Ndahet nga jeta ish-kryeministrja britanike, Margaret Theçer. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve Reuters, i cila i referohet televizionit Sky. E ashtuquajtura “Zonja e hekurt” e Britanisë njihet si kryeministrja me mandatin më të gjatë në historinë e këtij shteti. Ajo ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare.
Biografia
Margaret Theçer lindi në 13 tetor n1925 në Grantham, Britani. Kryetarja e Partisë Konservatore u bë kryeministre në vitin 1979, duke qenë kështu e ara femër që merrte drejtimin e qeverisë në historinë e Britanisë. Ajo qëndroi në krye të ekzekutivit për tri mandate me radhë.
Ajo ishte vajza e një tregtari perimesh. Që në rininë e saj të hershme, Margaret u njoh me politikën konservatore nga i ati. Ajo studioi në Universitetin e Oksfordit për kimi. Ishte studente e Doroti Hodkin, një shkencëtare që kishte fituar çmimin Nobel. Duke ndjekur pasionin e saj për politikën, Margaret u bë presidente e Shoqatës Konservatore të universitetit. Në 1947 u diplomua në kimi dhe nisi punën si kërkuese në këtë fushë.
Dy vjet pas diplomimit, Theçer i hyri zyrtarisht politikës. Në vitin 1950, ajo kandidoi për deputete e parlamentit të Dertfordit. Pavarësisht se fitoi respektin e partisë që përfaqësonte, ajo nuk fitoi atë vit, madje as një vit më pas. Dy muaj pas humbjes së dytë, ajo u martua me Denis Theçer.
Në vitin 1952, Margaret la politikën për t’iu përkushtuar studimit të ligjeve. Një vit më pas ajo mori një diplomë në drejtësi, por nuk mund të rrinte larg politikës. Ndërsa kishte sjellë në jetë binjakët, ajo fitoi një vend në Dhomën e Ulët.
Në vitin 1970, Thaçer u emërua sekretare për edukimin dhe shkencën. Ajo pati kontradikta me kryeministrin Eduard Heath. Në vitin 1973, gjatë një interviste në televizion, Margaret tha një frazë që shumë shpejt do të rezultonte e gabuar. “Nuk mendoj se mund të shoh një kryeministre femër gjatë jetës time”.
Por partia e saj u bë forca kryesore një vit më pas, duke i dhënë asaj postin e lideres së saj. Pavarësisht situatës së vështirë ekonomike të vendit dhe konflikteve brenda klasës politike, Margaret e çoi partinë e saj drejt fitores, duke u bërë kështu gruaja e parë në krye të qeverisë.
Liderja konservatore
Si kryeministre, Theçer duhej të përballej me recesionin ekonomik. Ajo ndërmori një sërë reformash, mes të cilave privatizimi i shërbimeve si transporti publik. Gjatë viteve të para në pushtet, ajo pati një aleat të fortë, presidentin amerikan Ronald Regan. Ajo u përball me sfidën e parë ushtarake, kur Argjentina pushtoi ishujt Folkland. Dërgimi i trupave britanike bëri që në 1982, Argjentina të tërhiqej.
Në mandatin e dytë, Zonja e Hekurt do të përballej me shumë konflikte dhe kriza. Ajo i shpëtoi një atentati me bombë të organizuar nga IRA në 1984.
Në planin e politikës së jashtme, Theçer u takua me Mihail Gorbaçov dhe nënshkroi marrëveshje me qeverinë kineze për Hong Kongun.
Dorëheqja
Në mandatin e saj të tretë , Theçer ndërmori një sërë reformash në arsim dhe shëndetësi, por filloi të humbiste mbështetjen për shkak të përpjekjeve për të implementuar një taksë lokale, e cila shkaktoi zemërim dhe protesta kundër partisë së saj.
Ajo dha dorëheqjen në 22nëntor 1990.
Jeta pas largimit nga politika
Pasi u largua nga pushteti, Theçer u emërua në Dhomën e Lordëve si Baronesha Theçer e Kestvenit. Ajo iu përkushtua librave, duke shkruar disa të tillë të suksesshëm.