Partia Socialiste ka nderuar 17 Nëntorin, ditën historike të Çlirimit të Tiranës nga pushtimi nazifashist. Kryetari i PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri, deputetët e kësaj partie Eglantina Gjermeni, Vasilika Hysi, Fatmir Xhafaj, Ilir Gjoni e Eduard Shalsi, si dhe drejtues socialistë të pushtetit vendor kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar sot paradite, pranë monumenti të Partizanit të Panjohur. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë vendosur kurora me lule si dhe kanë bërë homazhe pranë monumentin, i cili simbolizon fitoren e bijve dhe bijave më të mirë të këtij populli ndaj bishës nazifashiste dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Më pas në emër të PS-së ka përshëndetur ceremoninë përkujtimore, Aldrin Dalipi, kryetar i grupit të Këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Në fjalën e tij ai ka theksuar: “17 Nëntori është një ditë e madhe, një ditë historike, një nga momentet kur secili prej nesh qytetarë, të rinj, të moshuar, të gjithë brezat reflektojnë mbi të shkuarën dhe të ardhmen mbi përpjekjet dhe sakrificat njerëzore deri në humbjen e jetës në emër të një kauze të madhe, në emër të mbrojtjes të çdo centimetri të territorit shqiptar kundër një prej diktaturave më të egra pushtuese në botë, nazifashizmit”. Sipas Dalipit “diktaturat dhe diktatorët shfaqen kudo të njëjtë. Ata jetojnë mes vrasjeve, shkaktimit të dhimbjes, përçarjes mes popujve, kulturave dhe punojnë përherë kundër demokracisë dhe lirisë”.
17 Nëntori është një vlerë e lartësuar jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë përpjekjet europiane dhe botërore në aleancë kundër diktaturës. Tirana do të mbetet në histori si kryeqyteti i çliruar nga pushtimi i diktaturës nazifashiste nga vetë djemtë dhe vajzat shqiptare të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilët u mbështetën nga familjet tiranase, duke marrë vlerësimin e forcave aleate, SHBA, Britani e Madhe e më tej.
Po sot deputetët e Partisë Socialiste, Artan Gaçi e Xhemal Qefalia kanë marrë pjesë në një tjetër ceremoni përkujtimore të zhvilluar në qytetin e Vorës. Edhe ky qytet është çliruar nga partizanët shqiptarë në të njëjtën ditë me kryeqytetin Tiranë.
Më poshtë fjala e Kreut të Këshilltarëve të Majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi:
17 Nëntori është një ditë e madhe, një ditë historike, një nga momentet kur secili prej nesh qytetarë, të rinj, të moshuar, të gjithë brezat reflektojnë mbi të shkuarën dhe të ardhmen mbi përpjekjet dhe sakrificat njerëzore deri në humbjen e jetës në emër të një kauze të madhe, në emër të mbrojtjes të çdo centimetri të territorit shqiptar kundër një prej diktaturave më të egra pushtuese në botë, nazifashizmit.
Diktaturat dhe diktatorët shfaqen kudo të njëjtë. Ata jetojnë mes vrasjeve, shkaktimit të dhimbjes, përçarjes mes popujve, kulturave dhe punojnë përherë kundër demokracisë dhe lirisë.
17 Nëntori është vlerë e lartësuar jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë përpjekjet europiane dhe botërore në aleancë kundër diktaturës hitleriane. Tirana do të ngelej në histori si kryeqyteti i çliruar nga pushtimi i diktaturës nazifashiste nga vetë djemtë dhe vajzat shqiptare të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilët u mbështetën nga familjet tiranase, duke marrë vlerësimin e forcave aleate, SHBA, Britani e Madhe e më tej.
Vlerat e demokracisë dhe lirisë kanë qenë dhe janë përherë burimi i frymëzimit, ndaj sot nderimi më i veçantë shkon për dëshmorët që dhanë jetën për të mbrojtur dhe çliruar flamurin dhe Shqipërinë, për të rinjtë dhe të rejat që dhanë jetën në betejën nëpër rrugët e rrugicat e Tiranës, ato ditë të përpjekjeve titanike për çlirimin e kryeqytetit.
Të dashur miq, kudo në botën demokratike ngjarje të tilla janë një moment reflektimi, paqeje dhe bashkimi duke kujtuar sakrificën e luftëtarëve e të rënëve. Ndërsa në Shqipëri hijet e së kaluarës ekstremiste kërkojnë me çdo çmim të sjellin konflikte historike e politike, kaos dhe paaftësi shtetarësh, madje edhe sot në 17 nëntorin, ditën e kujtesës dhe fitores. Ne jemi se bashku në rrugën e historisë përballë kujtdo dje apo sot, që u endën apo vazhdojnë të enden mes pazareve duke shitur interesat kombëtare. Koha i ka gjykuar dhe do t’i gjykojë.
Por, emrat e dëshmorëve Hodo Bashellari, Ludovik Shllaku, Vangjel Capo, Idriz Dollaku, Hasim Zagori, Osman Alibali, Stefan Pano, Estref Demollari, PAndeli Nashi, Shaqir Xhaxho, Ferit Alija, Ramazan Shijaku, Grigor Heba e dhjetëra e dhjetëra të tjerë të rënë në betejën e çlirimit të Tiranës i bëjnë nder kombit, atdheut, shqiptarisë në këtë 100 vjetor të pavarësisë të vendit amë.
Dëshmorët dhe luftëtarët i bëjnë nder kombit se ishin dhe do mbeten në anën e duhur të historisë dhe 17 Nëntori është një ditë e fortë në anën e duhur të historisë së Shqipërisë si dita e madhe e çlirimit të Tiranës.
Mirënjohje përjetë luftëtarëve të lirisë.