Rreth 500 raste vdekjesh në vit vijnë si pasojë e ndotjes së ajrit në Tiranë. Shifra alarmante jepet në një raport për situatën mjedisore në Shqipëri, hartuar nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën.
Raporti është i dyti pas atij të dhjetë viteve më parë, hartuar nga ky institucion. Sipas raportit, niveli i cilësisë së ajrit në Tiranë është dy herë më i ulët se udhëzimi i OBSH-së. “Vendi ka përmirësuar dukshëm standardet e jetesës, ku niveli i varfërisë është ulur nga 25.4 për qind në 12.4 për qind në vitin 2008. Por ndotja e ajrit përbën një rrezik serioz për shëndetin e banorëve të kryeqytetit”, thuhet në raport.
Gjithashtu, sipas raportit vihet në dukje menaxhimi i dobët i mbetjeve dhe mungesa e ujit të pijshëm në vendin më të pasur me burime ujore.
“Vetëm 40 për qind e popullsisë urbane është e lidhur me sistem kanalizimi, shifër kjo akoma më e vogël në zonat rurale që furnizohen me ujë të pijshëm”, thuhet në raport.