Ideja e kryeministrit Rama për parandalimin e ndërtimeve pa leje në Shqipëri nga Policia e Rendit, dhe zbatimi prej kësaj të fundit i dispozitës ligjore që e përcakton ndërtimin pa leje si krim, duket se është kapur në bisht dhe jo në kokë të saj.
Kjo pasi projekti i qeverisë shqiptare për legalizimet e shpejta madje dhe falas, ide e cila u prezantua dhe nga vetë kryeministri në fshatin Çlirim Fier para disa muajsh, ka nisur të pengohet prej policisë shqiptare. Nëse kalimi i kompetencave të policisë për parandalim të ndërtimeve pa leje, është keqinterpretuar nga zbatues të ligjit me uniformë, kjo është një e keqe e vogël. Por nëse në udhëzim të brendshëm ka përcaktime për bllokime të ndërtimeve që janë dhe në proces legalizimi, atëherë këtu nis dhe rreziku i kalimit të kompetencave dhe përplasjeve të institucioneve gjë që si rrjedhojë sjell ngërç dhe bllokim në zbatimin e ligjit për Legalizimet në Shqipëri.
Ligji për legalizimet 9482 datë 03.04 2006 , me ndryshimet e reja nga ligjvënësit në datën 15.5. 2014, ligjëron ndërtimet e ndërtuara para vitit 2009 në tokën e të tretëve, po ndryshon ato, duke shtuar dhe për ata që kanë ndërtuar në tokën e vet. Kjo do të thotë që në momentin që qytetari ka një dosje në zyrat e ALUIZNI-t, është kompetencë dhe detyrim ligjor që të shprehet kjo zyrë për legalizimin ose Jo të objektit të kërkuar dhe futur në proces nga qytetari, për heqjen e “njollës” së paligjshmërisë në ndërtim. Në rast se zyra konstaton dhe vendos që ndërtimi nuk plotëson kriteret ligjore për legalizim, atëherë kjo e fundit i drejtohet INUK, (në këtë rast i ngrirë, dhe kaluar për kompetencë policisë) për ta prishur këtë objekt i cilësuar tashmë i paligjshëm.
Por qytetari nuk mund të merret i pandehur, nën akuzë për ndërtim pa leje nëse ai është duke punuar për të plotësuar aksesorët e karabinasë së ndërtuar dhe futur për legalizim (në rastin konkret tulla, mure, suvatime, vendosje dyersh dhe dritaresh etj). Kjo pasi ka një ligj nga parlamenti shqiptar i sipërcituar, për legalizimin. Në këtë rast ai thjesht po zbaton një ligj dhe nuk po e shkel atë. Pasi aksesorët janë pjesë e ndërtimit dhe jo vetë objekti i ndërtimit.
Duket se vendosmëria për statistika e bluve, për luftë kundër veprës së re penale, ndërtimi i paligjshëm, po tenton të bllokojë ligjin mbi Legalizimin në Shqipëri.
Askush nuk dëshiron betonizim dhe ndërtime të paligjshme madje vetë qytetarët në të shumtën e rasteve janë denoncuesit publikë kundër betonizimit pa kriter. Por rastet e përmendura, tendenca për ushtrim të kompetencave pa limit, është shkelje e Ligjit dhe sjell rrezik konstitucional. Nga një polici në shërbim, në këtë rast policia rrezikon të kalojë në një polici e shërbyer.
Çfarë duhet thënë për ndërtimet në zonat rurale të para viteve ‘90 dhe në vijim? A janë pa leje? Dhe duhen dënuar banorët që nuk kanë asnjë dokument ligjor pronësie për këto banesa ku jetojnë? Kjo kompetencë nuk duhet keqpërdorur sepse jo vetëm dëmton procesin, por sjell sorollatje të qytetarëve, përplasje të kompetencave institucionale, dhe në fund të fundit, dështim të këtij procesi kaq të rëndësishëm në Shqipëri. Ku qëndron ky dyshim i arsyeshëm? Në një krah grupet e terrenit të Aluizni-t, krehin terrenin për legalizim, ndërsa blutë urdhërohen nga krahu tjetër të krehin terrenin për ndërtimet.
