Ndërron jetë James Gandolfini, aktori protagonist në serialin “Sopranot”

anazapta

Aktori amerikan James Gandolfini, i njohur në Shqipëri për rolin e tij në serialin “Sopranot” ka ndërruar jetë dje në moshën 51 vjeçare. Aktori që i dha jetë bosit të mafias, Tony Soprano, ka vdekur nga një atak i papritur kardiak, ndërsa ndodhej në Itali me pushime së bashku me të birin.

Gandolfini luajti në serialin “Sopranot” në të gjitha seritë që u shfaqën gjatë viteve 1999-2007. Ai ka fituar tri çmime Emmy Awards për rolin kryesor në këtë film, atë të mafiozit të dhunshëm me shumë dilema, për të cilat i nënshtrohet në mënyrë sekrete një trajtimi psikologjik.

Karriera e tij nisi në vitin 1992 në New Jersey, ku luajti për herë të parë në filmin “Një rrugë e quajtur dëshirë”, ndërsa një vit më pas i bë shumë i suksesshëm për rolin e tij në “Romancë e vërtetë”.

Ka luajtur përkrah Robert Redford në “Kështjella e fundit” dhe në filmin “Të gjithë njerëzit e mbretit” me Sean Penn. Vitin e shkuar, Gandolfini luajti rolin e shefit të CIA-s, Leon Panetta, në filmin që tregon vrasjen e Osama bin Ladenit, “Zero Dark Thirty”.

Pas përhapjes së lajmit për ndarjen e tij nga jeta, Twiteri është “përmbytur” nga ngushëllimet dhe kujtimet e kolegëve dhe miqve të tij. Senatori amerikan, ish-kandidat për  president përballë Obamës, shkroi në profilin e tij se “Gandolfini ishte një nga njerëzit më të mirë që kam njohur ndonjëherë”. / Gazmira Sokoli

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *