I larguar në Suedi prej disa ditësh me gjithë familjen e tij, Gjergj Ndreca ka nisur aplikimet për të marrë statusin e azilantit. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Ndreca tregon peripecitë e rrugëtimit drejt veriut të Europës dhe përndjekjen e policisë shqiptare deri në Kroaci. Ndreca pretendon se policia e survejonte familjen e tij në çdo moment gjatë kohës që ishin në Shqipëri.
“Djali im kishte frikë që të shkonte në shkollë, të dilte nga shtëpia. Ishte bërë me hije. Po survejoheshim nga policia me tre turne. Na ishin instaluar policët tek dera e shtëpisë dhe s’na linin të jetonim të qetë. Edhe kur erdhëm në Suedi, nuk na u ndanë. Ka qenë e frikshme përndjekja. Kisha me vete familjen time dhe nuk dihej se çfarë mund të më ndodhte gjatë rrugës. Fatmirësisht arritëm t’ju fshiheshim sepse devijuam rrugën. Në Milano erdhën dhe më morën njerëzit e mi. Kaluam nga Italia, Gjermania, Danimarkë, dhe më pas në Stokholm”, thotë ai në intervistë.
Ish-i përndjekuri politik, i cili u kthye në simbolin e kësaj shtrese, thotë se pasi të marrë azilin do të kthehet sërish në Shqipëri, për të rrëzuar nga pushteti Berishën.
“Do të vij menjëherë në Shqipëri, për të rrëzuar Sali Berishën nga pushteti. Do të bëj të pamundurën që të marr edhe bashkëvuajtësit e mi në Suedi. Ata nuk janë të sigurt në Shqipëri. Berisha mos të pretendojë se më ka mbyllur gojën mua, sepse nuk ia ka dalë ende”, shprehet ai.