Ndërtimet pa leje, ja projekti i qeverisë

redaktor

Ndërtimet pa leje të bëra gjatë viteve të fundit në të gjithë vendin, si dhe mungesa e një politike kombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, bëjnë të domosdoshëm nevojën për rishikimin e legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit territorial. Ekzekutivi i ri e ka cilësuar si emergjencë kombëtare çështjen e ndërtimeve pa leje në mbarë vendin, ndaj edhe ka miratuar disa vendime që parashikojnë ndërhyrje të shpejtë për këtë problematikë. Ekzekutivi ka miratuar edhe vendimin për unifikimin e kompetencave të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik, duke shkurtuar ndjeshëm hallkat kohore të veprimit për shembjen e ndërtimeve.  Referuar vendimit, INUK merr tashmë kompetencë për ndërhyrje direkt për prishjen e ndërtimeve pa leje, për rastet kur inspektoriatet vendore nuk kanë vepruar. Në këtë mënyrë, përqëndrohet edhe pushteti për prishjen e ndërtimeve pa leje apo për ndërtimet që bien ndesh me interesat publike. Po ashtu, ndryshimet ligjore bëjnë të detyrueshëm raportimin e dy institucioneve, të Policisë së Shtetit dhe të Agjencisë së Legalizimeve, për rastet kur konstatohen ndërtime në kundërshtim me ligjin. Pavarësisht detyrës së inspektoriateve vendore, inspektoriati  ndërtimor urbanistik kombëtar mund të kryejë inspektime në të gjithë territorin e vendit dhe të ndërhyjë. Paralelisht me miratimin e këtyre vendimeve, ekzekutivi ka nisur punën për hartimin e planit kombëtar të territorit, që do të jetë i bazuar edhe tek planet urbanistike vendore. Në fund të këtij procesi, ndërtimet që rezultojnë me apo pa leje dhe që bien ndesh me planin kombëtar, do të shemben. Kjo nismë vjen në një kohë kur janë kryer qindra apo mijëra ndërtime në kundërshtim me parimet e urbanistikës, jashtë planeve vendore dhe pranë zonave ku nuk lejohet ndërtimi. Referuar të dhënave zyrtare, pavarësisht proceseve të mëparshme, ende mbeten të palegalizuara të paktën 80 mijë ndërtime në mbarë vendin, pa llogaritur këtu ndërtimet e padeklaruara.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *