Komisioni i Ligjeve po diskuton në mbledhjen e sotme rreth ndarjes së mandateve. Mbledhja po shoqërohet me debate mes anëtarëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës në lidhje me ndarjen e mandateve pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Çështja është shndërruar në objekt debati mediatik dhe institucional prej ditësh, pasi maxhoranca ngul këmbë në që të mbetet në fuqi e njëjta ndarje mandatesh që është aplikuar në zgjedhjet e 2009-s, ndërsa opozita e ka kundërshtuar me forcë këtë qëndrim, duke kërkuar ndarjen e mandateve nga KQZ-ja. Gjatw mbledhjes së sotme, deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, tha se qëndrimi i maxhorancës në lidhje me mandatet po e fut Kuvendin në një precedent të rrezikshëm. Ndërsa deputeti demokrat, Edi Paloka, u shpreh se anëtarët e majtë në KQZ janë bërë pengesë për miratimin e mandateve. Sipas tij, rruga e vetme është të mbetet në fuqi ndarja e mandateve e vitit 2009.
Xhafaj theksoi se është e domosdoshme një seancë dëgjimore me kryetarin e nënkryetarin e KQZ-së për këtë çështje.
Kërkesa e tij u miratua dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli, bëri të ditur se ditën e mërkurë do të zhvillohet seancë dëgjimore me kryetaren e KQZ-së, Lefterie Lleshi, dhe nënkryetarin Denar Biba.