Ndonjëherë duhet të dalim jashtë zonës së rehatisë

Ornela

Entela Resuli – DITA

Jon Tarifën deri më tani e njohim si këngëtar. Ai është krijues i të gjitha materialeve të tij muzikore. Djaloshi nga Tirana i cili profesion të vërtetë ka marketingun, jeton prej 19 vitesh në Mbretërinë e Holandës. Ai është djali i dytë i Fatos Tarifës, ish-ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas në Holandë.

34-vjeçari këto kohë i ka “braktisur” të gjitha dhe ka ndërmarrë një udhëtim rreth Azisë. Së bashku me bashkëshorten e tij Kimberly ai po përjeton ditë të jashtëzakonshme, duke parë vende dhe njohur kultura të reja. Shpesh, udhëtimi është një terapi e shëndetshme dhe Jon këtë gjë e ka kuptuar herët. Djaloshi që dhjetë vitet e para të jetës i ka kaluar në Tiranë, nuk nguron që sa herë e ndjen të nevojshme, të marr valixhen dhe të bëj një udhëtim.

Për të, jeta ka më shumë për të ofruar se sa thjesht punë. Një dorë të mirë në këtë iniciativë i ka dhënë edhe bashkëshortja e tij, e cila me të njëjtën lehtësi rezervon një biletë avioni.

Ata janë dy shpirtra të lirë të cilët shpesh kanë dëshirë të dalin jashtë zonës së rehatisë.

Çifti Tarifa është duke kaluar festat në Indonezi, atje nuk ka borë, por rërë dhe det me shumicë.  Për herë të parë ata po festojnë krishtlindje në… plazh.

Joni na thotë se i mungon shumë familja në Tiranë, pasi për ta festat kanë qenë një mundësi për t’u mbledhur së bashku, por ja që këtë herë e “rrëmben”  njerëzit e bashkëshortes.

Në këtë intervistë për Dita-n, Jon Tarifa rrëfen një nga udhëtimet më të bukura të jetës, deri më tani…

-Jon, Azia është vendqëndrimi yt i momentit?

Po, së bashku me bashkëshorten time, Kimberly, jemi duke udhëtuar në kontinentin Aziatik. Ka disa kohë që kemi pasur dëshirë të merrnim një leje të gjatë dhe të udhëtonim 100 ditë në Azi. Deri më sot, kemi qenë në Tajlandë, Kamboxhia, Vietnam, dhe tani ka disa ditë që kemi mbërritur në Indonezi.

-Kur e vendose që do të kaloje 100 ditë në kontinentin aziatik?

Ne e kemi vendosur që në Janar të këtij viti, kur sapo ishim kthyer nga Bali shkuam për të kaluar pushimet e vitit te ri. Na pëlqeu shumë ideja për të kaluar vitin e ri dhe një periudhë të dimrit në një vend tropikal, siç është Bali, dhe aty lindi ideja për të kaluar 100 ditë në kontinentin Aziatik.

-E mbështeti Kimberly këtë ide?

Sigurisht, kjo është një ëndërr për të dy ne dhe e kemi mbështetur njëri-tjetrin që nga fillimi i kësaj aventure.

-Sa ditë keni që jeni në Azi?

Deri me sot, kanë kaluar 42 ditë që kur kemi filluar këtë aventurë.

-Çfarë keni hasur në këtë udhëtim, çfarë keni zbuluar apo kuptuar?

Një gjë është e sigurt, jeta ka më shumë për të ofruar sesa thjesht punë. Ndonjëherë duhet të marrim një hap të besimit dhe të dalim jashtë zonës së rehatisë. Ky udhëtim është një eksperiencë që do mbetet si një kujtim i aq bukur gjatë gjithë jetës tonë.

-Është nga ato udhëtimet e lira, d.m.th pa shumë shpenzim, apo…?

Në përgjithësi, Azia është shumë më lirë se Holanda për shembull, ku ne jetojmë dhe punojmë. Natyrisht, ne ishim përgatitur mirë për këtë udhëtim dhe jemi në gjendje ta shijojmë plotësisht.

Jon, ti besoj ke udhëtuar shumë edhe më parë, po çfarë të veçante ka ky udhëtim?

Unë kam qenë 6 herë Azi në 6 vitet e fundit, duke shkuar 5 herë në Indonezi, vendin e origjinës së bashkëshortes dhe një herë në Tajlandë. Gjithashtu, kam pasur privilegjin të shkoj edhe në Maldive, Sri Lanka, Curacao, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (duke pasur parasysh se kam jetuar atje në moshën 10-15 vjeç) për të përmendur vetëm disa destinacione. Sidoqoftë, ajo që e dallon këtë udhëtim nga të tjerat, është se ne po jetojmë dhe eksplorojmë kontinentin Aziatik dhe jo thjesht të shkojmë me pushime për dy-tre jave dhe të kthehemi në punë siç kemi bërë më parë. Kësaj radhe në fakt, ne po jetojmë në Azi për disa muaj.

-Cili është vendi më i bukur që keni vizituar deri më tani dhe çfarë ju ka bërë përshtypje?

Kjo është një pyetje shumë e vështirë, sepse gjithçka që kemi parë deri tani ka qenë absolutisht e mahnitshme. Sidoqoftë, ka pasur disa pika të theksuara në secilin vend që na kanë bërë shumë përshtypje. Në Tajlandë, kemi notuar në disa plazhe fantastike. Ajo që ishte interesante ishin të gjitha gurët gëlqerore në mes të oqeanit në Koh Phi Phi. Këtu është filmuar filmi The Beach, me Leonardo di Caprio, dhe një nga filmat nga James Bond. Në Kamboxhia vizituam monumentin më të madh fetar, Angkor Ëat, i cili përmban shumë tempuj të lashtë. Në Vietnam, kaluam një natë në një prej shtatë “natural ëonders of the ëorld” që quhet Halong Bay. Ajo që pamë atje me sytë tanë është përtej imagjinatës. Dhe së fundi, sapo arritëm në Indonezi, kaluam disa ditë në një resort romantik në një ishull të quajtur Pulo Cinta (i njohur gjithashtu si Love Island). Ajo që e bën këtë ishull aq të veçantë është se është shumë i vogël dhe vet ishulli ka formën e zemrës. Mund të krahasohet me Maldive, duke patur edhe këtu vila sipër ujit. Të zgjohesh në një vilë të tillë në mes të oqeanit është një eksperiencë unike.

-Ke parë diçka dhe ke thënë, si ka mundësi që ekziston kjo gjë në botë?

Po patjetër, çdo gjë që sapo përmenda.

-Keni një qëllim me këtë udhëtim?

Ëndrra jonë ishte dhe vazhdon të jetë, të udhëtojmë dhe të eksplorojmë botën. Gjithashtu, të ndjehemi të lirë dhe të mos kemi shqetësime apo detyrime, por thjesht të kënaqemi me njeri-tjetrin dhe të kalojmë dhjetë-vjetorin tonë duke udhëtuar. Gëzohem që arritëm ta bënim këtë gjë.

-A është një sfidë apo test edhe për ju si çift ky udhëtim?

Është thjesht një ëndërr e vërtetë.

-Thonë që një udhëtim është i barabartë me një universitet, e ke ndjerë ti këtë?

Sigurisht, ne mësojmë shumë duke udhëtuar. Mua më është dhënë rasti të shkoj në disa vende shumë interesante dhe kam mësuar për kultura dhe tradita të ndryshme.

-Na trego një histori apo një moment interesant nga udhëtimi?

Në disa plazhe të Tajlandës, ne pamë majmunë në plazh. Kjo ishte qesharake por edhe pak e frikshme në të njëjtën kohë se ishin majmune të egër dhe nuk i dihet se çfarë mund të bëjnë po t’i afrohesh.

-Po një situatë të sikletshme?

Në Vietnam, kur një ditë ne shkuam për të vizituar një fshat dhe për herë të parë në jetën time, unë kam prekur gjarpër të gjallë me dorë, i cili qe 2 metra i gjatë dhe varej mbi shpatullat e mia. Unë e mbajta sa për një foto. Edhe pse ky gjarpri nuk ishte helmues dhe më thanë se nuk të kafshon, përsëri ishte një situatë shumë e sikletshme.

-Kur ka filluar dhe kur përfundon ky udhëtim?

Ne e kemi nisur udhëtimin tonë në fillim të Nëntorit dhe do të përfundojë në 15 Shkurt.

-Çfarë ke mësuar nga Azia?

Të vlerësojmë gjerat e vogla në jetë dhe se nuk kemi nevojë për para për të qenë të lumtur.

-Po festat ku do i kaloni?

Ne po kalojmë Krishtlindjet me familjen e Kimberly në Indonezi dhe për Vitin e Ri besoj se do te jemi përsëri ne Bali. Në raste të tilla, mua më mungon shumë familja ime në Tiranë dhe dëshiroj që të kaloj pushimet me ta, por vitin e ardhshëm do të sigurohem që do të kthehem në shtëpinë time në Tiranë dhe ti kaloj festat së bashku me familjen time, siç i kam kaluar çdo vit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *