Ndikumana: Shkojmë në Korçë për të fituar

redaktor

“Tirana shkon në Korçë për të fituar ndaj Skënderbeut”. Ky është mesazhi që përcjell Selemani Ndikumana, autor i dy golave ndaj kampionëve në sfidën e fazës së dytë të luajtur në “Qemal Stafa” më 13 dhjetor të vitit të kaluar. Në konferencën për shtyp përpara nisjes drejt Pogradecit ku 24 herë kampionët do të grumbullohen për supersfidën e javës së 25-të, sulmuesi nga Burundi shpall objektivin e skuadrës duke kërkuar të harrohet rezultati i fundit ndaj korçarëve.

“Jemi të përgatitur për këtë ndeshje dhe gati për të luajtur. Nuk duhet të kapemi tek e shkuara pasi çdo ndeshje e re është një sfidë e re. Është e vërtetë që kam sjellë tre pikët me golat e mi në fazën e dytë por tani po mendoj për këtë ndeshje dhe po përqendrohemi në këtë sfidë për të bërë më të mirën dhe për të marrë maksimumin”, tha Ndikumana.

Skënderbeu ka zhvilluar futbollin më të bukur deri më tani dhe si kampionët në fuqi konsiderohen skuadra për t’u mundur. Ndikuamana sheh tek të gjitha skuadrat e kampionatit kundërshtarin për t’u mundur teksa në këtë përballje pritet të ketë një duel të veçantë me Vangjelin në krahun e majtë të sulmit bardheblu.

“Skënderbeu është skuadra për t’u mundur, por çdo skuadër në këtë kampionat është për t’u mundur dhe ata janë një prej tyre. Ata kanë një skuadër të mirë dhe nuk mendoj për një emër në veçanti. Pika më e fortë e tyre është grupi dhe ne duhet të bëjmë shumë kujdes. Kjo ndodhi në ndeshjen e parë ndërsa në të dytën ne u treguam të rrezikshëm në kundërsulm. E kam parë lojën e Vangjelit por ajo që dëshiroj është të përqendrohem tek loja ime. Ne do përballemi me njëri-tjetrin dhe më i miri do fitojë”.

Tirana do të ketë një kalendar të ngjeshur pasi në harkun e 8 ditëve do të përballet me 3 rivalët për titull, Skënderbeun, Kukësin dhe Partizanin. Nga rezultatet e këtyre sfidave varet shumë dhe sezoni i bardhebluve, të cilët mund të hedhin një hap drejt titullit ose të dalin jashtë këtij objektivi.

“Nëse fitojmë këtë ndeshje sjellim më shumë besim në skuadër dhe do jemi në pozita të mira në rrugën drejt titullit. Këto 3 ndeshje janë të rëndësishme dhe ne jemi të përqendruar. Të gjithë janë mirë fizikisht dhe do bëjmë më të mirën për të marrë maksimumin nga këto sfida”.

Pas seancës stërvitore të së hënës, Tirana është nisur drejt Pogradecit ku do të qëndrojë e grumbulluar deri në vigjilje të sfidës me Skënderbeun.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *