Ndryshimet klimatike, si dhe ndërhyrjet e njerëzve po shndërrohen në një rrezik potencial që kërcënon zhdukjen e faunës. Dje në ditën Botërore të Ligatinave, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti ka pohuar se vetëm në liqenin e Butrintit, gjatë vitit të shkuar, rreth 30 për qind e prodhimit të midhjeve janë asfiksuar si pasojë e ndryshimeve të temperaturave të ujit, të cilat janë shoqëruar me rritje. Sipas të dhënave të detajuara nga ekspertët, ndryshimi i temperaturave të evidentuara në liqen ka qenë i theksuar, pasi ka mbërritur edhe në 27 gradë. E kjo si rrjedhojë e ndërhyrjes së njerëzve me devijimin e rrjedhës nga lumi i Bistricës, veprim ky që prish ekosistemin, teksa shkakton edhe një dëm të madh ekonomik. “Ishte mosrespektimi i bilanceve natyrorë ekologjikë të kësaj lagune, në radhë të parë ndërprerja e furnizimit normal me ujë të freskët nga Bistrica, si rezultat i devijimit të papërgjegjshëm të këtyre ujërave për qëllime bujqësore. Për rrjedhojë mosfurnizimi me ujë të freskët i lagunës çoi në rritje të patolerueshme të temperaturave që çuan në humbje kolosale të prodhimit të midhjes. Në Karavasta, sot e kësaj dite vazhdon peshkimi pa kriter në cekëtine, sidomos në periudhën e riprodhimit të peshqve”, ka vënë në dukje ministri Panariti. Në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës Botërore të Ligatinave ministri i Mjedisit Lefter Koka, ka deklaruar se ligatinat kanë një vlerë të veçantë në ekonominë e vendit, por edhe në zhvillimin e turizmit, ndaj ruajtja dhe zhvillimi i tyre është një sfidë për vendin. “Bujqësia do të kërkojë më shumë ujë për të mbështetur më shumë njerëz në të ardhmen, por ligatinat ende duhet të kenë ujë të mjaftueshëm për të ruajtur karakterin e tyre ekologjik dhe shërbimet esenciale të ekosistemit”, u shpreh ministri Koka. Nga ana tjetër, funksionet dhe vlerat ekonomike të ligatinave duhet të merren parasysh në planifikimin për prodhimin e ushqimit dhe produkteve të tjera bujqësore. “Për të garantuar këtë qasje, në kuadër të Direktivës së Bashkimit Evropian për ujin, Ministria e Mjedisit, ka shënuar një progres të dukshëm institucional dhe ligjor për administrimin e ekosistemeve ujore”, shtoi më tej ministri Koka. Sipas tij, Ministria e Mjedisit po harton projektvendimet në përputhje të plotë me këtë direktivë, duke konfirmuar se institucioni i tij është edhe në proces të hartimit të strategjisë kombëtare për menaxhimin e integruar të ujerave, si dhe strategjisë kombëtare për kadastrën e ujërave.” Koka theksoi se miratimi nga Këshilli i Ministrave i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave do të sjellë efektet e dukshme edhe tek ligatinat.