Disa javë më parë ishte shtruar në një spital të kryeqytetit serb. Mediat në Serbi, përveç gjendjes së saj shëndetësore, vunë në dukje edhe kushtet e vështira në të cilat jetonte. Shumë më e re në moshë se i shoqi, Jovanka Budisavljevié u izolua dhe u largua nga pallatet e pushtetit, menjëherë pas vdekjes së bashkëshortit, Titos
Jovanka Budisavljevié Broz Tito, bashkëshortja e ish-presidentit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, ndërroi jetë sot në moshën 89-vjeçare. Ajo ishte shtruar në Qendrën Spitalore në Beograd pak javë më parë, pas një infarkti. Mbërriti në klinikë në gjendje të pavetëdijshme dhe u shtrua menjëherë në repartin e terapisë intensive. Mbi trupin e saj u gjetën shenja mavijosjeje, origjina e të cilave nuk është bërë e qartë, ndërsa testet vunë në dukje “gjak në kushte të këqija” dhe “probleme urinare”.
Gjatë qëndrimit të Jovankës në spital, atë e vizituan një pjesë e rëndësishme e klasës politike serbe me në krye, kryeministrin Ivica Daçiç, një sinjal për rëndësinë që kjo grua ka patur në Beograd. Vitin e kaluar, ajo i pati kërkuar qeverisë serbe që të varrosej në krah të të shoqit, por kërkesa e saj nuk u pranua, përkundrazi, i thanë që të organizohej për të pushuar përfundimisht në Pekani, vendlindjen e saj në Kroaci.
Jovanka u njoh me Titon gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke luftuar përkrah partizanëve. Ishte vetëm 17 vjeçe kur iu prezantua komandantit të martuar dhe baba i shumë fëmijëve të shpërndarë kudo nëpër Jugosllavi. Titos i pëlqeu menjëherë kjo vajzë bukuroshe kroate dhe prandaj e caktoi menjëherë inspektore të Shtabit të Përgjithshëm. Pak kohë më vonë lindi mes tyre dashuria reciproke.
U martuan në vitin 1952, kur ajo ishte 28-vjeçe dhe ai 60. Një çift i fortë dhe solid, pavarësisht diferencës së moshës. Në fakt ishte vetë Titoja që e largoi të shoqen nga krevati bashkëshortor, kur tre vjet para vdekjes së tij, vendosi të transferohej në Zagreb të Kroacisë duke marrë me vete dy masazhatoret e njëkohësisht dashnoret e tij. E megjithatë në një nga intervistat e fundit për mediat, ajo shprehej: “Tito ishte gjithçka për mua. Kam luajtur gjithë jetën time me një kartë të vetme, atë të gruas së komandantit”.
Ndërsa Titoja dobësohej, udhëheqësit e Beogradit e larguan me dhunë Jovankën nga pallatet e pushtetit. I druheshin faktit se ajo mund të fitonte më shumë influencë politike, autoritetet në fund e privuan edhe nga roli i Zonjës së Parë. Kështu kur filloi agonia e ngadaltë e Titos, asaj iu ndalua t’i qëndronte në krah. “Një ditë, – tregon Jovanka, – presidenti i atëhershëm, Lazar Kolisevski, erdhi te unë dhe më tha se im shoq do të shtrohej sepse duhej t’i prisnin një këmbë. Ishte komiteti qendror i Partisë Komuniste që merrte vendimet, jo familja e tij. U informova për vdekjen e tij nga një nga anëtarët e presidencës kolektive”.
Ajo thoshte se ishte e vetmja që e njihte mirë Titon: “Nuk i lejoi askujt t’i afrohej siç bëri me mua. Kishte një karakter të keq dhe e dija kur ishte momenti për ta lënë vetëm. Kur zemërohej me ndonjë nga asistentët e tij, e nxirrte mërzitjen mbi mua. Shumë besonin se unë kisha më shumë ndikim mbi të nga sa ndodhte në realitet: më akuzonin se isha një spiune ruse”.
Jovanka mungoi në shtratin e vdekjes së Titos dhe menjëherë pas funeralit të tij, në vitin 1980, u detyrua të linte rezidencën ku jetonte për t’u transferuar në Dedinjë, në vilë mbi 100-vjeçare, që nga jashtë duket si një pallat, por nga brenda është në një situatë të frikshme degradimi.
E burgosur në Beograd, thuajse në mizerje, asnjë privilegj nuk gëzoi e veja e babait të Republikës së Jugosllavisë, përkundrazi u la në harresë që cek kufijtë e persekutimit. Pasi u shkatërrua Jugosllavia, zonja Tito përjetoi një odise dramatike, e nisur qëkur bashkëshorti i saj ishte ende gjallë. “Jetoj e vetme, e rrethuar vetëm nga dy persona të ngarkuar për të më kontrolluar. Nuk kam pasaportë apo dokumente të tjera dhe duhet të informoj rojet kur vendos që të shkoj të vizitoj të afërmit”.
Vitet e fundit, kangjellat e ndryshkura të vilës hapeshin vetëm njëherë në vit, për ta nxjerrë atë mbi një “Mercedes” të rrënuar gri. Automobili i vjetër i Titos dhe Jovankës, çdo 4 maj vihej në punë për të vizituar varrin e tij./D.Gjuzi

Shkrim i pakuptimte, le shume pikepyetje mbi jeten dhe aktivitetin e Jovankes deri ne fundin e saj, sikur te jetonte poshte ndonje ure ne Beograd……. etj.
Neve te na roje nexhi bashke me salen se kjo ivanka pa bere gje ja kane mare shpirtin po nexhi qe I kendonte ne vesh si shtrige enverit dhe ramizit po boton kujtimet e jetes me tarasin.