Për Skënderin…

anazapta

As unë nuk e dij se si këtu në një cep të ShBA, sot u ngrita më herët se zakonisht dhe, më e pabesueshme akoma, hapa kompiuterin pa ndonje shtysë të vecantë. Pashë për emailet. Më goditi një ngushëllim Ma dërgonte ime mbesë, Ejona. Lajm i dhimbshëm: Sallaku i ndarë nga jeta! E prisja. Gjithë këto ditë kam qenë i lidhur me të shoqen, Vitoren dhe me të bijën Denisën. Ato nuk kishin fare besim se ai do t’ia dilte në përpjekjen e madhe. Dhe ja, e pritura e dhimbshme, ndodhi.

Nuk kishin kaluar vecse dyzetetë ore nga  urimet që i shprehëm për ditlindjen e tij të shtatëdhjetenëntë. Nuk kishin kaluar vecse një muaj nga dreka që hëngrëm bashkë në ditën që në Fier u zbulua memoriali i Kujtim Spahivoglit, njërit nga miqtë e tij më të mirë. Shtrimi papritur në spital, dy ndërhyrjet kirurgjikale, njëra pas tjetrës…

Në ditën e lindjes unë dhe ime shoqe Xhuli, folëm gjatë me ciifin Sallaku ne telefon. Folëm bile edhe për organizimin pas një viti të 80 vjetorit. Unë i premtova se përgatitjet do t’i fillonim që këto ditë. I premtova se “do t’i piqnim hutat” me Bujar Kapexhiun dhe do ta bënim atë një festë të madhe… Po, ja, nuk qe e thënë që t’ia arrinim asaj dite!

Dhe tani, këtu, në një cep të Floridës, kur mëngjesi nuk ka feksur ende, unë përgatitem t’i telefonoj Vitores. Jam si i mpakur, si në një dhimbje të pa provuar edhepse shumë vdekje njerëzish të afërt më kanë goditur gjatë gjithë jetës. Në këto ditë të para të këtij shkurti të zi, na vdiqën shumë artistë të vyer, me të cilët kam patur nderin të punoja tok. Kemi festuar tok, kemi qeshur e kemi harxhuar ditë e netë duke u kujdesur për repertoret, dekoret, dritat….

Të qoftë dheu i lehtë Skënder Sallaku! Të prehesh në paqe!

Dihet që unë kam shkruar një libër të posacëm, me figurën e Sallakut në qendër. Dhe këto ditë, një trokitje e cuditshme në kujtesë, më përmendi ta publikoj në facebook ca nga ca, kapitull pas kapitulli. Si të më kishin përmendur hyjnitë! Kanë kaluar 12 vjet nga botimi… Por shumë vetë dukej se e lexonin për herë të parë. Bëra mirë që iu binda asaj parandjenje të fshehur.

Dhe për gazetën vendosa të sjell pikërisht një fragment nga libri. Me dëshirën, me lutjen ndaj Zotit, që këtë artist të rrallë ta marrë nën kujdesin e tij të madherishem. Artisti ynë e meriton!…

DINOSAURËT

Në vitin 1994 në Moskë vdiq në një moshë të madhe komiku i njohur Jurij Nikulin dhe Nju Jork Tajmsi i pat kushtuar kësaj ngjarje dy faqe të tëra gazete me shënime biografike dhe fotografi.

Mediat ruse, kuptohet me vdekjen e tij u morën ditë me radhë.

Në reportazhin e të dërguarit të posaçëm të Tajmsit, thuhej se Nikulini ishte një komik mjaft popullor, humorin e të cilit popujt e Bashkimit Sovjetik ishin mësuar ta kishin si bukë të përditëshme gjatë gjithë periudhës së rëndë komuniste dhe për këtë aktori gëzonte një famë të jashtzakonëshme. Ai tregonte anekdota të hidhura që Brezhnjevi me shokë nuk i gëlltisnin dot dhe Tajmsi rikujtonte një tufë nga ato, ndër të cilat unë zgjodha një frazë të tij, thënë pikërisht gjatë ndrydhjes brezhnjeviane:

Ne kemi komunistë të ndershëm që i paguajnë kuotizacionet partisë, jo vetëm nga përqindjet e rrogës, por edhe nga përqindjet e rushfeteve që marrin! Të tillë i do komunistët partia jonë!”

Shikoja arkivolin e komikut që, pas erës së re në Rusi, mbante postin e drejtorit të Cirkut të Moskës. Trupin ia kishin vendosur mbi një shtrat topi dhe ai shoqërohej nga ushtarakë me uniformat e paradës. Prapa topit, në krye të kortezhit çapitej Presidenti rus Boris Jelcin dhe pas tij një turmë e madhe pafund, dyqind, treqindmijë a ndofta më shumë njerëz që qanin me dhimbje ndarjen nga komiku i dashur. Një bllok me tri foto paraqiste grupe vajtuesish me fytyra të përlotura që shpinin drejt varrezave atë më të cilin lidheshin gëzimet e një epoke të tërë. Rusë të thjeshtë i patën treguar gazetarit amerikan, se artisti ishte e vetmja pikë takimi e vazhdueshme që miliona banorë të kontinentit sovjetik mbanin me misionin shoqëror të artit në një vend ku mediat ishin të superkontrolluara dhe kur gjinitë e tjera të artit në mos kufizoheshin duke shfaqur thjesht art të pastër, si muzika, apo baleti, vuanin pezullime të bujshme siç ndodhte tepër rrallë me poezinë, narrativën dhe filmin.

Rusë të ndryshëm që pyeta më pas në Nju Jork, më bindën më shumë për paralelin që mund të hiqet midis artistit tonë dhe Nikulinit. Këta lloj artistë të gjithanshëm ishin bij të një periudhe historike të trazuar, të cilën ata e jetuan si qytetarë të thjeshtë të vendeve me jetë të vështirë, si artistë të klasit të parë që punuan e rrezikuan shumë, si antarë të asaj partie që ishte ironikisht vetë farkëtarja e dhunës e shtypjes dhe e gjithë pasojave që vinin pas.

Të udhëhequr nga ideale demokratike e të vetëdijshëm për rolin e bukur që u takonte edhe jashtë dritave të skenës, këta artistë e bënë jetën e tyre dhe të bashkëkohësve të tyre më pak të hidhur nga sa e nxjerrin llogaritë e të gjithë treguesave të kohës.

Theksoj afërsinë e të dyve, pasi shumë të ngjashme ishin kushtet, miqtë dhe armiqtë e tyre. Edhe valët artistike që u dhanë jetë dhe i mbajtën mbi kreshtat e veta, ishin të njëjta. Ata ishin artistë të një kalibri të veçantë me vlera shumëpalëshe: mendimtarë, kllounë, aktorë të komedisë së shkurtër dinamike që është më afër popullit të shtresuar poshtë. Lloji i veçantë i këtyre komikëve ngjan me një specie që tani jep shënja se po shuhet, ashtu siç janë shuar dinosaurët. Tani kolegët e tyre 40- 50 vjet më të rinj as që kanë ndërmend t’u kacavirren litarëve të arenave dhe bile as që duan të vënë fijen më të vogël të pudrës në fytyrën e tyre. Shumica e këtyre tani ngrihen nga salla marrin një mikrofon në dorë dhe jo pa hir dhe elegancë, marrin e trajtojnë lajmet e kronikave duke ngacmuar modën, personat më publikë të kohës, presidentët, kryeministrat e shefat e policive sekrete duke mos e vënë fare në dyshim se pas mbarimit të shfaqjes, do të arrijnë shëndoshë e mirë në shtratin e tyre të përnatshëm. Shumë prej këtyre nënëqeshin me ironi kur i hedhin një sy repertorit zyrtar të dinosaurëve tanë, duke mos e vrarë mendjen se si jetuan edhe sidomos se qysh mbijetuan.

Përse vallë diktatura, në vend që këta lloj artistësh t’i godiste, i ruajti i afroi dhe u përpoq t’ua shuante shkëndijat kryengritëse, duke i bërë anëtarë të partisë e duke i graduar në strukturat e gjinisë?

Rritja e popullaritetit u solli atyre vetvetiu më shumë imunitet, paçka se imuniteti nën diktaturë nuk ka patur kurrë vlera plotësisht të qëndrueshme. Kështu që digën e parë mbrojtëse, artistë të tillë e ngrinin me përsosjen e vlerave të tyre të jashtëzakonëshme. Nga ana tjetër, imazhi i një partie të mbyllur e jo gjithpopullore, fitonte mjaft kredi, në rast se në radhët e saj ajo regjistronte dhe figura të dashura popullore, njerëz me vlera të fushave të ndryshme të shkencës, letërsisë dhe artit. Këta, natyrisht, në jetën politike ishin më të papërshtatshëm se militantët fshatarë e puntorë që ofronin cilësinë më të lartë që i lypsej një partie komuniste staliniane: bindjen. Por sidoqoftë ofronin përfitime të tjera, jo pa rëndësi. Edhe sot emrat e artistëve i bëjnë nder partive, prandaj ende ata lajkatohen, mbahen afër, futen në lista kandidatësh parlamentarë, pa vrarë shumë mendjen nëse ia thonë apo nuk ia thonë dot artistët në atë mejdan. Ata mobilizohen në koncerte elektorale të fryrë duke llogaritur se zgjedhësit do të tërhiqen më shumë nga bukuria e këngëve dhe eleganca e humorit se sa nga programi i partisë, kështu që partia arrin të budallallepsë votuesit dhe artistët bashkë me ta. Edhe kjo nuk është një shpikje vëndase. Kjo edhe në Perëndim nuk është e përbuzur.

Vetë afrimi i Skënder Sallakut në rreshtat e Partisë së Punës pra, ishte një plus i madh propagandistik, i cili fliste pa qënë nevoja të komentohej.

Sallakun nuk e adhuronte më pak edhe pala që cilësohej reaksionare. Në radhët e goditjeve të panumërta që pësonte kjo shtresë e gjerë, dukej sikur merrte edhe një më tepër kur të shihte që beniamini i tyre u kthente krahët dhe radhitej në një formacion politik të cilin ata e urrenin. Veçse këta lloj reaksionarësh kishin kohë që nuk i shikonin më në mënyrë aq kritike miqtë, kushurinjtë apo idhujt e tyre që hynin në parti për njëmijë e një nevoja të vogla e të mëdha dhe që ishin të shpjegueshme. Shqetësimi i tyre i vetëm ishte ndryshimi cilësor i marrëdhënies së komunistëve të rinj me ta, që në të shumtat e rasteve përkeqësohej.

Por nuk ndryshoi aspak marrëdhënia e Skënder Sallakut me simpatizantët e tij të të gjitha shtresave. Ai vazhdonte të ishte artist po aq i dashur, po aq i këndshëm, po aq i befasishëm në prurjet e reja.

E mbi të gjitha, edhe pas muajit të parë edhe pas vitit të parë edhe në vitet në vazhdim, kurrë nuk ndryshoi ajo parathënia pëshpëritëse “e dini të fundit që ka nxjerrë Sallaku?”,  në prag të dëgjimit të një anekdote kundër parties, të asja partie, ku ai kishte futur këmbët dhe sidomos kokën.

 

Nga Ministria e Brendshme doli një komision nëpër rrethe për të parë ngritjen arsimore të forcave të policisë. U ndalën në një qytet dhe filluan nga testimet. Thirrën policin e parë.

–  Sa bëjnë dy edhe dy? – e pyetën.

–  Tri! – u përgjegj polici.

–  Pa mendohu mirë… – i thanë ata të komisionit.

–  Pesë! – ia ktheu polici.

–  Mendohu përsëri!

–  Katër!

–  Je i sigurtë tani?

–  Shtatë! – tha polici.

–  Mirë, mund të largohesh, – i dhanë lejë të dalë nga salla e provimit.

Pasi doli polici, antarët e komisionit vendosën ta mbajnë në shërbim dhe shkruan në procesverbal: “ Pa shkollë, por përpiqet dhe e kërkon zgjidhjen me këmbëngulje. Të mbahet”

     Futën brënda policin e dytë.

–   Sa bëjnë dy edhe dy?

–   Pesë!  – ia bëri polici pa i u dridhur qerpiku.

–   Pa mendohu edhe një herë!

–   Pesë!  – nuk tundej nga e tija polici.

–   Sikur të mendohesh edhe një herë…

–   Pesë! – i a bëri polici i dytë më i sigurt se kurrë.

–   Mund të dalësh! – i thanë.

      Me të dalë polici, komisioni dha përshtypjet dhe në procesverbal u shkrua: “Nuk i duken shënja shkolle gjëkundi, por ngjan si shkëmb i patundur. Të mbahet”

    Thirrën të tretin.

–   Sa bëjnë dy edhe dy?

–   Katër, – u përgjegj qetë polici.

–   Mendohu edhe një herë!

–   Katër! – tha polici i sigurtë.

–   Mos e ke gabim?

–   Aspak! – tha polici. – Katër!

Antarët e komisionit e nxorën kandidatin dhe në procesverbal shkruan: “I mprehtë. T’i kontrollohet biografia. Me të tilla përgjigje të sakta, po na krijohet bindja se në forcat e policisë ka depertime nga bij reaksionarësh!”

    

            Pas kësaj barzelete askush nga pinjollët e familjeve të përmbysura nuk do të derdhte lot për regjistrimin e komikut të dashur në listat e komunistëve.

Sallaku për gjithkënd ishte gozhda më e kollajtë ku mund të varej origjina dhe përhapja e këtyre gazmoreve të hidhura. Citimi i çdo burimi tjetër ishte më i rrezikshëm pasi e asgjësonte vetë burimin. Nuk mund të pranohej përshembull, që njerëzit të ndërronin pyetjen parathënëse “e dini këtë të fundit që ka thënë Sallaku” me një të re, si fjala vjen, “ e dini këtë të fundit që ka thënë i biri i aksh antikomunisti të pushkatuar”. Këta bij të fundit edhe pa nxjerrë nga kallami flluska të këtij lloji, kishin mbushur burgjet. Në burgje ndodheshin njerëz që kishin bërë një pyetje pa të keq. Një kooperativist nga Devolli ra në burg edhe i kërkohej llogari se përse ai vështronte aq shpesh nga ana e kufirit(!). Të tillë kandidatë burgjesh nuk kishin aq shumë nevojë për të bërë ndonjë faj, pasi në vëndin tonë lavdimadh, ata ishin fajtorë ende pa lindur akoma.

Kështu që tek e fundit të gjithë kishin përfitim nga forcimi i pozitave të Skënder Sallakut. Përse nuk u burgos ai? Përse nuk u prangos edhe kur vetë Kadri Hazbiu e pa tek me ashk e vullnet të plotë, në një tryezë me të, nxirte nga goja të vërteta aq të hidhura që të merrnin brinjë më brinjë? Kaq kavaljer dhe burrë i besës ishte ministri i Sigurimit me Skënder Sallakun, kur më parë e më pas kish marrë vetë në pyetje dhe kish çuar në pushkatim shokë të luftës partizane, që dikur i patën shpëtuar jetën! (Vetë Hazbiu e dinte i pari se këta shokë lufte ishin të pafajshëm). Përse pra nuk i hodhi hekurat Sallakut e t’i jepte një shtrëngim nofullash atyre që pëshpëritnin humorin e zi?

Arsyeja ishte e thjeshtë: humori i zi ishte një fenomen i gjerë e i përhapur i gjithë Evropës Lindore e i gjithë diktaturave në histori dhe ky fenomen nuk do të asgjësohej aspak me asgjësimin e Sallakut. Epidemia e tregimit të anekdotave ishte aq e përhapur dhe ishte më tepër pasojë se shkak, siç është hija pasojë e diellit. Të deshe të mbyllje gojërat e popullit ishte njësoj si të luftoje me mullinjtë e erës. Për hir të kësaj fushate duhej të burgosje tre të katërtat e popullsisë shkodrane. Skënderi ish një individ i shquar, por ai kurrë nuk mund të krahasohej me një komunitet të tërë si Shkodra, e cila ngjante si një kolegjum i zi repertori, që u dërgonte drithë në mokra artistëve të saj të zinj.

Në se lemë mënjanë hesapet “ta puthim a ta kafshojmë” që bënte partia për Sallakun, duhet të kemi parasysh që talenti i vërtetë sa më shumë rritet aq më shumë gjeneron njerëz që urojnë theqafjen e tij. Këtu ne mund të përfshijmë ndonjë koleg ziliqar të llojit të tij, si edhe gjithata që nuk kishin të bënin me artin e Skënderit, por që bezdiseshin nga lehtësia dhe guximi me të cilin ai vinte gishtin mbi plagët e shumta. Zakonisht guximtarët e rallë janë të urrejtshëm, pasi ata të pacipë e venë më në dukje frikën e të tjerëve të cilët sikur urojnë që guximtari ta pësojë sa më shpejt, që vetë të duken të mënçur e praktikë dhe jo vetëm frikacakë.

Dashuria e përgjithëshme popullore që e rrethonte Sallakun bënte që denoncimet ndaj tij të ishin gati në nivelin e zeros. Një dashuri kaq e përgjithëshme ishte e përpjetë e madhe për ata që mund të deshin t’i bënin keq. Por mos harrojmë se nga ana tjetër e barrikadës, dashuri ndaj tij kishte edhe në njerëzit që mbanin në këmbë mekanizmat represive, si sigurimsa, hetues dhe policë, të cilët sa nuk kishin marrë ende një urdhër në dëm të idhullit të tyre, u vinte më për mbarë plogështia. Në jetën e tyre të zymtë ai lëshonte rrjedha drite dhe gëzimi si për ata vetë ashtu edhe për fëmijët e pleqtë e tyre.

Shkeputur nga libri “Skender Sallaku, ose, si qeshnim nen diktature”

Share This Article
16 Comments
  • Muajt janar shkurt te ketij viti, paskan qene muajt e zise, muaj qe moren figura te ndritura te artit tone.
    Ngushellime familjes dhe miqve te humoristit te madh Skender Sallaku.

  • Vazhdimisht na ke bere te qeshim edhe kur ishim teper te zymt dhe ne halle.Kush ka ate fuqi te ndryshoje gjendjen shpirterore keshtu, pervec humorit te popaster shqiptar nga aktori shume origjinal shqiptar qe ka mberije majat e humorut edhe jashte kombit tone.
    Ngushllime familjes, miqeve dhe farefisit te Tij,Ngushllime gjithe artisteve shqiptare dhe shqiptareve ne pergjithesi,Nga sot zymtesia do qendroje me gjate ne ne.

  • Fillimisht ngushelloj te gjithe familjaret dhe koleget.

    Skender Sallaku ka qene pjese e jetes sone dhe ne nje fare menyre bashke me artiste te tjere si dhe vacja dhe qindra perla te tjera te kultures dhe sportit na kane dhuruar kenaqsi shpirterore vlera e te cilave eshte ne infinit.

    Kam qene dhe jam perkrahes i Edi Rames jo per merite te tij por ngaqe jam kunder drakules Berishe dhe do ti jepja nje keshille:

    MOS I POLITIZO CEREMONITE MORTORE

    Kohet e zymta qe thua zotrote dhe ajo situate bardhe e zi qe the ne ceremonine e Vaces nuk te nderojne sepse ju me berishen,topin,topallin,islamin e qindra te tjere pardesybardhe apo xhupezinj kane qene kohe te arta se hanin buken e lepurushit te xhaxhit dhe ti i nderuar qe 22 vjec ke ikur jashte shtetit disa here edhe pse ishit nje baskebollist apo piktor ordiner.

    Kohe akoma me te zymta po shohim sot me ate rini te droguar,me kallashe ne duar,duke u vrare njerzit cdo dite si ne buletine lufte.Shikoni kete kohe kolere tuajen te Nanos dhe Saliut qe e keni kthyer ne Kolumbi.Shiko banden 2B qe po te zhgrryen perseri edhe pse je k/mininster dhe ke parlamentin ne dore.

    Mos u fshih neper ceremoni varrimi po jepi drejtim atij vendi se po te kapin prej leckash naziskinet e Berishajve dhe po te cojne ti besh shoqeri dhe Skender Sallakut.

    Kur nuk prapanice te rregullosh kete gjendje perverse lere rehat ate kohe te zymte se po na duket mjalte me monstrat e Tiranes sot.

    Rest in peace i paharrur Skender !

  • ORE KY RAMA DO SHPREHET I PARI PER NGUSHELLIME NE KETO RASTE,

    PO A KA KETU KOMUNITET ARTISTESH, KOLEGE SHOKE, ATYRE JU DHIMBSET ME SHUME ARTISTI EDHE SEPSE KANE KUJTIMET E JETES ME NJERI TJETRIN E PASTAJ TE FLASIN POLITIKANET.

    TURP TE HOMAZHET E VACES NUK NGELI POLITIKAN SURRATPALARE PA VAJTUR.

  • Ngushellime te sinqerta familjes e te afermeve! Ngushellime Botes se Artit dhe Kultures Shqipetare per hymbjen e ikones se humorit shqiptar! Ai na beri te qeshim dikur ne shoqerine tone kolektive, por, edhe tani, ne keto kohe te zymta te shekullit te ri, permes publikimeve ne You Tube apo CD e kaseta e kemi ndjekur inventarin e tij humoristik te paperseritshem duke na rivene buzen ne gaz. Dikur, kur prodhohej humori me bollek, ekrani i televizorit ishte bardhe e zi, por jeta ishte e ngjyrosur sepse kishte dashuri, respekt, solidaritet, garanci; sot ekrani eshte vertet me ngjyre, por jeta bardhe e zi gjithandej, mbushur me kronika e te bertitura, pa siguri e shprese, pak ose aspak humor, ka detyruar shqiptaret te shtegtojne andej e ketej, larg Shqiperise per te gjetur ngjyren e jetes. Biles edhe krijuesit e humorit, si i respektuari Pellumb Kulla qe boton shkrimin e mesiperm, biles edhe…mijera e mijera.
    Jeta ka ligjet e veta dialektike, te gjithe do ndahim nga kjo jete, por ikja nje e nga nje e asaj plejade te shkelqyer artistesh yje brenda pak kohe na godet e dhemb shume. Ata ishin dhe do mbeten shkendi ne zemrat tona! U prefte ne perjetesi artisti i popullit Skender Sallaku!

    Me respekt: Fatos Luta.

  • Ca barcaleta nga Regani, si ai humori i zi i S. Sallakut.

    – E dini se duhet te presesh 10 vjet per te blere nje makine ne BS. Proces shume i gjate, e parate paguhen ne advance. Dikush shkon tek zyra, e i thone:
    – Hajde pas 10 vjetesh.
    – Ne mengjes apo pasdite?
    – Po c’te prish pune pas 10 vjetesh? i thote nepunesi.
    – Dua ta di se pas 10 vjetesh, hidrauliku vjen ne mengjes.

    Nje Amerikan e nje Rus, Amerikani thote:

    – Ne cdo moment une mund te shkoj tek Presidenti Regan, perplas doren ne tavoline dhe i them: z President s’me pelqen menyra si qeveris.
    Kjo eshte e lehte ja kthen Rusi,
    – Dhe une shkoj tek zyra e Gorbacovit, perplas doren ne tavoline dhe i them sh. Sekretar mua s’me pelqen menyra si Presidenti Regan qeveris!

    3 qente. Amerikan, Polak dhe Rus. Amerikani thote, ne vendin tim po te lehesh dikush vjen e te ushqen me mish.
    – C’eshte mishi? pyet qeni Polak.
    – C’eshte e lehura? pyet Rusi.

  • Skender Sallaku ishte nje artist ne skenen e humorit,ka mbajtur gjalle te madh e te vogel me humorin e tij. Na erdhi shume keq per vdekjen e tij.
    Ngushellime Familjes.

  • E para: kompjuteri ndizet e nuk hapet se nuk eshte valixhe;
    E dyta nje ceremoni si ne krahasimet apo deshirat e ketij zoterise
    Skenderit mund tia bente vetem partia e punes se ciles ai i
    sherbeu si sekretar dhe si i tille matematikisht do kete
    qene edhe spiun;
    E treta flisni per Skenderin sikur ai ti te njejtin tirazh si tjetri, po ashtu edhe formatin keshtu nr i faqeve mund te shkoje qameti 125
    vete batutat
    apo skecet, per to kane merita te tjere. Ok?

  • E para: kompjuteri ndizet e nuk hapet
    se nuk eshte valixhe;
    E dyta nje ceremoni si ne krahasimet apo
    deshirat e ketij zoterise
    Skenderit mund tia bente vetem partia e
    punes se ciles ai i sherbeu si sekretar dhe
    si i tille matematikisht do kete qene edhe spiun;
    E treta flisni per Skenderin sikur ai ti shkruante
    vete batutat apo skecet, per to kane merita te tjere. Ok?

  • Në art qenë ikona

    Duhet të vazhdojë
    Kjo poezi homazh
    Për njerëzit e ndritur,
    Dhe për ç’lanë pas
    Hikën katër diva
    Në art qenë ikona
    Si perla mbi tortë,
    Për tërë viset tona
    Trishtim na ka sjell
    Ndarja në zëmrat tona
    Ishin në kujtesë
    Si rrënjë atje thellë
    Për artin e tyre
    Për shijen e mbjellë
    Ja Laver Bariu
    Mjeshtër i klarinës
    Qe legjend e gjallë
    Me muzik si stinët
    Por nuk shkojë gjatë
    Të ndrrojë jetë
    Një tjetër kollos
    Mjeshtër i vërtetë
    Në hark Virtuoz,
    Në violinë qe ikonë
    Ibrahim madhi,
    I madhi gjithmonë
    Ka nis ters ky vit
    Për tërë artin tonë
    Po na mer ikona
    Nga arti violina
    Nga kënga e lehtë
    Mori kanarina
    Ja dhe Vaçe Zela
    Ka nërruar jetë
    Duke lënë këtu,
    Thesare të vërtetë
    Të gjithë për artin,
    Punuan një jetë
    Shkrim më të vështirë
    S’kam shkruar kurrë
    Por ky amanet
    Duhej lën dikurë
    Ja Skënder Sallaku
    Që bëri epokë
    Të bënte të qeshje
    Dhe t’ishe nën tokë
    U prefshi në paqe,
    Veç trupin keni marë
    Për veprat legjenda,
    Ne s’kemi të larë

    Poezi nga Bujar Kardashi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *