Ndotja e ajrit në nivele të larta

anazapta

Masat e marra nuk kanë dhënë rezultatet e duhura sa i takon ndotjes së ajrit. Ekspertët e mjedisit tregojnë se matjet e kryera çdo ditë në pika të ndryshme, vijojnë të rendisin Shqipërinë si një ndër vendet me nivel të lartë të ndotjes së ajrit,  e cila i tejkalon shifrat e lejuara jo vetëm nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe ato të rajonit. Qyteti i Elbasanit kryeson listën e qyteteve me ajrin më të ndotur. Por nuk mbeten pas në këtë drejtim as Tirana, Durrësi, Korça e Vlora, në të cilat ndotja e ajrit mbetet në nivele alarmuese.

Ky nivel i lartë i ndotjes në këto qytete sipas ekspertëve vjen si pasojë e përqendrimit në to të aktiviteteve të industrisë së rëndë, të qarkullimit të mijëra automjeteve, kantiereve të ndërtimit, si dhe nga pakujdesia që shpesh herë vërehet edhe tek vetë qytetarët në mbajtjen e një ambienti më të pastër.

Më problematike paraqiten shkarkimet nga industria e rëndë, ku vërehet një emetim i gazrave të dëmshme në ajër në nivele shumë herë më të larta se sa mesataret e lejuara nga BE-ja. konkretisht raportohet se përqendrimi i grimcave dhe dioksidit të karbonit në vend arrin në vlerën e 60 PM10, ndërsa mesatarja e BE-së lejon deri në 40 PM10. Për të reduktuar ndotjen, ministria e Mjedisit ka hartuar projektligjin për cilësinë e ajrit në vend, që përshtat legjislacionin shqiptar me direktivat e BE-së.

Këto problematika janë diskutuar gjatë ditës së djeshme në seminar in e zhvilluar ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe delegacionit të Bashkimit Evropian mbi ndërhyrjet e reja që duhen zhvilluar për menaxhimin e cilësisë së ajrit. Zëvendësministrja e Mjedisit Oljana Ifti ka deklaruar gjatë këtij seminari se me zbatimin e ligjit të ri do të ndëshkohet çdo shkelës i ligjit për cilësinë e ajrit. Ifti u ka kërkuar edhe vetë qytetarëve që të jenë pjesë e nismave që do ndërmerren së bashku me pushtetin vendor për ruajtjen e ajrit.

“Kemi tashmë strategjinë kombëtare dhe ligjin e ri për mbrojtjen e ajrit i cili është plotësisht i përafruar me direktivën bazë të Bashkimit Evropian. Duke prioritarizuar drejtimet kryesore të politikave në Ministrinë e Mjedisit mbrojtja dhe cilësia e ajrit padyshim që përbën një nga drejtimet kryesore. Nëse do të kërkonim një paraqitje të situatës aktuale mbi cilësinë e ajrit urban përgjigjja do të gjendej tek çdo qytetar”, ka deklaruar Ifti.

Sipas saj kontrollet do të jenë të vazhdueshme nga inspektorët e mjedisit edhe pranë furrave të gëlqeres, fabrikave të çimentos e çelikut, të cilat janë ndër subjektet që shkaktojnë një nivel të lartë të ndotjes së ajrit. Projektligji i ri për cilësinë e ajrit përcakton një sërë vlerash për disa ndotës, objektivat për cilësi të shëndetshme të ajrit të mjedisi, si dhe metodat e kriteret konkrete që do të zbatohen për matjen dhe vlerësimin e cilësisë së ajrit.  

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *