Mbylli sytë dhe shkoi në amshim dijetari i njohur kroat me origjinë shqiptare Aleksandër Stipçeviç në moshën 85 vjeçare. Lindi më 19 tetor 1930 në fshatin Arbanas pranë Zarës, në Kroaci. Vdiq më 1 shtator 2015.
Emri i tij u bë një motiv inkandeshent i mediave dhe botës akademike botërore. Kam pasur rastin ta njoh dhe ta takoj disa herë Aleksandër Stipçeviçin. Kam bërë biseda me të dhe kam pasur letër këmbime në vite. E kam shumë vështirë të them diçka me një stil epigramatik për këtë dijetar dhe njeri të madh.
Ai ishte një Princ Evropian i Bibliografive.
Ka punuar në bibliotekën e Zagrebit, ka botuar mbi 230 vepra shkencore në kroatisht, italisht, shqip dhe anglisht. Ai të kujton eruditët e mëdhenj filologë të kohës së Rilindjes Evropiane ose të Epokës Aleksandrine. Nuk kam njohur kurrë në jetën time një njeri që të ketë qenë kaq shumë i lidhur gjatë jetës me librat.
Kur e kam takuar për herë të parë në vitin 1991 në një simpozium shkencor ndërkombëtar për kulturat midis dy brigjeve të Adriatikut në Ankona të Italisë, befas fytyra dhe pamja e tij më kujtuan një binjakëri me Jorge Luis Borgesin. Dihet se dhe Borgesi ka punuar shumë vjet në bibiotekën e Buenos Aires. Kjo përshtypje, në fakt përshtypja e një përqasje midis dy burrave të ditur ka mbetur tek unë e ngulitur në kujtesë.
Në Ankona ndenjëm disa ditë bashkë. Unë kisha lexuar prej tij librin “Arti i ilirëve” në italisht. Ndërkohë ai më dhuroi librin kryesor dhe substancial të jetës “Ilirët”, të botuar në shqip nga Rilindja e Prishtinës. Më shkroi një dedikim në italisht: “A Moikom Zeqo, con simpatia, Ancona. 01.02.1991. Al. Stipçeviç”. Për librin “Arti i ilirëve” i thashë se më kishte pëlqyer shumë, por gjithsesi më linte idenë e diçkaje të paplotësuar. Nuk ma keqkuptoi këtë kritikë. Përkundrazi.
Gjatë muzgjeve në kafenetë e Ankonës shtjelluam shumë subjekte dhe mendime ftillëzuese. Folëm për Papa Piun II, Silvio Pikolominin dhe Gjergj Kastriot Skënderbeun. Pa harruar Kërlezhën dhe Fan Nolin.
Ai qe shumë i kujdesshëm dhe i qetë. Sytë e tij sikur shikonin larg dhe dialogu me të ngjante pa përmasa të kohës dhe të hapësirës.
Kishte një kujtesë titanike. Me lehtësinë më të madhe citonte emra autorësh të të gjitha shekujve. Kishte një njohje të pakufishme për historinë e librave që nga antikiteti deri në kohërat moderne.
Herën e dytë Aleksandër Stipçeviçin e kam takuar në Tiranë në vitin 2001. Ai erdhi në zyrën time të Drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar së bashku me gruan e tij. Këtë radhë ndenjëm më gjatë dhe u takuam edhe një ditë më pas. Kryesisht biseduam për kryeveprën e tij, për “Ilirët”. Ai kishte parë disa qytete arkeologjikë dhe muze të Shqipërisë dhe qe habitur nga materiali i pasur i artefakteve dhe monumenteve.
U ankua se nuk kishte kohë të lirë për t’i kushtuar disa vjet studimi thesarit arkeologjik të Shqipërisë, ndonëse literaturën arkeologjike shqiptare e njihte shumë mirë. Unë i fola për arkeologët tanë posaçërisht për babanë e Prehistorisë Shqiptare Çesk Prendin. Pa zbulimet prehistorike problemi i etnogjenezës civile shqiptare do të ishte i mangët. Prendi ka bërë për arkeologjinë prehistorike atë që ka bërë Çabej për gjuhësinë historike.
Por duhet të përqendrohemi në thelbin e thelbeve të dijes së këtij shkencëtari. Librat e tij për ilirët, kulturën materiale, historinë, artin dhe simbolet e religjionit, janë librat e një studimi që është shumë e vështirë të besohet se e ka bërë një njeri i vetëm. Ky dijetar ka qenë një institucion. Ai ka synuar sintezën.
Askush si ai nuk i njeh të dhënat bibliografike për ilirët. Askush si ai nuk bën një gërshetim dhe interpretim të monumenteve në fokusin e kësaj çështje. Prandaj librat e tij kanë një synim gjithëpërfshirës. Nga ana tjetër dua të theksoj se Stipçeviç tenton të bëjë edhe një teori shkencore të ilirëve ndërmjet ballafaqimit dhe përplasjes së teorive të ndryshme qoftë pozitiviste, qoftë negativiste.
Në studimet e tij ai i ka dhënë shumë rëndësi dimensionit filologjik. Ndihet në formimin e tij kulturor, shkolla e gjuhësisë krahasimtare gjermane dhe përgjithësisht tradita e studimeve ilire të ilirologëve të mëdhenj të Universitetit të Zagrebit.
Stipçeviç ka zbuluar, ka përpunuar, ka plotësuar. Gjithmonë në emër të sintezës për të krijuar atë që quhet në gjuhën shkencore një unitet të elementëve të diversitetit. Të gjithë studiuesit europianë dhe ata shqiptarë që janë marrë me çështjen e ilirëve, nuk i afrohen dot erudicionit dhe kthjelltësisë së tij për të qartësuar edhe ato gjëra që duken si të mjegullta.
Ai lidh pikat e këputura të kohërave, mungesën e kronikave e shtjellon ndërmjet interpertimit të monumenteve, veprave të artit dhe epigrafisë. Ai e meriton plotësisht titullin si ilirologu më i madh i të gjitha kohërave.
Vdekja e Aleksandër Stipçeviçit do të lërë një boshllëk të madh për shkencën. Është shumë e vështirë të përsëdytet një njeri i tillë. Ai gjithmonë do të mbetet një dijetar i referencës së pashmangshme. Por krijimtaria shkencore e Stipçeviçit është shumë më e komplikuar dhe më e gjerë. Ai ka botuar në dy botime të mëdha Bibliografinë Ilire. Ai ka botuar një nga gjërat më ambicioze në kulturë, Historinë e Librit. Por edhe një libër për Historinë e Censurës së librave.
Pa dyshim që nuk ka harruar të shkruajë edhe për arbëreshët e Zarës. Sepse në venat e tij rridhte gjaku shqiptar. Figura kaq të mëdha si Aleksandër Stipçeviç për fat të keq të kujtojnë edhe një” specie në zhdukje”, domethënë specien e lexuesit serioz dhe të paepur. Në kohën e sotme të kitsch-letërsisë dhe të një “vdekje të bardhë të librit” apo të zëvendësimit të leximit libror me leximin dixhital, shëmbëlltyra të tilla si Stipçeviçi janë gati një apel dhe një mrekulli që nuk duhet harruar.
Nderimi i pafund për këtë dijetar të papërsëritshëm.
Fizikisht ai nuk është më. Por shpirtërisht është i pashkatërrueshëm dhe përherë me një vesk rilindës, plot grishje të mëdha të shekujve.

Respekt dhe nderim i perjetshem per kete arberesh, arbanas, ilir.
Rest in peace honorary Alexander Stipevic!
E paharruar jeta dhe vepra e Aleksander Stipcevicit, ketij njeriu e studiuesi te madh. U prehte ne paqe!
Per here te pare vepren e z. Stipceviq “iliret – historia,jeta,kultura” e lexova ne fillim te viteteve te tetedhjeta. Prej atehere Ai me mbeti ne zemer. Respekt per kete arberesh te madh!
Jam kurioz te di ne cfare konkluzioni arrin Cesk Prendi per kulturen prehistorike te gjetur ne Shqiperi?Jane indoeuropjane?Jane protoilire sic konkludon nje nga me te njohurit prehistorike shqiptare Muzafer Korkuti?Jane Levantine 4500 vjecare ,me prejardhje nga Afrika,si konkludojne analizat e kromozomit Y me 45% per popullaten e Kosoves.Jane fenikas sic konkludon IGENEA?Ne cfare konkluzionesh kane arritur studiuesit e neolitit,mezolitit dhe paleolitit?
Ne cfare konkluzioni arriti Cesk Prendi per prehistorine e popullit qe ka banuar ne brigjet tona? Kujt populli i perket kultura e tyre materiale?Jane afrikane,;jane indoeuropjane,jane aziatike?
Te famshmet studime te paleolitit,mezolitit dhe neolitit te Muzafer Korkutit, perkatesisht per popullin e shpelles se Trenit,Vajzes ne Vlore e diku tjeter ku ka zhvilluar germime,te pakten e japin nje emer:Bartesit e ketyre kulturave ai i quan PROTOILIRE,pra perseri indoeuropjane.Nga ana tjeter studimet e fundit gjenetike bazuar ne kromozomin y,i nxjerrin popullsite prehistorike Shqiperi-Kosove, me prejardhje Levantine,nga Afrika veriore,vendosur 4500 vjet me pare(Kosova 45-47%).Studimi i IGENEA Zvicer 18% te popullsise shqiptare e nxjerr me prejardhje Fenikase.A perkojne studimet e arkeologev prehistorike shqiptare me konkluzionet moderne gjenetike?
po 82 % cfare e nxjerr studimi se une kam degjuar qe mbi 98% I nxjerr paster protoindoeuropiane
me te degjuar e kam se nuk e kam pare sturdimin vete…ka ndonje link ne lidhje me kete studim?
Mirel shih; Wikipedia-Storia genetica del Europa.
La difusione del cromosoma Y nell sud-est Europa
Mirel shih:Wikipedia La storia genetica dell`Europa
Gjenetika e poipujve te balkanit nga Instituti zviceran i gjenetikes IGENEA,me studim te prof.Juric.Shqipteret e sotem i nxjerr:30%-Ilire,20% sllave,18%,thrake,16% fenikas,14% helenike dhe 2% vikinge.
Ky profesori kroat me origjin ilire,me shum i ka dhen drite katolicizmit se sa historis se vertet te shqiptarizmit?
Sa per dijeni iliret mesohet ne shkollat e kroacise,natyrisht edhe kroatet jan popuj sllave per ta ndare se feja e katolicizmi i ndau ne ortodokse e katolike apo franceskane!
Sllavishtja si gjuhe zyrtare zyrtarizon edhe identitetin natyrisht per ne shqiptaret kemi te bejm me epidarine serbine ìtaline e greqine si identitet nga me te saktet, natyrisht e lidhim edhe me pjesen verjore te quajtur skutarine por qe esht e quajtur ilirine e vazhdimi i dalmacise!
Ndarja nga jeta e profesor Aleksandër Stipçeviçit është një humbje e pazëvendësueshme për familjen e tij, për shkencën dhe shoqërinë shqiptare.
Ai ishte simbol i dijetarit të përkushtuar për ndriçimin e historisë, të traditave e të etnogjenezës së shqiptarëve dhe të atdheut të të parëve të tij, Shqipërisë. Duke u njohur me numrin e madh të veprave të tij, sidomos për ilirët e shqiptarët, si: Historia e ilirëve, Arti i ilirëve, Simbolet e kultit te Ilirët, Bibliografia ilire, Interpretime albanologjike etj. çdo shqiptar ndjen krenari për këtë bir të denjë të gjakut të arbërit.
Ngushëllime të përzemërta familjes, të afërmëve, miqve, shokëve dhe kolegëve të tij!
Avdyl Sulaj, studiues