Ndarja e mandateve, tre skenarët që do të ndiqen

redaktor

Ndërsa Kolegji Zgjedhor, mes një vendimi të shumëdiskutuar nga juristët ndau vendin në ZAZ në pamundësi të një vendimmarrjeje në KQZ, një tjetër çështje që mbetet në ngërç është ajo e ndarjes së numrit të mandateve të deputetëve sipas qarqeve

Ndarja e mandateve sipas qarqeve mbetet pika e bllokimit në Komisionin Qendror të zgjedhjeve. Për mungesë konsensusi çështja që kërkon shumicë të cilësuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka mbetur pezull, pasi nuk u ankimua as në Kolegjin Zgjedhor nga palët dhe afati për t’iu drejtuar gjykatës tashme ka skaduar. Por cilat janë rrugët për zgjidhjen e çështjes qe  ka dale edhe tej parashikimit ligjor?

Skenari i parë
Demokratët patën bërë me dije pas skadimit të afatit të ankimimit se njëra mundësi është ajo mbetjes në fuqi të ndarjes së mandateve në zgjedhjet e 2009. Por Kodi Zgjedhor parasheh si te detyrueshëm ndarjen e mandateve përpara zgjedhjeve parlamentare, duke përjashtuar nga ky detyrim ligjor në nenin 76 të tij vetëm rastin e zgjedhjeve të parakohshme.

Skenari i dytë
Mundësia e dytë e artikuluar është ajo e ndarjes së mandateve nga parlamenti. Në kushtet e ezaurimit të shansit nga KQZ, është legjislativi që mund të bëjë ndarjen e mandateve ka qenë njeri nga opsionet e hedhura në tregun e zgjidhjeve të këtij ngërçi. Por në një opsion të tillë, rasti do të ishte analog me Kolegjin Zgjedhor që në kushtet e mungesës së një vendimi të KQZ–së për ZAZ –të bëri vete një ndarje të tillë. Në këtë rast Parlamenti do të kryente të njëjtën shkelje ligjore që bëri Kolegjit, pasi parlamenti mund të miratojë vetwm aktin që KQZ miraton. “KQZ-ja kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 75 të këtij Kodi dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi, me procedurë të përshpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve”, thotë pika dy e nenit 76 e Kodit Zgjedhor.

Skenari i tretë
Duke iu referuar të njëjtit nen, Partia Socialiste e mbështet qëndrimin se nuk ka skaduar afati i ndarjes se mandateve nga KQZ. Përfaqësuesi i kësaj force politike në institucionin më të lartë zgjedhor, Genc Gjonçaj tha se është KQZ, i vetmi institucion që ka të drejtën e ndarjes së mandateve. “Në çdo rast numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk rishikohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme”, thotë pika tre e nenit 76 te Kodit./tch

 

 
Gjonçaj: Mandatet i ndan vetëm KQZ
Duke referuar kësaj pike, të nenit 76 të Kodit Zgjedhor dhe duke llogaritur se fundi i mandatit të këtij Kuvendi është shtatori, PS përmes Gjonçaj deklaroi se KQZ-ja ka të drejtë dhe afat ligjor ta rimarrë çështjen për shqyrtim deri në datën 7 mars, si afati fundor që Kodi përcakton. “Drejtoria e Gjendjes Civile të japë sqarime për rritjen e popullsisë në katër komuna të Kukësit, shumëfish mbi mesataren e rritjes së vendit, dhe KQZ të bëjë ndarjen e deputetëve për çdo qark”, deklaroi përfaqësuesi i PS-së. Mes këtyre mundësive që dy partitë e mëdha shohin si zgjidhje, mbetet qartësimi i LSI-së. Kjo parti në KQZ nuk e mbështeti kërkesën e PS-së për informacionin që kërkoi për shtimin e popullsisë në Kukës, por votoi pro PS në Parlament në kërkesën për Komision Hetimor për këtë çështje. Qartësimi i LSI-së, gjithsesi nuk pengon bërjen e shumicës parlamentare dhe as nuk e mundëson arritjen e saj as në KQZ, por do të rriste vetëm presionin për zgjidhje brenda mazhorancës nëse kjo force politike mbështet projektin për heqjen e një mandati në Berat, por në pakësimin e tij në Kukës.

 

 

 

Neni 76 i Kodit Zgjedhor

 

Procedura dhe periudha e përcaktimit të mandateve

 

1. Si rregull 4 muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore, që i paraprin fundit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile me kërkesë të KQZ-së, dërgon numrin e përgjithshëm të shtetasve, si dhe numrin e shtetasve për çdo qark, bazuar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

2. Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave, KQZ-ja kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 75 të këtij Kodi dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi, me procedurë të përshpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve.

3. Në çdo rast numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore  miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk rishikohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *