Në një njoftim për mediat pasditen e së dielës, policia thotë se strukturat e saj kanë vijuar punën për “Parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme”, konkretisht në parandalimin e ndërtimeve të paligjshme, prerjen e paligjshme të pyjeve, si dhe organizimin e lotarive të palejuara.
“Në fushën e ndërtimeve të paligjshme , gjatë kësaj jave nga ana e Strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë vendin janë evidentuar 52 raste të ndërtimeve pa leje. Për këto raste janë evidentuar dhe proceduar 52 autorë nga të cilët, 6 autorë janë arrestuar në flagrancë, 45 autorë ndiqen në gjendje të lirë, si dhe 1 autor është shpallur në kërkim”,thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa në kuadër të masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve, gjatë kësaj jave thuhet se në të gjithë vendin janë evidentuar 7 raste me 7 autorë të cilët ndiqen në gjendje të lirë.
“Ndërsa në fushën e organizimit të lotarie të palejuara, Policia e Shtetit ka evidentuar 6 raste me 6 autorë, nga këta 4 janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa 2 janë shpallur në kërkim. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 6 makineri të lojërave të fatit e aksesorë të tjerë që shërbejnë për këtë qëllim”,njofton Policia e Shtetit.
