Kuvendi zëvendëson KQZ-në, duke mbajtur në fuqi një ndarje të vjetër mandatesh, që cenon barazinë e votës. PD ndjehet e kënaqur që mban disa mandate në bastionet e saj në veri, kurse LSI kënaqet që nuk u hoq një mandat në Berat
Pavarësisht kundërshtimeve të forta nga opozita dhe nga shoqëria civile, Komisioni i Ligjeve ka vendosur që ndarja e mandateve të mbetet ajo që ka qenë në vitin 2009, duke pranuar kështu një kërkesë të PD, që kënaq këtë parti, por edhe LSI-në.
Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, theksoi se ndarja e mandateve si në vitin 2009 nuk respekton kriterin e barazisë ndaj ligjit.
“Mandatet nuk janë pazare politike, ka afat deri me 7 mars për ndarjen e tyre. Po kërkoni të bëni një lojë vetëm të një pale, me këtë njëanshmëri po njollosni zgjedhjet. Kuvendi po luan si kasap politik. T’ia lëmë KQZ-së vendimin për ndarjen e mandateve. Kuvendi ka hyrë në procedurë të paligjshme”, theksoi Gjiknuri.
Ndërsa deputeti i PD-së Edi Paloka është shprehur se Komisioni i Ligjeve nuk po shkel ligjin duke shqyrtuar ndarjen e mandateve, por ky është një detyrim ligjor.
Ndërkohë më herët në lidhje me çështjen e ndarjes së mandateve në Komisionin e Ligjeve raportuan edhe kryetarja dhe nënkryetari i KQZ-së.
Kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi, ka sqaruar arsyet se përse nuk u votua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndarja e mandateve.
“KQZ ka kryer llogaritjen e mandateve sipas informacioneve të marra nga Ministria e Brendshme. KQZ vendosi të mos ndante mandatet, pasi kjo gjë nuk u votua me shumicë të cilësuar”, tha Lleshi.
Ndërsa, nënkryetari Denar Biba theksoi se KQZ-ja është në gjendje të marrë një vendim për ndarjen e mandateve.
“Nuk dyshuam në falsitetin e të dhënave të Ministrisë së Brendshme, por donim verifikim, pasi hidhej dyshim mbi integritetin e votës. Nuk erdhi informacioni që kërkuam nga Ministria e Brendshme dhe KQZ nxitoi të votonte për mandatet. Nuk kemi dyshuar tek letra e MB, por të dhënat e dy akteve binin në kundërshtim me njëri-tjetrin. Në një moment të dytë ishim të gatshëm të votonim, por nuk mund të kalohet në një vendim tjetër, nëse i pari s’është kaluar parimisht. KQZ-ja është në gjendje të marrë një vendim për ndarjen e mandateve”, tha Biba.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit demokrat Edi Paloka, i cili i është drejtuar nënkryetarit të KQZ-së me fjalët: “Ku e gjeni të drejtën ligjore për të hetuar dyshimin?”
Por nënkryetari i KQZ-së ka theksuar se kodi i procedurës administrative thekson se një anëtar i një institucioni kolegjial ka të drejtë për të hetuar. “KQZ nuk funksionon vetëm në bazë të Kodit Zgjedhor”, ka shtuar Biba.
Ndërkohë, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, theksoi se çështja e ndarjes së mandateve tani është në Kuvend dhe ka nisur të shqyrtohet.