Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka janë takuar për të diskutuar mbi masat e sigurisë për ndeshjen me Serbinë.
Në takimin që gjati mbi një orë, Çako dhe Duka kanë biseduar gjithashtu edhe për garantimin e rendit e sigurisë në çdo hap, që nga mbërritja e lojtarëve, tifozëve, të miqve nga Serbia para, gjatë dhe pas mbarimit të ndeshjes.
Gjithashtu FSHF do të vendosë në dispozicion të policisë së shtetit listën me emrat e të gjithë tifozëve që kanë blerë biletë, me qëllim që policia të kryejë verifikimet e nevojshme për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri- Serbi, më 8 tetor.
Çako, garantoi Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, se Policia e Shtetit do të marrë të gjitha masat, duke angazhuar të gjitha kapacitetet më të mira të saj, qoftë në burime njerëzore ashtu dhe në logjistikë.
“Masat janë të shumëllojshme, nga toka dhe nga ajri, por i garantoj që të gjithë tifozët se masat e policisë nuk kanë për qëllim të dëmtojnë apo frenojnë tifozët, por kanë për qëllim vetëm të garantojnë mbarëvajtjen e kësaj ndeshje”, tha Çako.
Në takim u vendos që një grup nga Polica e Shtetit dhe një grup nga Federata Shqiptare e Futbollit të bëjnë këqyrjen e stadiumit dhe të ambienteve përreth duke përcaktuar në vend edhe masat konkrete për gjithë pikat e paraqitura në planin e masave.
