“Bashkëpunim afatgjatë për objektet shëndetësore në ndihmë të komuniteteve në nevojë”, është ky qëllimi i marrëveshjes së nënshkruar dje ndërmjet Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajt dhe shoqatës humanitare “Gjysmëhëna e Kuqe”e Emirateve të Bashkuara Arabe, e përfaqësuar nga Hamad Ben Abdennabi. Sipas kësaj marrëveshjeje kjo shoqatë merr përsipër garantimin e donacioneve për ndërtimin dhe rikonstruksionin e qendrave shëndetësore dhe ambulancave sipas tipeve përkatëse, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe sigurimin e pajisjeve mjekësore e aparaturat e nevojshme për funksionimin normal të tyre. Duke folur për prioritetet e punës për katër vitet e ardhshme, Beqaj vuri theksin në dy projektet e mëdha, siç është ai i kontrollit bazë falas një herë në vit, për grupin moshor 40-60 vjeç, dhe ai i ndërtimit të një shërbimi kombëtar të urgjencës. Gjithashtu, Beqaj shpjegoi edhe prioritet e punës lidhur me projektet e rehabilitimit të qendrave shëndetësore dhe mundësinë e donacioneve për projektet që lidhen me rritjen e shkallës së transparencës dhe përgjegjshmërisë së sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.