Për dy ditë radhazi, në disa akse të rëndësishme në Tiranë do të ketë kufizim të qarkullimit të automjeteve.
Policia e kryeqytetit bëri me dije se gjatë së mërkurës dhe gjatë ditës së enjte, për shkak të zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis Shqipërisë dhe Serbisë, do të ketë bllokime në disa akse.
Kështu, mbrëmjen e së mërkurës duke nisur nga ora 17:00 deri në orën 20:00, segmenti rrugor Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga “Ura e Lanës” në sheshin “Skëndërbej” do të qëndrojë i bllokuar.
Më tej, policia sqaron se do të bllokohen përkohësisht edhe aksi nga Rinasi, “Qafë Kashari”, në autostradën Tiranë-Durrës, si dhe rrugët dytësore, duke vijuar te mbikalimi i Kamzës, rruga “Dritan Hoxha”, rruga “29-Nëntori”, Rruga e “Durrësit”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali” deri te rruga e “Elbasanit”.
Ndërkohë, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve dhe nuk do te lejohet kalimi i kembesorëve pranë Hotel “Sheraton’’ dhe Universitetit të Arteve si dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në sheshin “Italia”. Bllokimi do të vazhdojë në të gjitha segmentet të cilat lidhen me Hotel “Sheratonin”.
Ndërkohë, të enjten, nga ora 12:00-19:00, do të bllokohet segmenti rrugor nga rruga “Dervish Hima”, rruga e “Elbasanit”, tuneli i Elbasanit ku nuk do të lejohen kalimi i mjeteve deri në përfundim të aktivitetit sportiv.
Masat në Tiranë merren për shkak të ardhjes së delegacionit serbë, ku me shumë gjasë do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. /Dita/