Ndihma ekonomike: Dhënia e pagesës ndërpritet në këto 5 raste, afatet kur duhet të aplikoni

J L

Pranvera Kola

 

Ndarja e qëllimshme e anëtareve të familjes, vonesat në tërheqjen e pagesave mujore, refuzimi i vlerësimit të kushteve social ekonomike të familjes, deklarimet e rreme, si dhe mospërfshirja në kurset e formimit profesional apo ofertave për punë, janë 5 situatat që ju penalizojnë me përjashtim nga skema e përfitimit të ndihmës ekonomike.

Gjithashtu, çdo përfitues i refuzuar nga skema e ndihmës ekonomike ka të drejtë të ankimojë vendimin e marrë. Ekspertët e Shërbimit Social Shtetëror bëjnë me dije se të gjitha familjet që janë refuzuar se nuk kanë marrë pikët e mjaftueshme për të përfituar këtë pagesë, kanë të drejtën e riaplikimit në muajt pasardhës dhe gjithashtu të drejtën e ankimimit në lidhje me vendimin e marrë.

Duke u ndalur tek ankimimi bëhet e ditur se çdo person, pasi mëson që është refuzuar nga skema, fillimisht duhet të paraqesë një ankesë me shkrim pranë njësisë vendore ku ka vendbanimin. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin përkatës, njësia vendore është e detyruar që të kthejë përgjigje brenda 7 ditëve kalendarike nga marrja e ankesës. Nëse vendimi nuk ndryshon ju mund të vijoni procedurat e ankimimit më tej pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, apo edhe më tej në gjykatë.

Për familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, bazuar në vlerësimin social-ekonomik, të kryer nga administratori shoqëror, Këshilli Bashkiak ka të drejtë të miratojë dhënien e ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike deri në 6 për qind, ose me fonde të buxhetit vendor.

Ja kur duhet të aplikoni për ndihmën ekonomike!

Për të përfituar ndihmë ekonomike kryefamiljari, së bashku me bashkëshorten nga data 1-10 të çdo muaji duhet të paraqiten pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashki/njësitë për të aplikuar për ndihmë ekonomike si familje në nevojë me kopjen e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes, si dhe dokumentet e tjera shoqëruese.

Administratori, në prani të kryefamiljarit, bashkëshortes apo individëve plotëson online në sistem aplikimin për ndihmë ekonomike të cilët përmbledhin informacionin për: demografinë e familjes, arsimin dhe punësimin, llojin e banesës, pasuritë dhe asetet shtëpiake, të ardhurat nga programet e mbrojtjes sociale. Është me shumë rëndësi që informacioni të jetë i saktë, pasi në rast të kundërt penalizohen familjet për deklarim të rremë. Ndërkohë që nga nisja e këtij viti, tashmë aplikimi për ndihmën ekonomike mund të bëhet edhe online në portalin e-albania, sipas procedurave të përcaktuara.

Lista e familjeve aplikante verifikohet automatikisht nga sistemi elektronik me të gjitha institucionet dhe pasi përfundon ky verifikim në lidhje me saktësinë e informacionit  merret vendimi për këto familje. Vendimi për trajtimin me ndihmë ekonomike merret brenda muajit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror nëpërmjet formulës së pikëzuar që përfshin parametra të lidhur me vlerësimin e situatës ekonomike të familjeve, të tilla, si: kushtet e jetesës, zotërimi i pasurive, të ardhurat nga remitancat. Formula e pikëzuar merr parasysh karakteristikat e ndryshme strukturore të familjeve urbane dhe rurale.

Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social dërgon vendimin final së bashku me listën e familjeve fituese me masën e përfitimit dhe familjet jopërfituese me arsyet përkatëse kryetarit të njësisë vendore për të njoftuar të gjithë aplikantët dhe për të bërë ekzekutimin e pagesës.

Detyrimet për tërheqjen e pagesave

Pagesa e Ndihmës Ekonomike tërhiqet dhe merret në dorëzim nga gruaja e familjes në nevojë dhe nga vetë individi në nevojë pranë zyrave të postës ose sporteleve të bankave. Për të vazhduar marrjen e ndihmës ekonomike bashkëshortët duhet të paraqiten çdo 3 muaj pranë administratorit shoqëror për të plotësuar deklaratën, mbi çdo ndryshim të situatës së tyre, nëse ka ndryshuar.

Mosparaqitja një herë në 3 muaj dhe moslejimi i verifikimit social-ekonomik në familje largon familjen nga skema e ndihmës ekonomike. Në rastet ndryshimi të vendbanimit të familjes përfituese, krahas ndryshimit të gjendjes civile, transferohet edhe dosja e ndihmës ekonomike në bashkinë apo njësinë administrative të re. Për çdo fëmijë që ndjek arsimin e detyrueshëm dhe për çdo vaksinë të kryer, ka një pagesë shtesë.

Nga Ndihma Ekonomike mund të përjashtohesh nëse:

  • Kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes me përjashtim të rastit vajzë-nënë;
  • Nuk tërheq në kohë ndihmën ekonomike.
  • Refuzon verifikimin e situatës social-ekonomike në familje.
  • Fsheh informacionin / kryen deklarim të rremë dhe nuk deklaron ndryshimet e situatës social-ekonomike.
  • Refuzon përfshirjen në kurset e formimit profesional ose ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës dhe nuk rezultojnë punëkërkues të papunë, apo të vetëpunësuar pranë zyrave të punës.

Kush mund të përfitojë ndihmën ekonomike:

  • Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme.
  • Jetimët të cilët nuk janë në institucione.
  • Prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë.
  • Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre.
  • Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
  • Fëmijë të vendosur në shërbimin e kujdestarisë.

 

Share This Article
2 Comments
  • ju nuk jepni ndihme ekonomike . ne kohe, kur lejoni biznese me pasurite kombetare, me taksa qesharake , dhe flakni ne mes te katet rrugeve familje dhe individe me kontribute kolosale ne mireqenjen e ketij vendi, meritoni nje rikthim te atij sistemi qe kaloi . por “diktati” i enver hoxhes (mbi armiqte e klases) t’ju duket lule, pasi edhe me i pa dituri e kupton tani, se cfar hienash drejtojne pasurohen e lumturohen ne kete vend dhe dhe cfar…KATARSI, duhet bere mbi kreaturat e pasuruar me gjakun djersen dhe pronen e ketij POPULLI, duke u justifikuar me termin e sotem “demokraci” . dhe ajo kohe do vij, madje SHPEJT .

  • Ndihma ekonomike iu duhet dhene te gjitheve atyre qe e kerkojne. Kush lyp 6000 leke ne muaj nuk i duhet as mohuar as bere analiza financiare. A nuk u jepen 700 USD ne muaj deputeteve per benzine/muaj, pa i pyetur se ku ne te s’emes kane bredhur?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *