Ndërkohë që opozita është futur në bunker

editor

Ndërkohë që opozita është futur brenda bunkerit dhe jep e merr me radio-marrëse për të koordinuar veten si ushtri e mobilizuar për pushtet, jashtë po ndodhin ngjarje që duhen diskutuar publikisht. Ndalimi i importit të plerave, heqja e rrethimit të kryeministrisë, apo përpjekja për t’i gjetur strehim shqiptarëve më orgjinë rome që jetonin përballë pallatit me shigjeta në Tiranë. Veprimet janë qartësisht simbolike. Qeveria dhe ministritë nuk do të lodhen që të kenë rezultat. Rasti i fëmijës rom që u dërgua në spital nga ministri Veliaj me siguri do të ngjallë menjëherë debate. Dukshëm një palë do ta vlerësojë si veprim dhe një palë do ta konsiderojë si veprim populist me qëllime artistike.

Përtej dyshimit të arsyeshëm që ngrihet në përgjithësi për politikanët e karrierës, mirë do të ishte të analizohej dhe pjesa tjetër e pjesëmarrësve (sigurisht pa dëshirën e tyre) në këtë shfaqje, që duket se ka më shumë përmbajtje se sa duket. Një fëmijë shqiptar me orgjinë rome që nuk preket me dorë nga mjekët nuk është më show, por kapërcim në anën tjetër të ligjit. Një mjek që nuk ofron ndihmën e tij mjekësore, ka kaluar në anën e mbrapshtë të asaj që parashikon legjislacioni në fuqi. Ai duhet dënuar jo vetëm moralisht, por dhe penalisht. Pak do të ishte për të t’i hiqej e drejta për të ushtruar profesionin. Sigurisht që debati nuk shtyhet aq larg, duke qenë se opinioni publik dukshëm nuk revoltohet për atë që i ndodh qytetarëve me orgjinë rome apo egjyptiane. Kur mungesa e shërbimit mjekësor për shkaqe të rëndomta pagesash sjell pasoja tek fëmijë me ngjyrë lëkure të bardhë, mundësisht nga qyteti dhe jo nga fshati, ofshamat dhe mallkimet për sistemin shëndetësor bëhen me evidente. Një fëmijë rom nuk  ka as para dhe as pas jetës një fat të tillë. Gjithçka rreth tij duket se i përket vuajtjes.

Në një farë mënyre logjika e mosbesimit për ndihmën ndaj këtij komuniteti, çon përpara tezën e falsitetit politik sa herë ndeshemi me veprime të forta simbolike, që parimisht do të ndihmonin të gjehej diku thellë ne mendjet tona humanizmi dhe solidariteti.

Nga ana tjetër, sa i minuar është territori ku u fut ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë? Cilat janë kategoritë që mund të gjejë kundër me gjestin e e tij? Mjekët të parët (sigurisht jo të gjithë), që përtej servilizmit fillestar, nëse nuk e ndjenë si të paprekshëm profesionin e tyre kaq njerëzor, do të krijonin patjetër solidaritet kundër gjestit. Do të mbroheshin duke urryer cilindo që u vë në dukje që këto 22 vjet janë kthyer në skllevër parash dhe lajmëtarë vdekjesh. Shoumenët politikë, që do të frikësoheshin nga vëmendja mediatike. Çdo qytetar shqiptar që ka një problem dhe e konsideron atë si më të rëndësishmin në botë. Sa herë që dikush merret me këto kategori të pambrojtura, një pjese të mirë të publikut i erren sytë se ndihet i kapërcyer dhe i harruar. Kërkohet llogari sikur faji të ishte te zgjidhja dhe jo mungesa e saj prej kohe.

Shpesh heshtja dhe mungesa e veprimit në vendin tonë duket si gjest i matur. Marrja e një pozicioni në heshtje duket se ka qenë e artë përsa kohë ka zgjatur. Ministri Ndoka i humbi pikët kur shprehej në media. Deri atë ditë dukej si një shahist në hije. Presidenti Topi u bë president pa asnjë deklaratë publike për të qenë. Ministri Ksera i la në mes shiut ashtu si dhe Kryebashkiaku Basha romët. Në disa raste dhe vetë popullsia rome e pallatit me shigjeta u akuzua për shou, në momentet që zunë trotuarin. Publiku u sensibilizua me shumë me faktin që hallexhinjtë nën shi po përdoreshin politikisht, sesa nga bronkopneumonitë dhe masën pa fund të viruseve në trupat e fëmijëve në buzë rrugës. Humnera ishte aty, por ne u përqendruam të shfaqja.

Në botën që po jetojmë, ne shoun po e shikojmë nga skena e një teatri tjetër më të madh. Aty ku jemi aktorë superficialë dhe pa qëllime të vërteta. Flasim për shoun e dikujt tjetër duke realizuar numra prestigji para një publiku që na ndjek. Ndonjëherë jemi të sinqertë dhe të vertetë. Kjo duhet të plotësohet dhe me pyetjen “Po të isha rom, sa do doja që njerëzit të merreshin me mua?”, dhe jo thjesht me shoun ose jo shoun e dikujt tjetër. Unë po të isha rom do të doja që publiku të tërbohej me veten e tij që më ka braktisur. Do të doja që mjekët të më kuronin, si të isha njeri.

Share This Article
6 Comments
  • Normale qe do komentohen nga ata qe ishin me pare (s’ma nxe goja ti permend) sepse ata nuk munden ta kuptojne vullnetin e mire te Erion Veliajt per te ndihmuar cdo qenie njerezore me ngjyre apo pa ngjyre. Perderisa ata jane njerez te cilet erdhen ne pushtet vetem per te zhvatur pafundesisht, dhe nuk u shkoi mendja as edhe 2 minuta te vetme per popullin e tyre (me ngjyre apo jo) se a kane halle, probleme apo gjera te kasaj natyre?. Ata njerez nuk e kane aspak konceptin se si mundesh ta ndihmoshe nje shtrese ne varferi, perderisa nuk e kane menduar as edhe 2 minuta te vetme kur ishin ne pushtet e jo me te kuptojne Erjonin e te gjithe ata qe kan vullnetin si ai. Pune te mbare Erjon Veliajt

  • Megjithate andi kalon pertej kesaj qe konceptohet ngushte. Ai nuk e ka hallin se si do ta trajtoje njeri apo tjetri por tek nevoja qe sejcili te zgjoje brenda vehtes ate humanizem njerezor qe na ka humbur dhe veçanerisht qe ky humanizem te mos jete kalimtar. Pyetja per vetvehten ne fund te shkrimit thote gjithçka çfare kemi humbur dhe çfare do te na beje njerez humane apo mjeke te pergjegjshem. Jo te pergjegjshem vetem kur luan paraja siç…?

  • BRAVO ERJON VELIAJ!
    MJEKU QE NUK I SHERBEU FEMIJES ROM DUHET TE NDESHKOHET VETEM ATEHERE PUNET MUND TE VENE ME MIRE.
    ILIR BEQAJ DUHET TE LEVIZ .., FORTE E ME NDJESHMERI ASHTU SI KUNDER KORRUPSIONIT NE MOS ME ME VENDOSMERI,.
    GJITHSESI MIRE …FILLIM I MBARE ……..SUKSESE GITHE POP. U MBESHTET ….,SHPRESON SHUME ….ME JU DO TE MUND TA PERMIRESOJME SHTETI….JETEN .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *