Pranvera Kola
Koronavirusi shkakton simptoma tipike respiratore. Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se kolla, rrufa, dhimbja e kokës, apo dhe e muskujve janë ndër simptomat e zakonshme të koronavirusit vdekjeprurës të zbuluar në Kinë. Në vazhdën e informacioneve të kujdesit që duhet të tregojmë, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë me dije se ndërlikimet e mundshme mund të përfshijnë rritjen e temperaturës, e cila mund të shkojë mbi 38 gradë celcius, vështirësi të shumta në frymëmarrje, kalimin në pneumoni, si dhe në gjendje septike deri në pasoja fatale për jetën. Duke qenë se transmetimi nga njeriu tek njeriu është konfirmuar tashmë, rekomandohet që të mos neglizhohet në asnjë rast kujdesi sa i takon higjienës, ku këshillohet vendosja e maskës, larja e shpeshtë e duarve, si dhe shmangia e kontaktit me personat që kanë simptomat e përmendura më lart. Shtimi i numrit të të prekurve, si dhe i atyre që kanë humbur jetën nga koronavirusi, ka vënë në lëvizje edhe autoritetet tona në pikat kufitare, të cilat bëjnë me dije se kanë shtuar masat e kontrollit gjatë ditëve të fundit. Tashmë në Portin e Durrësit dhe të Vlorës, strukturat e shëndetësisë po kryejnë monitorim të përditshëm të gjithë pasagjerëve që hyjnë në vendin tonë, taksa bëhet e ditur se për të identifikuar në kohë personat e prekur janë vendosur pajisjet përkatëse që bëjnë të mundur matjen e temperaturës në distancë. Po ashtu grupe monitorimi janë vendosur edhe në pika të tjera kufitare.
Të dhënat e raportuara
Sipas ekspertëve të ISHP-së koronavirusi i ri, i sapozbuluar në 2019-n (CoV), është shoqëruar me një shpërthim të gjerë të pneumonive në qytetin Wuhan, provinca Hubei në Kinë, si epiqendra fillestare. Të dhënat e raportuara nga strukturat e Organizatës Botërore të Shëndetit deri në datën 27 janar tregojnë se në nivel global, janë raportuar në total 2798 raste të konfirmuara, prej të cilave 2741 raste të konfirmuara dhe 5794 raste të dyshuara në Kinë, teksa 461 raste në gjendje të rëndë dhe janë shënuar mbi 80 vdekje, po në këtë shtet. Jashtë Kinës janë identifikuar 37 raste të prekura nga ky virus, përkatësisht në 11 shtete. Midis 37 rasteve të identifikuara jashtë territorit të Kinës, tre raste janë zbuluar para fillimit të simptomave, ndërsa nga 34 pacientët e tjerë që mbeten, ka informacion për praninë e simptomave vetëm për 28 prej tyre. Mosha mesatare e rasteve të zbuluara jashtë Kinës është 45 vjeç, duke filluar nga mosha 2-74 vjeç, 71 për qind e rasteve ishin meshkuj (mungon informacioni për moshën në 6 raste dhe për gjininë në 4 raste). Nga 27 rastet për të cilët ka informacion të detajuar mbi datën (kohën) e fillimit të simptomave dhe datën e udhëtimit nga Kina, 8 raste i kishin shfaqur simptomat kur ishin në Kinë, 5 raste u kishin filluar shenjat ditën që po udhëtonin dhe 14 raste i shfaqën shenjat pasi ishin larguar nga Kina.
Rreziku për vendin tonë
Bazuar në informacionin e deritanishëm mbi situatën ndërkombëtare, si dhe në mungesën e linjave ajrore direkte me Kinën, udhëtimin e shtetasve tanë atje dhe anasjelltas, rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri mbetet i ulët, teksa vendet e BE-së e kanë të moderuar. Gjithsesi, ky rrezik duhet të rishikohet brenda10 ditëve. Sa i takon vlerësimit të e kapaciteteve ky rrezik është i moderuar në lidhje me përhapjen e tij (nëse virusi do të futet në vend) dhe kjo lidhet kryesisht me kontrollin e infeksioneve spitalore, dhe përdorimin e mjeteve të mbrojtjes personale. Edhe ky vlerësim duhet të rishikohet pas 10 ditëve. Në lidhje me masat parandaluese, sikundër e theksuam edhe më lart, kujdesi ndaj higjienës është vendimtar në parandalimin e përhapjes së këtij virusi. Ndaj rekomandohet që të shmangni kontaktet e afërta me njerëz të cilët kanë kollë dhe temperature, të pastroni duart sa më shpesh duke përdorur peceta me alkool ose ujë me sapun, si dhe të shmangni prekjen e syve, hundës apo të gojës. Kujdes duhet të tregoni edhe me higjienën e gatimit të ushqimeve, veçanërisht produkteve të mishit.
OBSH: Ja rastet e konfirmuara për çdo shtet deri në 27 janar:
Shteti Nr i rasteve te konfirmuara
Kina 2761
Japoni 4
Republika e Koresë 4
Vietnam 2
Singapor 4
Australi 4
Malajzi 4
Tajlandë 5
Nepal 1
SHBA 5
Kanada 1
Franca 3
Total 2798
Si mund të mbrohemi nga koronavirusi?
- Lani shpesh duart me ujë dhe sapun ose pastrojini ato duke i fërkuar me pastrues me bazë alkooli.
- Kur kolliteni apo teshtini, mbuloni gojën dhe hundën me gropëzën e bërrylit ose shami letre. Hidheni menjëherë shaminë e letrës në koshin e plehrave dhe pastaj lani duart.
- Mënjanoni kontaktet e ngushta me këdo që ka temperaturë dhe kollë.
- Paraqituni tek mjeku nëse keni kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje dhe raportoni historinë e udhëtimeve nëse keni udhëtuar kohët e fundit.
- Mënjanoni kontaktet me tregjet e kafshëve të gjalla në zonat që kanë koronavirus dhe parandaloni kontaktet e pambrojtura me kafshë të gjalla apo sipërfaqe që kanë qenë në kontakt me kafshët.
- Mënjanoni konsumin e produkteve të mishit të pagatuara apo gatuara jo shumë. Mishi, qumështi i papërpunuar apo organet e kafshëve duhet të trajtohen me kujdes, duke përdorur mjete mbrojtëse në mënyrë që të mënjanohet kontaminimi.
- Udhëtarët që kanë patur kontakte me raste të konfirmuara apo ekspozim direkt ndaj një burimi të mundshëm të infeksionit duhet të vendosen në observim mjekësor. Kontaktet me rrezik të lartë duhet të mënjanojnë udhëtimet për periudhën e inkubacionit deri në 14 ditë.
