Ndërrimi i degës së studimeve, 10 shtatori afati i fundit

redaktor

Data 10 shtator listohet si afati i fundit, i vënë në dispozicion të studentëve që duan të ndërrojnë degën e studimeve të larta brenda fakulteteve publike në Universitetin e Tiranës. Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, pas kësaj date asnjë kandidat nuk do të mund të aplikojë për të ndryshuar degën e studimeve universitare. Kjo pasi në këtë kohë, komisioni i ekspertëve do të verifikojë një e nga një të gjitha dosjet e aplikimeve të bëra, për të parë se cilat prej tyre plotësojnë kriteret për të ndryshuar degën e studimeve. Sipas procedurës së përcaktuar, të rinjtë që vijojnë studimet e larta në një nga fakultetet e Universitetit të Tiranës, kanë mundësi që të ndryshojnë degën e tyre, duke i transferuar kreditet e fituara në një degë tjetër nga ajo në të cilën kanë përfunduar ndjekjen e vitit akademik gjatë 2012-2013-ës. Por, me kushtin e vetëm që programet studimore të degës në të cilën kërkon të shkojë të jenë të ngjashme me ato të frekuentuara më parë, (duhet që programet përshtaten brenda ciklit që ata kanë nisur). Procesi i aplikimeve për ndërrimin e degës së studimeve ose dhe për transferimin e studimeve në një nga fakultetet e këtij universiteti fillon më datën 27 gusht dhe do të vijojë deri më 10 shtator. Konkurrimi kryhet me anë të dosjes, në të cilën aplikuesi duhet të dorëzojë një sërë dokumentesh të kërkuara nga Rektorati i Universitetit të Tiranës. Konkretisht, në listën e dokumentacionit të kërkuar duhet të bëjnë pjesë një kopje e noterizuar e diplomës së shkollës së mesme, fotokopje e kartës së identitetit, si dhe një mandate arkëtimi për tarifën e aplikimit. Në zbatim të ligjit të arsimit të lartë, Universiteti i Tiranës nuk pranon dhe nuk shqyrton aplikime për ndërrim degësh apo transferim studimesh nga programe studime të ciklit të parë, që zgjasin më pak se 3-vite studimi. Ndryshimi i degës së studimeve cilësohet si një ndër kërkesat më të shpeshta që bëhet nga të rinjtë që pasi mbarojnë vitin e parë në një degë të caktuar kërkojnë që ta ndryshojnë atë, pasi nuk e gjejnë veten aty. Gara për të fituar këtë të drejtë është shumë e ashpër dhe shkak për këtë bëhet fluksi i lartë i kërkesave përballë numrit të kufizuar të kuotave të pranimit që aprovohen për secilin nga programet studimore universitare që ofron një praktikë të tillë.

 

Notat e provimeve të maturës kusht edhe për studimet në privat

Për të vijuar studimet e larta në një nga universitetet private, maturantët duhet të kenë marrë nota kaluese në provimet me zgjedhje dhe ato të detyruara të maturës shtetërore. Autoritetet arsimore konfirmojnë se maturantët, nëse nuk kalojnë provën e provimeve me zgjedhje krahas atyre të detyruara, nuk e kanë mbaruar shkollën e mesme e për rrjedhojë nuk do të lejohen të vijojnë procedurën për ndjekjen e studimeve të larta. Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se për pranimet në strukturat private të arsimit të lartë vë në dukje se kriteri kryesor do të jetë përfundimi i të gjitha provimeve të maturës shtetërore. Ky kusht do të jetë i njëjtë edhe për ata që kanë mbaruar në vitet e kaluara shkollën e mesme. Në këto kushte kandidatët që janë pajisur me Dëftesë pjekurie për të vijuar studimet e larta në këto institucione duhet të përmbushin kushtin që bashkë me Dëftesën e Pjekurisë duhet të kenë edhe një certifikatë që jepet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve për vlefshmërinë e provimeve me zgjedhje që ata kanë dhënë në provimet e Maturës Shtetërore. Sezoni i vjeshtës është një tjetër afat që kanë maturantët mbetës apo dhe kandidatët e tjerë për të shlyer detyrimet sa u takon provimeve me zgjedhje. Vetëm më pas mund t’i nënshtrohen procedurave të regjistrimit për të vijuar studimet e larta në një nga fakultetet private që operojnë në vendin tonë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *