Fundjava rezervoi përgjigjen e duhur për të larguar shijen e hidhur që solli kaosi i mesjavës në “Loro Boriçi”. Edhe pse java e 4 është më e vakëta në këtë fillim sezoni përsa i përket realizimit të golave, në fushën e blertë emocionet për lojën e zhvilluar kanë qenë të mëdha.
Në të pesta takimet e javës ritmi ka qenë i lartë dhe në dy prej tyre i shfrenuar, teksa fati dhe aftësitë e portierëve kanë bërë që në këtë javë të regjistrohen vetëm 4 gola. 3 prej tyre janë shënuar në sfidën e kryeqytetit midis Tiranës dhe Elbasanit, me bardheblutë që në kohën shtesë arritën të marrin 3 pikët dhe kreun e klasifikimit. 24 herë kampionët kanë kërkuar për 90-minuta goleadën por në fund rrezikuan të dilnin edhe pa pikë nëse Çota do të tregohej më i saktë.
Në supersfidën e javës të zhvilluar në “Zeqir Ymeri”, Partizani triumfon duke regjistruar humbjen e parë në shtëpi për Kukësin pas një viti. Ishin të kuqtë që në tetorin e 2013 thyenin nënkampioënt në Krujë, teksa humbja e fundit përpara tifozerisë Kukësi e regjistronte ekzaktësisht një vit më parë më 14 shtator të 2013 ndaj Vllaznisë. Për 15 herë kampionët shënoi Raçiç falë dhe ndihmës së portierit Halili dhe murit mbrojtjes në goditjen e dënimit. Partizani mjaftohet me dy gola në 3 ditë për të marrë 6 pikët e plota dhe për tu ngritur në pretendimet e fillimsezonit. Ndeshja më spektakolare e javës u zhvillua në “Loni Papuçiu”, ku Apolonia dhe Skënderbeu kërkuan deri në fund fitoren.
Barazimi ishte ndoshta rezultati më i drejtë, por kurrsesi barazimi pa gola, pasi skuadrat krijuan një mori rastesh shënimi, aq sa të dukej se po luhej një mbrëmje europiane dhe jo një sfidë e kategorisë superiore. Dy portierët kanë merita absolute, por ndihmën e tyre për këtë rezultat kanë dhënë edhe sulmuesit që përpara portave respektive nuk janë treguar të qetë.
Ndërkohë në Vlorë dhe në Durrës janë zhvilluar dy takime mbi nivelin mesatar, por në fund skuadrat janë ndarë në barazim pa gola. Kuqezinjtë e Gjokës kanë qenë më kërkues ndaj Vllaznisë, por të paqartë përpara portës kundërshtare. Ndërkohë në “Niko Dovana” përveç aftësive të portierëve, ekipet duhet të mallkojnë edhe shtyllat, pasi në dy raste ishin pengesa e fundit që rezultati të zhbllokohej. 5 ndeshje të denja për një fundjavë futbollistike si simotrat europiane edhe në futbollin shqiptar, që ka ende shumë për të treguar në rrugëtimin e gjatë të këtij sezoni.
