Një prej aleatëve të Berishës, Nard Ndoka, thotë se kryetari i dorëhequr i demokratëve duhet të udhëheqë të djathtën deri në zgjedhjen e pasuesit të tij. “Sali Berisha duhet të jetë menaxhues i transformimit të së djathtës deri në ardhjen e timonierit të ri”.
Ndoka thotë se një ndër arsyet e humbjes së thellë të PD-së është deformimi i votës.
“Aleanca e PD-së me LSI-në rezultoi një marrëveshje problematike, e cila dëmtoi PD-në si parti, por edhe elektoratin e djathtë në tërësi. Njerëzit u kthyen në pragmatistë të pushtetit duke përfituar në mënyrë abuzive dhe krijuar kosto të madhe për sistemin. Është vërejtur vota kundër, por fryma opozitare mbetej e fshehtë. Kjo realisht më shqetëson, se njerëzit akoma kanë frikë t’i demonstrojnë bindjet dhe idetë e tyre. Vota e qytetarëve duhet jo vetëm të lexohet qartë, por të studiohet me vëmendje të madhe dhe me përgjegjësinë për të ndërtuar atë që qytetarët kërkojnë nga politika dhe djathta për të ardhmen”, shprehet ai.
Sipas tij, “për të djathtën fillon një epokë e re . Qeverisja 8-vjeçare mbetet një histori suksesi në mandatin e parë dhe problematike në të dytin. Duhet në analizë e hollësishme, për të ndërtuar vizionin për rikonfigurimin e të djathtës shqiptare, duke tentuar bashkimin dhe shkrirjen e disa partive dhe duke ndërtuar një strategji të qartë me ato parti që i bashkohen harkut të djathtë opozitar’, thotë Ndoka për “Shekullin”.
