Ndëshkohet presidenti i Flamurtarit, pezullim dhe gjobë 3 milionëshe

Dita

Furtunë disiplinore ndaj presidentit të Flamurtarit, Sinan Idrizi. Numri 1 i klubit vlonjat u pezullua për 3 muaj nga aktiviteti futbollistik, si dhe u ndëshkua me një gjobë prej 3 milionë lekësh të rinj nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Siç lexohet në komunikatën zyrtare, Sinan Idrizi ndëshkohet për fyerje dhe ofendime me dashje ndaj zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në këtë mënyrë numrit një të klubit vlonjat duket se i kanë kushtuar shtrenjtë deklaratat pas vendimit të Komisionit të Etikës që ndëshkoi veç të tjerash me 6 muaj pezullim edhe portierin e skuadrës vlonjate, Ilion Lika, duke e cilësuar fajtor për trukimin e ndeshjeve Kukësi-Flamurtari 4-0, si dhe Partizani – Flamurtari 2-1, ndeshje kjo e fundit ku Lika nuk ishte aktivizuar për asnjë minutë.

Pas atij vendimi Sinan Idrizi deklaroi për një nga të përditshmet sportive në vend se nuk pranon moral nga prostitutat, duke iu referuar vendimit të Etikës. Tanimë si pasojë e asaj deklarate presidentit të Flamurtarit i duhet të qëndrojë për 3 muaj jashtë stadiumit të Flamurtarit ku falë investimit të tij para disa muajsh u krye një rikonstruksion bashkëkohor që i dha një tjetër pamje ambienteve të stadiumit vlonjat.

Vendimi i Disiplinës pritet të gjenerojë sërish polemika të forta mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Klubit Flamurtari, ndërkohë që për sa i përket vendimeve të tjera, disiplinori ndëshkoi me një gjobë prej 1 milionë lekësh Kukësin për hedhjen e sendeve të forta në fushë në ndeshjen me Skënderbeun, ndërsa për të njëjtin motiv në takimin me Laçin është ndëshkuar me një gjobë prej 500 mijë lekësh edhe Tirana.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *