Tirana ka mundur Skënderbeun, ndërsa Kukësi ka barazuar me Teutën në Durrës, çka do të thotë se lufta për zonën evropiane është tepër e ndezur, pavarësisht se nga ajo mund të jetë larguar Vllaznia, e mundur në Peqin nga Shkumbini. Bardheblutë arrijnë fitoren e dytë radhazi pas shpartallimit që iu bëri Flamurtari dy javë më parë dhe tani janë katër pikë larg vendit të dytë, që mbahet nga vlonjatët, me pikë të barabartë me durrsakët, ndërkohë që me dy pikë poshtë tyre është Kukësi. Për të arritur kualifikimin në Europa League, Tirana duhet të kalojë patjetër një midis Flamurtarit e Teutës dhe të zërë e pakta vendin e tretë, pasi vendi i katërt të çon në Evropë vetëm në rast se Kukësi renditet në treshen e parë dhe fiton Kupën e Shqipërisë ose del në finale kundër Skënderbeut. Në takimin e djeshëm, për bardheblutë goli i vetëm u shënua nga Gilman Lika, në minutën e 64-t. Goli ishte kurorëzim i epërsisë së pjesës së parë, ku pati raste por jo tundje rrjetash. Nuk mungoi edhe një rast i mirë për Skënderbeun, por portieri i ri Caka arriti t’i mohonte golin Plakut, ballë për ballë me të. Në pjesën e dytë, Tiranës i mungoi përkrahja e tifozëve, të cilët u larguan masivisht në shenjë ndaj policisë, pas një konfrontimi me forcat blu. Në Durrës, Kukësi ishte fare pranë mrekullisë, pas golit të shënuar nga Renato Malota në minutën e tetë. Teuta kishte disa mungesa, megjithatë luftoi fort në pjesën e dytë për të barazuar, ndërkohë që edhe miqtë rrezikuan me kundërsulme. Kur fitorja u duk e sigurt, një tjetër mbrojtës, Akil Jakupi, barazoi për vendasit, në minutën e 90-të. Ky gol shmangu vendin e katërt për Teutën, pasi në rast humbjeje do të ishte parakaluar nga Flamurtari dhe Kukësi, ndërsa tani është e treta, me pikë të barabarta me vlonjatët. Këta të fundit bënë detyrën, duke mundur 3-0 Luftëtarin. Migen Memelli ishte autor i dy golave dhe shkon në kuotën 18 në krye të listës së shënuesve, ndërsa skuadra e tij ngjitet e dyta, me golaverazh më të mirë se Teuta. Mbetet thuajse jashtë luftës për Europa League Vllaznia, e cila u mund nga Shkumbini. Isai përfitoi nga një gabim i portierit Gjokoviç dhe shënoi në fundin e pjesës së parë. Me tri pikët e marra, peqinaset kapërcejnë Luftëtarin, por janë shtatë pikë larg vendit të dhjetë, i cili mbahet nga Bylisi, një skuadër që vështirë se do të bjerë më poshtë, pavarësisht humbjes 1-3 të pësuar dje në Laç. Në fundin e tabelës, Tomori mund minimalisht Apoloninë, një fitore që nuk vlen për asgjë, sepse të dyja do të luajnë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.
Nevil Dede
Trajneri i Tiranës
Jam i kënaqur me këtë fitore. Ne u munduam të luajmë futboll, të tregojmë vlerat tona dhe mbi të gjitha të tregojmë një imazh të futbollit të Tiranës. Është një fitore edhe për tifozët. Ky ekip pa ata nuk vlen.
Mirel Josa
Trajner i Skënderbeut
Zhvilluam lojë të mirë dhe e kishim topin më shumë në kontroll. Prania në zonën kundërshtare duhet të ishte më e madhe dhe të konkretizonim rastet e krijuara. Kjo humbje na e prish disi shijen e mirë të këtij sezoni, por ne duhet të shohim përpara.
E myti Tirona Korcen!