Ndihma Ekonomike, 10 ditë afat aplikimi për pagesat e majit

redaktor

Aplikimet për pagesën e ndihmës ekonomike fillojnë përgjatë ditës së nesërme. Për dhjetë ditë me radhë, familjet dhe individët që plotësojnë kushtet për të siguruar këtë pagesë mund të aplikojnë, duke plotësuar dhe dorëzuar formularin e miratuar.

Ekspertët e Shërbimit Social Social Shtetëror bëjnë me dije se dorëzimi i këtij formulari dot ë pranohet në datat 1 deri në 10 maj. “Bazuar në Urdhrin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për marrjen e masave për parandalimin e infektimit nga Covid-19 të aplikuesve për ndihmë ekonomike, aplikimet për  këtë pagesë do të pranohen nga administratorët shoqërorë të njësive administrative ku qytetari ka vendbanimin në formë elektronike ose postare”, sqarohet nga Shërbimi Social Shtetëror.

Formulari i aplikimit mund të shkarkohet në faqen online të këtij institucioni. Dërgimi i aplikimit mund të bëhet në dy forma. “Nëse qytetarët kanë kompjuter mund të shkarkojnë formularin, ta plotësojnë në kompjuter dhe ta dërgojnë me email në adresën e administratorit shoqëror të njësisë ku banojnë. Për rastet kur qytetarët nuk kanë kompjuter, i sygjerojmë të printojnë formularin, ta plotësojnë me shkrim dore dhe ta dërgojnë  nëpërmjet postës në Njësinë Administrative ku banojnë. Ritheksojmë, formulari plotësohet vetëm në kompjuter, në telefon është i papërpunueshëm”, sqarojnë ekspertët e Shërbimit Social Shtetëror.

Lista e familjeve aplikante verifikohet automatikisht nga sistemi elektronik me të gjitha institucionet dhe pasi përfundon ky verifikim në lidhje me saktësinë e informacionit të deklaruar merret vendimi për dhënien e kësaj pagese.

Sipas kushteve të përcaktuara në ligj, vendimi për trajtimin me ndihmë ekonomike merret brenda muajit maj nga  Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror nëpërmjet formulës së pikëzuar që përfshin parametra të lidhur me vlerësimin e situatës ekonomike të familjeve, të tilla, si: kushtet e jetesës, zotërimi i pasurive, të ardhurat nga remitancat. Formula e pikëzuar merr parasysh karakteristikat e ndryshme strukturore të familjeve urbane dhe rurale.

Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social dërgon vendimin  final së bashku me listën e familjeve fituese me masën e përfitimit dhe familjet jopërfituese me arsyet përkatëse kryetarit të njësisë vendore për të njoftuar  të gjithë aplikantët dhe për të bërë ekzekutimin e pagesës.

Familjet të cilat janë refuzuar se nuk kanë marrë pikët e mjaftueshme kanë të drejtën e riaplikimit në muajt pasardhës dhe gjithashtu ruajnë të drejtën e ankimimit në lidhje me vendimin e marrë.

Ankimimi bëhet  me shkrim fillimisht pranë njësisë vendore, e cila është e detyruar të kthejë përgjigje brenda 7 ditëve kalendarike nga marrja e ankesës.

Pas ezaurimit të ankimimit te njësia vendore, ka të drejtë të ankimojë  te Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror dhe në gjykatë.

 

p.k\Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *