shpresojnë të bëhet deti kos. Ka nga ata që prej tribunës ikën me bisht në shalë, pa e shkrepur. Tani duket sikur iu është terur baruti, iu janë ngritur pendët dhe shtyjnë njeri tjetrin të zënë vend në foltoret e Saliut. Dje ikën me bisht në shalë, sot janë trimëruar dhe, nën flamurin e Saliut, komplotojnë që Lulzim Bashës ti marrin kreun e PD. Ëndërr e njerëzve frikacakë dhe hileqarë, të cilët janë të sojit që shpresojnë “…të ngordhi kali, … t’i heqin patkonjtë!”. Të kuptohemi, presin që “kalin” ta vrasë Bajlozi Sali, pastaj këta të bëjnë pogromin e dervishlerëve.

Ka edhe të tjerë të cilët janë bashkudhëtarë të Sali Berishës. Këta, më shumë se bashkudhëtarë, janë bashkëmëkatarë. Gjatë rrugëtimit kohë pas kohe kanë mëkatuar bashkë me ish liderin e tyre, si të thuash i janë gjendur njeri tjetrit në një odë, në një sofër. E dinë fort mirë që nëse shembet Kulla e Berishës, çatia e sajë i zë nën vehte. Si zogj të tromaksur nën shoshë tentojnë të çpojnë rrjetën e të dalin. Hiqen si trima, shfaqen si indipendentistë të kulluar dhe rrahin flatrat për ta tërbuar edhe më motin e trazuar.

Të dy sojet e taborreve kanë për qëllim të hakmerren ndaj Lulzim Bashës, ta rrëzojnë, ta turpërojnë e poshtërojnë dhe mundësisht ta tërheqin zvarrë rrugëve të Tiranës. Ata ndiznin qiri që PD t’i humbiste zgjedhjet e 25 Prillit 2021, ndoshta edhe më thellë nga ç’ndodhi. Tashmë iu erdhi gjahu në pritë. I bashkuan bajonetat me Saliun. Por rrëzimi Lulzim Bashës vjen përmes shpërbërjes së PD. Këtë e dinë mirë por ata janë pragmatistë në të keqen e tyre. Do të mbajnë foltoret, do ta lodhin, do ta rraskapitin shpirtërisht dhe do ta çorientojnë mendërisht anëtarësinë e PD. Dita ditës si pika e ujit do ta çajnë PD. Ata nuk do të ndalen para asgjëje. Prej tyre do të shikojmë skena nga më të çuditshmet. Foltorja, nga Fieri,  do të udhëtojë deri sa një ditë të instalohet në oborrin e selisë së PD. Atje do të shkëlqejnë oratorët e vijës së zjarrit. Ata do t’iu bëjnë thirrje demokratëve që t’iu bashkohen në këtë aventurë. Nën presionin e thirrjeve “allahu akbar!..” do të kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës “për të shptuar” PD!… Do të vijë dita kur me durimin e sosur të ndërmarrin akte dhune.

Në pamundësi për ta rrëzuar përmes institucioneve të partisë, ata do të pengojnë hyrjen e Lulzim Bashës në seli. Këtu realizohet shqyerja e PD. Secili do të marrë nga një copë prej trupit të shqyer dhe me këtë trofe do të kumtojë pushtimin e PD. Por jo. Ajo kështjellë nuk do të jetë më në këmbë. Copat dhe thërrimet e sajë nuk mund të ngjizen. Kjo është një dramë që ky soj njerëzish e realizon pa e menduar dy herë. Dufi, mllefi, ndjenja e hakmarrjes, etja për karrierë ua errëson. Këtë dramë mund ta shmangi vetëm anëtarësia e PD. Lulzim Basha, Grupi Parlamentar dhe gjithë strukturat e PD duhet të mos bëjnë sehir ndaj zhvillimeve. Nuk është lojë që do të luhet sipas statutit të PD dhe as në përshtatje me rregullat morale të bashkësive njerëzore të civilizuara. Duhet të zbresin tek anëtarësia, të flasin e ti sqarojnë. Ndryshe një pjesë e anëtarësisë do të bjerë pre e nostalgjisë për ish liderin, e demagogjisë indipendentiste, e influencave krahinore, klanore, miqësore etj…; kështu do të krijohen turmat aq sa dhe për çfarë i duhen Saliut. Sali Berishës nuk i duhet lejuar të krijojë avantazh dhe në fushë betejë të nxjerrë turmat. Mjeshtria e tijë për ti manipuluar e nxitur turmat është e pakrahasueshme, një shkollë më vehte!..

Mos e lejoni. Ndalojeni Saliun!.. Shpëtoni PD.

 

 

Share This Article
3 Comments
  • shume e drejte qw Salihi duhet ndaluar. por kete nuk mund ta beje vetem partia demokrate. duhet te reagojne institucionet e ligjit qe Salihut ti tregohet vendi dhe kjo sa me shpejt aq me mire. teli

  • Mendoj se:

    1. Sali Berisha dhe dishepujt e tij me kryesore duhet te largohen perfundimisht sepse prania e tyre do e pengoje PD-ne te reformohet.

    2. Lulzim Basha dhe perkrahesit e tij duhet te kthejne demokracin PD-se, qe klika e Saliut e pervetesoj si “liri persoale te Berises dhe klikes se tij”.

    3. Lufta kunder korupsionit ne radhet e PD-se, aqe sa ka qene, duhet te zberthehet me detaje per periudhen qe ka sunduar klika- Berisha, si me ndihmen e eksperteve ligjor, por edhe me denoncimet e nje shumice te madhe te antareve te PD-s, qe jane njerez te ndershem dhe patriote, derisa te behen plotesisht te qarta per cdo shqipetar. Pra duhet te shkruhet “Bibla e PD-se” si dokument kryesor, inkluduar gjithe dokumentacionin fundamental te partise.

    3. Duke pastruar vehtevehten nga barra e rende e rasteve korruptive PD-ja do behet nje model i nje partie konservatore qe principet, normat morale i ka si busell ne aktivitetin dhe qellimet e saje drejt civlizimit perendimor. Ne kete proces vehte spastruse autoriteti i partise do rritet ne menyre te konsiderushme.

    4. Te gjithe drejtusit e rij te PD-se duhet te konkurojne me njeri tjetrin por edhe te bashkepunojne, bazuar ne konceptin se askush nuk e ka monopolin e te vertetes, por te ghithe se bashku pas shume diskutimesh do i afrohen me shume nje zgjidhje optimale me stabilitet afat gjate.

    5. Zgjidhjet me intriga e kodoshlleqe jane te paqendrushme. Sot fiton nje gje, neser e humbet ate dhe gjera te tjera. Nuk je i qete. Kalon ne gjendje depresive. Kur je i shkaterruar flasin instiktet por jo mendja. I futemi nje procesi veteshkaterruse. Pra te jemi objektive dhe oreks te matur. Sukseset qe arrihen te jene te qendrushme dhe sic e kane thena politikane te shquar “politika me mire mbeshtet tek vendimet e drejta e te ndershme”

    Konkluzioni im eshte qe te fillohet sa me shpejt per formulimin e nje programi te qarte, per te arritur ne ato nivele qe jo vetem te jemi nje opozite e forte per interesat e Shqiperise por dhe te fitojme zgjedhjet me merite, jo si dhurate se kemi nje kohe shume te gjate se nuk jemi ne pushtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *