Zbulohen me dhjetëra farmaci që ushtrojnë aktivitet të jashtëligjshëm. Kontrollet e deritanishme të kryera nga Urdhri i Farmacistëve kanë evidentuar shkelje të shumta, ku dhjetë farmaci në qytete të ndryshme ushtronin aktivitetin në mungesë të licencës.
Kontrollet kanë treguar edhe një tjetër fakt shqetësues, atë të shitjes së barnave nga persona të paspecializuar në fushën përkatëse. Kreu i Urdhrit të Farmacistëve Arjan Jaupllari ka deklaruar se krahas aktiviteteve në mungesë të licencës, kontrollet kanë treguar se në 5 agjenci farmaceutike të hapura nga drejtoritë e shëndetit publik në rrethe, edhe pse ishin të pajisura me leje, shitja e barnave bëhej nga persona të padiplomuar në fushën e farmaceutikës.
Kjo përbën një shkelje të rëndë pasi mund të mbartë rreziqe të mëdha shëndetësore tek pacientët si rrjedhojë e gabimeve që mund të bëhen me dhënien e barnave. Më tej Jaupllari shton se kontrollet do të vijojnë në të gjitha rrethet e vendit edhe gjatë javëve në vijim.
“Në sistemin farmaceutik ka akoma farmaci që nuk janë të licencuara as nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, dhe as nga Ministria e Shëndetësisë. Janë rreth 10 farmaci të palicencuara, ka disa agjenci farmaceutike që janë hapur nga DSHP-të e rajoneve në mënyrë të kundraligjshme në atë kohë, nuk kanë arsimin përkatës dhe pse janë licencuar nga DSHP-të. Problemi i dytë që është shërbimi në farmaci dhe nga persona joprofesionistë, mund të jenë pronarë farmacish ose njerëz të tjerë”, ka deklaruar Jaupllari kundrejt shkeljeve të konstatuara.