Ndihmoi mafian të shiste biletat e Juventusit në tregun e zi, dënohet presidenti Anjeli

Gazeta Dita

Gjykata sportive e Federatës Italiane të Futbollit ka vendosur që të dënojë me një vit pezullim nga aktivitetet sportive presidentin e Juventusit, Andrea Anjeli. Shkak është bërë hetimi mbi marrëdhëniet që klubi bardhezi kishte me grupet e organizuara të tifozerisë, mes të cilëve spikatnin elementë të njohur të mafias.

Vendimi, i shoqëruar edhe me 300 mijë euro gjobë për klubin bardhezi, erdhi pak ditë pasi Anjeli u bë presidenti i Shoqatës Europiane të Klubeve, ECA, si dhe u bë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Akuza kishte kërkuar 30 muaj pezullim për Anjelin, për të cilin argumentonte se u jepte ultrasve të drejtën për të menaxhuar biletat në disa tribuna të veçanta të stadiumit, duke i shitur në tregun e zi. Por sipas FIGC “frekuentimi mes Anjelit dhe Roko Dominiello (i akuzuar si anëtar i grupeve mafioze) ndodhte në mënyrë sporadike, por sidomos pa njohurinë e statusit të keqbërësit të këtij të fundit. Dominiello i ishte prezantuar Anjelit si një tifoz i thjeshtë”.

Juventusi ka bërë të ditur se do të apelojë këtë vendim duke e cilësuar të padrejtë, ashtu si edhe akuza, e cila bëri të ditur se kërkon dënimin e plotë të Anjelit dhe të bardhezinjve, pasi shkalla e parë ka vërtetuar fajësinë e tyre në këtë çështje. “Të ardhurat e siguruara nga shitja në tregun e zi të biletave të ndeshjeve kanë financuar krimin e organizuar dhe ky është një veprim shumë i rëndë”, ishte pretendimi i akuzës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *