Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, njëkohësisht edhe zëvendësministër i Brendshëm, ka deklaruar për Shekullin se nuk i intereson shkrirja e partisë dhe pjesëmarrja si kandidat në listën zgjedhore të PD-së.
“PDK-ja do të garojë me 140 kandidatët e vet në zgjedhjet e ardhshme. Ky është një vendim i palëkundur pë ne. Do të jemi në një koalicion me PD-në dhe po shqyrtojmë të gjitha hapësirat dhe mundësitë për konkretizimin e këtij bashkëpunimi. Ka në tavolinë disa variante, kjo vjen si domosdoshmëri për shkak të kodit zgjedhor, i cili ka pengesa artificiale për përfaqësimin e partive brenda një koalicioni, por ekziston mundësia, dëshira dhe vullneti nga PD-ja për të mundur vlerësimin e partive politike në bazë të kontributit real, pra me votat që këto parti kanë,” shprehet Ndoka.
Sipas tij: “Nuk është as në interesin e PD-së dhe as në interesin tonë shkrirja e partive politike dhe pjesëmarrja jonë në listat e PD-së. Ne kemi alternativën tonë politike”.
Ndoka shprehet se: “Sa i takon partive të tjera apo fraksioneve të tjera demokristiane, do të ishte mirë që ne të faktorizoheshim në një parti. Por kjo nuk është një pengesë për PDK-në, për vetë faktin që z. Bushati, i cili drejton sot një parti minore në përfaqësimin elektoral, ka qenë kryetar i PDK-së dhe është largua me dëshirën e tij. Z. Lesi po ashtu, që drejton një parti tjetër, ka qenë kryetar i kësaj partie dhe është larguar me dëshirën e tij, madje ama ka kërkuar me këmbëngulje që të marr drejtimin e PDK-së asokohe. Janë penduar gjatë rrugës, por janë penduar në kohën kur PDK-ja që ato lanë u faktorizua aq shumë, sa u krijua një lloj xhelozie mund të them”.
Sipas Ndokës, një mozaik ngjyrash partiake brenda për brenda së djathtës shqiptare është domosdoshmëri në këto moment, duke e bërë atë me një bazë shumë të gjerë në kuadër të kodit zgjedhor.