Ndonjëherë edhe miqtë gabojnë

anazapta

Letër e nënshkruar

Gani Elezi

Ka ditë që diskutohet për kërkesën e institucioneve të Bashkimit Europian e të SHBA për ngritjen e një Tribunali, gjykate për krimet e luftës në Kosovë. Për ta bërë sa më të pranueshëm këtë veprim në opinionin publik, veçanërisht në opinionin shqiptar, sillet si argument “domosdoshmëria e hetimit të akuzave të senatorit zviceran Dik Marti, sipas të cilit drejtuesit e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë kanë bërë trafik organesh, në dëm të robërve a qytetarëve serbë e të tjerë”. Më datë 16 prill, te Zëri i Amerikës dëgjova një prononcim të Adem Demaçit, i cili gjatë luftës ka qenë përfaqësues politik i UÇK-së. Madje nga ky prononcim e mora edhe shtytjen të bëj këtë shënim. Ka të drejtë Demaçi kur thotë se duke ngulur këmbë te akuzat e Martit, e më shumë duke ngritur gjykata të veçanta për krime lufte, krijohet ideja se “miqtë tanë, europianët dhe amerikanët, nuk e kuptojnë si duhet popullin shqiptar dhe në vend që ta ndihmojnë, po krijojnë përshtypje të gabuara për të”.

Rruga që është paraparë për ta ngritur këtë gjykatë është më shumë detyrim se sa një veprim i arsyeshëm e i pranueshëm nga ne shqiptarët. Nëse nuk e miraton Kuvendi i Kosovës, do ta miratojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së, a ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar. Kjo do të thotë “doni a nuk doni ju shqiptarët, ne do ta ngremë një gjykatë të tillë”. Ku qemë – asgjëkundi. Pse i kemi institucionet tona – për formalitet. Nuk e di nëse kuptohet kështu pavarësia, sovraniteti politik i një shteti. Miqtë edhe këtë herë nuk po arrijnë të ndajnë “shapin nga sheqeri”. E shapi në kujtesën e në arsyen e të gjithë njerëzve të kulturuar është Serbia. Atje duhesh ndarë “shapi nga sheqeri”.

Gjykata do të ngrihet. Shqiptarëve në Kosovë e në Shqipëri u mbetet të përgatiten seriozisht për t’u përballur me akuzat që do të administrojë ajo. Ne nuk na lejohet që për konjukturë politike, për hir të lëvizjes pa viza në Europë, për hir të politikës “zero probleme me fqinjët”, të mos këmbëngulim për t’i hedhur poshtë akuza të tilla të sajuara nga Diket zviceranë a nga cilido vend tjetër që të jenë.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *