Nderim për Bejaze Fino Jaupaj  

J L

Nga Sevo Tarifa

 

                                 “Varfëria nuk e zvogëlon

                                         fisnikërinë, por e pasuron” .

Dikur fisnik quhej njeriu i shtresave  të larta feudo-borgjeze e aristokratike. Por nuk kanë fisnikëri ata që s’rrojnë me punën e vet. Shpirti i këtyre thotë: “Puno ti, të ha unë”. Ndërsa unë dua të shkruaj për njerëz që nisen nga ideja e Sami Frashërit: “I varfëri me shpirt fisnik, që jep gjysmën e atyre që ka, është më i pasur se pasaniku që nuk jep as një të mijtën e pasurisë së tij”. Konkretisht do të flas për një grua, fisnikëria e së cilës shfaqet ne cilësitë e larta morale që e karakterizojnë: ndjenjën e punës, ndershmërinë, mirësjelljen, zemërgjerësinë, mirësinë, bujarinë e saj. Kjo është Bejaze Fino (Jupaj), m mohë gati binjake me Çlirimine vendit.

Në fshatin e ri “Asim Zeneli” kam njohur djem e vajza dinamikë, punëdashës, miq të librit. I jepnin tonin fshatit. Vazhdonin traditat e të parëve të tyre. Njëri brez pasonte tjetrin. Të rinj e të reja të përparuar. Filiza të rinj si Boço Hodaj, Delo Seriani e të tjerë, që bukën e lyenin me djersën e ballit. Njerëz të punës e të penës. Po edhe vajza luftarake, të shkathta, aktive, punëtore brenda dhe jashtë shtëpisë. Njëra prej tyre ishte Bejazja, në buzëqeshjen e çiltër të së së cilës shikoje optimizmin e saj, perspektivën e ndritur të një vajze, nuse, grua e nënë të përsosur në të ardhshmen, të emancipuar, të përparuar, të nderuar.

Adoleshente që hidhte shtat. Shquheshin tek ajo bukuria e paraqitjes, por sidomos bukuria e brendshme shpirtërore: zgjuarsia, mençuria, talenti i artistes. I qeshte fytyra. I skuqonin faqet. I shkëlqenin sytë. Nxënëse shkolle. E dalluar në mësime. E aktivizuar në fushën e artit e të letërsisë. Pjesëmarrëse në grupin artistik. Delte në skenën e vatrës së kulturës të fshatit. Të bënin përshtypje tek ajo aftësia, modestia, mirësjellja, niciativa e saj. Në mbledhjet e rinisë fytyrëçelur, e guximshme, e gjallë në diskutime. Më kujtohen dy mbledhje të tilla: njëra me rend-dite:  “Jemi labër? Të mësojmë këngë polifonike”. Tjetra: “Të marrim në dorë heqjen e litarit të ngarkesës nga kurrizi i gruas”! Mendime të zjarrta. U kalua nga idetë në veprime.

Ishin dy nisma, rrezja e së cilave ndriçoi dhe përfshiu gjithë fshatin dhe më gjerë. Rinia ishte forca kryesore sulmuese. Bejazja çoi në familje frymën e tyre revolucionare të nismave të vlefshme. Nëna e saj, Xhevoja nuk ngarkohej me litar. Babai, Nusreti i çonte drutë në shtëpi, ngarkuar në mushkë. Dikush u shpreh: “Kurrizi i grave është bërë më plagë nga litari”. Dhe propozoi: “Që burrat ta kuptojnë se gratë s’duhen ngarkuar, le ta provojnë duke u ngarkuar vetë. T’i shohë dhe kurrizi i tyre vijat e gjakut të litarit”! Dhe kryetari i kooperativës Rrapo Skëndi dha shembullin i pari…E pas tij burrat e fshatit i vunë gishtin kokës. Bejazja me shoqe e shokë panë frytet e punës së tyre, që i morën në dorë këto dy aksione me karakter moral e shoqëror. U krjiua një atmosferë e ndezur, e prushëzuar, që rriti gatishmërinë, kënaqësinë, krenarinë. Rezultatet u panë me sy: u vendos të mos ngarkohen as burrat. Rinia patrullonte. Dhe problemi u zgjidh: paskëtaj ngarkesa bëhej me kuaj. Gazeta “Bashkimi” shkroi një faqe me titullin: “Frymëmarrja e fundit e litarit”. Të dy nismat gjetën hapësirë në të gjithë rrethin. Si të tjerët, edhe Bejazja shihte shkëndijat e punës së saj në familje, në fis dhe në gjithë fshatin e ri. Të vjen keq që kjo niciativë u shkri si kripa në ujë në këta vite të tranzicionit…

Bejazja rritej e zbukurohej. Sytë e këtij e të atij djali po vështronin nga ajo. Dhe “sytë janë gjuha e dashurisë”. Engjëll Finoja, ky mësues i palodhur, agjitator e propagandist politik, aktivist i artit, i kuturës, i rinisë, i pionierëve e masovik i rrallë e i gjithanshëm, që punonte në Lazarat, (Lazarati dhe “Asim Zeneli” ishin bashkë në një kooperativë),  shkonte dhe ndihmonte shkollën e vatrën e kulturës në fshatin  “Asim Zeneli”. I ra në sy vajza e re, Bejaze. Bukuria e saj i pëlqeu syve të tij. E mira e saj, zemrës së tij. Mençuria e saj krenarisë së tij. Dhe me vete mendionte: “Ku është rritur kjo zanë? Në shkëmbinj të Progonatit. Kjo është për mua!”. Dhe arriti në përfundim: “Për trarë, druri i lisit, për grua, bija e fisit”! Dhe koha tregoi se ishte vërtet një vajzë fisnike, që dinte të ndante gëzimin me të tjerë, një e re dashamirëse, sikur të kishte lexuar e po zbatonte një thënie të De Radës: “Dashamirësia është shenjë e fisnikërisë”.

Engjëlli kalonte nga një simpati e zakonshme për cilësitë e mira të një vajze, në ndjenjën e bukur e të natyrshme njerëzore, të dashurisë së sinqertë për Bejazen. Po si të bënte ky djalosh? Dukej qartë që Engjëllit kjo vajzë i dukej një engjëllore. Mendime “sekrete”. Sikur ta dinte tjetër kush këtë ndjenjë të zjarrtë, do thoshte: sa mirë-Engjëllorja të shkoi tek Engjëlli”! Të dy të urtë. Të mirë. Të thjeshtë. Të punës. Dinjitozë. Por të druajtur. Vështirë të komunikonin drejtpërdrejtë. Nuk ishte lehtë t’i shprehnin dashurinë njëri-tjetrit, në këtë rast Engjëlli Bajazes. Djali ishte në hall. Nata i dukej e gjatë. Mendjen e kishte tek ajo. Nuk i thoshte dot as familjes së vajzës. Kështu ishin kohët…Ndaj një tjetër person hyri në mes si ndërmjetës. pa interes. Dhe nyja nisi të zgjidhej: u tha e u bë!  Fejesa u krye. Edhe martesa. Ato ditë fqinja e saj, mësuese Maria u shpreh: “Na erdhi një nuse e bukur dhe e fisme”.

Gjirokastrës iu shtua një nuse progonatase. Dy familje po lidheshin bashkë. Po thellonin njohjen e njëra-tjetrës. Siç ishte koha: në radhë të parë shikohej ana politike. Doli që nëna e vajzës, Xhevoja e mirënjohur, ishte partizane me armë në dorë, skuadërkomandante, në Brigadën e III Sulmuese, luftëtare deri dhe përtej kufijve shtetërorë, në ish Jugosllavi, në ndjekje këmba-këmbës të nazistëve gjermanë. Babai në batalionin territorial, në punë bujqësore. Shtëpi pushke. Me njerëz të fisit atdhetarë, partizanë, që luftonin me parullën ”Vdekje fashizmit-Liri popullit”.

Të njëjtin vëzhgim bënte edhe familja e vajzës. Rezultoi se edhe prindërit e Engjëllit ishin të pastër. Të ndershëm. Punëtorë. Rronin me djersën e ballit. I ati i djalit, Murati në punë të thjeshta. I lidhur ngushtë me luftën. Nënë Miniveri merrej me ndonjë qepje e qëndismë. Një herë një qëndismë, ku vizatohej Shqiponja e Flamurit, i pëlqeu xha Muratit, i cili ia mori dhe ia dha bashkëlagjesit, Enver Hoxhës, në një datëlindje të tij! Të dy familjet jetonin në varfëri. Të varfër, por të fisëm. Në vorbullat e vështirësive forcoheshin, kaliteshin. “Varfëria nuk e zvogëlon fisnikërinë, por e pasuron”.

Nusja në shtëpinë e dhëndërit. Në një familje me 9 veta. Pjesëtarët e saj jetojnë në një klimë të re. Të gjithë shikonin sa e mirë është nusja: nëpër shtëpi amvise, e pastër, e shpejtë si flutur, punëtore si bleta. Mikpritëse. Shkonin miq për urim dhe ajo ndriste, ishte dritëdhënëse.  Në punë me duar të zëna. E sjellshme dhe e respektuar ndaj pjesëtarëve të familjes dhe bashkëlagjesve. Fjalë të mira dëgjoheshin në adresë, të saj. Këto shkonin dhe në vesh të Engjëllit, zemra e të cilit qeshte e gëzonte.

Pas tre muajsh hyri në marrëdhënie pune, në ndërmarrjen arrtistike. Këtu shkëlqeu. Kolektivi dhe drejtuesit flisnin me respekt për figurën dhe punën e saj. Ishte aktive, sidomos  në veprimtari artistike e kulturore. Atë që kishte filluar në fshat, e vazhdonte tani me punëtorë në një qendër pune, në qytet.  Nisi të dallohej edhe në punë shoqërore. E re, por disa herë u zgjodh kryetare e organizatës së gruas në ndërmarrje. Nuk u ankua një herë për punët mbingarkesë. I shikonte këto si një besim që kishin të tjerët për të. Dhe i rritej guximi. Merrte forca të reja. Punonte dhe mësonte. Shkollës 7-vjeçare që kishte kryer në fshat, i shtoi të mesmen që mbaroi në qytetin e gurtë, pa shkëputje nga puna.

Bejazja aktiviste edhe në lagje. Ra në sy të mirë. E papërtuar në detyra shoqërore. Në dy legjislatura u zgjodh anëtare e këshillit popullor të lagjes. E thjeshtë në marrëdhënie me njerëzit. E palodhur në punët e ndërmarrjes e në detyra e ngarkuara në lagje. E fortë fizikisht e shpirtërisht dhe vepronte në tre fronte pune: qeveriste familjen, punonte në ndërmarrje e në lagje, mirërriste dhe edukonte fëmijët.  I përballonte me sukses. I rrihte zemra nga gëzimi.

Për vite të tëra i duhej të kryente punë të dyfishtë: si nënë e fëmijëve, por edhe detyra të bashkëshortit, i cili ishte në punë të vështira: mësues në dy fshatra: në Mashkullorë e në Lazarat. Mblidhej rrallë në shtëpi. Në Lazarat bëri një punë të madhe edukative e kulturore gjatë 10 viteve. Arriti realizimin e detyrimit shkollor. Pjesëmarrjen e të rejave në organizatën e rinisë. Ngriti estradën, skuadrën sportive, muzeun e fshatit, këshillin e pleqve për t’i aktivizuar e mobilizuar kundër zakoneve prapanike. Nënë Xhemo Bocës i dëgjohej shumë fjala. Për punë të palodhur, Engjëlli u zgjodh sekretar i organizatës bazë të partisë. Në Mashkullorë, punoi si djal i atij fshati, në fushën e arsimit, të kulturës e të edukimit. Përveç të tjerave, ngriti grupin e këngës, ndihmoi në organizimin e festivalit të familjeve, mblodhi 600 këngë popullore nga më cilësoret, disa edhe të panjohura.

Koha kalonte dhe Bejazja mbeti shtylla e shtëpisë. Atë nuk e përkulën vështirësitë e kohës. Pas 9 vjetësh martesë, familjes “Fino”. iu dha një hyrje. Në apartamentin e ri dëgjohej “muzika” e dy fëmijëve të tyre.  Ishin vite që bashkëshortit të saj iu besua një detyrë e re, e rëndësishme, e përshtatshme për natyrën dhe nvelin e tij: detyra e telekronistit të qarkut. Nder i madh, por edhe përgjegjësi që ai i bëri vend vetes,  njëherazi edhe një ngarkesë tjetër për Bejazen: e gjithë barra e shtëpisë tani binte mbi gruan e re, e cila u rëndua edhe më shumë. Shërbimi i ri bashkëshortit të saj kërkonte që ai të largohej me shërbim, të shkonte jo vetëm krahinave të Gjirokastrës, por edhe të Sarandës, Përmetit e Tepelenës. Ku e zinte nata, nuk e gjente dita. Telekronist i kualifikuar, i mirënjohur. Në kushte të reja, Bejazja mbetej shpesh e vetme Ajo kapërcente me vullnet të hekurt, me durim e përkushtim vështirësi të reja, më të mëdha.

Edhe pse e rënduar me më shumë detyra brenda dhe jashtë shtëpisë, nëna e re, Bejaze Fino, vazhdoi të ishte e dalluar në të gjitha drejtimet: të mbante në këmbë shtëpinë me dy fëmijë, të mos shkëputej nga detyrat në lagje dhe të ishte shembull në prodhim e në detyra të tjera të ndërmarrjes ku punonte. Bejazja këtu, Bejazja aty. E papërtuar. E gatshme. E kujdesshme. Nuk u shkëput nga veprimtaritë ku merrte pjesë, sidomos nga grupi artistik. E njohur për talentin e saj, mori pjesë në katër festivale folklorike kombëtare, që zhvilloheshin në Gjirokastër. Të shoqit nuk i ka sjellë asnjë pengesë, por e ka përkrahur në realizimin e detyrave të tij si telekronist. Shoqet e mbanin në gojë për mirë. Meritonte fjalët e tyre si grua e palodhur në punë, amvise cilësore, e dashur dhe e qeshur, serioze në detyrat që i ngarkoheshin, e muhabetit dhe e shkuar në rethe shoqërore.

Doli në pension e nderuar nga kolektivi ku punonte. Nuk u nda prej tyre. I kishte bërë vend vetes. La gjurma e kujtime të mira në ndërmarrjen artistike ku kaloi rininë e saj. Tani ecën krenare në fund të dekadës së shtatë të jetës. Ruan gjallërinë dhe tiparet e moshës më të re. Optimiste dhe dashamirëse. Modeste e bujare.

Çifti Bejaze-Engjëll jetojnë sot të lumtur në qytetin muze të Gjirokastrës. Kalon ajo kalldrëmit si qilim dhe del në Qafën e Pazarit. Gëzon dy filizat trashëgimtarë. Bejazja, emri i së cilës është kujtim nga gjyshi i saj, Rushiti, ish emigrant në Turqi,  e “kaloi klasën” shkëlqyesëm si nuse dhe nënë, Tani ka kënaqësinë edhe të gjyshes. Djali i saj, Iliri është martuar me Enkeledën dhe kanë një vajzë trëndafile: Stefaninë. Vajza, Matilda e mrekullueshme, martuar me një djalë fisnik nga Puka, Shkëlqim Muistafa, me banim në Tiranë. Çift që kanë lindur dy fëmijë bukuroshë, Sildin dhe Orintën. Bejazja dhe Engjëlli janë të   rrethuar nga filizat e tyre: tri herë gjyshër.

***

Natyra i lind njerëzit të barabartë. Edukata i ndan. Çifti Bejaze edhe Engjëll kanë një puls, kanë gjetur njëri-tjetrin. Dy zemrav të bashkuara në një. Buka më e shijshme dhe vlera më e madhe e njeriut është ajo që fitohet me djersën e tij, me ndershmëri. “Varfëria materiale ndreqet shpejt, varfëria shpirtërore, kurrë”. “Rruga e shtruar me lule, kurrë nuk çon te lavdia”. “Deri te fama arrihet rrugëve të ngushta”. (Viktor Hygo). Fisnikëria është mirësi.

instagram beğeni satın al

Share This Article
2 Comments
  • Une me keto komente jetoj;dhe; – me Ju DITA* dhe Atdheun.
    I VARFER jam!- po, me i pasuri te pasurve NDIHEM! Jetoj me Atdheun-ani ne emigracion …te detyruar!
    Guri Naimit D.

  • Botoje ne Beograd dhe Moske kete shkrim, sepse atje ka muzhike qe e pelqejne kete shkrim nga nje muzhik shqipfoles.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *