Gratë janë më të zonjat për të menaxhuar buxhetin e familjes. Aq më tepër kur bëhet fjalë për rastet në të cilat familjet klasifikohen si kategori në nevojë, ku burimi kryesor i të ardhurave është marrja e ndihmës ekonomike. Këtë mendim ndan edhe shefi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, ku gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se skema e ndihmës ekonomike do ketë orientim femëror.
Duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e gruas në vend, ministri Veliaj ka bërë të ditur se një ndër hapat e parë të reformimit të shërbimeve shoqërore ka të bëjë me nismën që Qeveria do ndërmarrë sa i takon shpërndarjes së ndihmës ekonomike tek gratë dhe jo tek burrat.
“Ne kemi vendosur që të transformojmë mënyrën sesi përdoren financat publike për të fuqizuar zonjat dhe zonjushat në shoqërinë tonë. Një nga gjërat që do të bëjmë është të orientojmë ndihmën ekonomike. Së pari të jetë më e përdorshme për zonjat e shtëpisë, evidenca empirike në të gjithë botën dëshmon që zonjat dhe gratë janë shumë më nikoqire me financat modeste që ka dhe familja më e këputur, sesa burrat që shpesh herë janë të papërgjegjshëm”, ka deklaruar ministri Veliaj. Sipas tij, skema do të pësojë ndryshime rrënjësore, kjo me qëllim largimin e përfituesve abuzivë. Këto deklarata janë bërë në tryezën e organizuar nga “Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim” dhe “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, ku është diskutuar në lidhje me rastet e dhunës së evidentuar tek femrat shqiptare. Ministri Veliaj, e cilësoi si të patolerueshme mungesën e vendstrehimeve për këtë kategori, ndërkohë që strehëza ekzistuese ka shpërdoruar fondet pasi ka më shumë punonjës se viktima dhune.
“Ne kemi një strehëz, e cila punëson 22 vetë dhe strehon vetëm shtatë vetë, kjo është e pa pranueshme. Rendimenti është jashtëzakonisht i papranueshëm, ndaj gjëja e parë që do të bëjmë është të reformojmë shërbimi social shtetëror dhe të gjithë institucionet në varësi që për nevoja kaq alarmante dhe për ngjarje kaq ulëritëse të cilat raporton sistematikisht media. Shteti Shqiptar mund të mos bëj mrekulli, por mund të bëj shumë më shumë sesa trajtimi konkret i 7-të rasteve në vit në një qendër e cila subvencionohet nga taksapaguesit shqiptarë”, ka nënvizuar Veliaj. Reforma në shërbimet sociale parashikon krijimin e shërbimeve të reja dhe efektive, të cilat do të jenë lehtësisht të lidhshme edhe me shërbimet e tjera si ato ligjore, shëndetësore, të punësimit, po ashtu do të nxitet krijimi i strehëzave të grave dhe në rajone të tjera dhe do të forcohet monitorimi i masave ndaj dhunës ndaj grave.
Reagimi për strehimin e familjeve rome
Ministri Veliaj është shprehur gjatë ditës së djeshme edhe për protestën e bërë nga banorët e Shishtufinës, të cilët pretendojnë të bllokojnë me forcë punimet për kthimin e ish-repartit ushtarak të kimisë në ambiente, ku do të strehohen familjet rome. “Reparti ku do strehohen romët nuk ka mbirë vetvetiu, dimë që kemi marrë një pronë shtetërore, megjithëse kjo ministri nuk merret me shpronësimin e pronarëve, ftoj ata që pretendojnë se janë pronarët, të ulemi e të negociojmë, ndoshta duke ju paguar qiranë. Këto familje po e kalojnë jetën në shi, duhet të jemi më pak histerikë si shoqëri”, ka pohuar Veliaj. Për romët që zgjodhën të jetonin në Shishtufinë, ministria kontraktoi një firmë ndërtimi për shndërrimin e repartit ushtarak në qendër banimi për 37 familjet rome. Ish-reparti ushtarak 1005 m2, ka shërbyer për shumë vite si bazë kimike ndërsa së fundi objekti është boshatisur dhe ruhet vetëm nga disa ushtarë roje.
Dhuna ndaj grave
Vetëm gjatë vitit 2012 në media janë raportuar 22 gra dhe vajza, të cilat kanë humbur jetën si rezultat i dhunës së ushtruar ndaj tyre në familje. Vetëm gjatë këtij viti rezultojnë mbi 400 kërkesa për urdhra mbrojtëse, kërkuar nga gratë në gjykatat e vendit. Siç konfirmuan edhe gjetjet e projektit të “Aleancës Gjinore për Zhvillim”, niveli i papunësisë dhe mundësitë e ulëta ekonomike kanë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me rritjen e shkallës së abuzimit dhe dhunës në familje.