Besim Ndregjoni, një nga të proceduarit pas protestës së 8 dhjetorit, thotë se policia ka frikë politikanët dhe merret me ish të përndjekurit.
Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Ndregjoni thotë se turma ka ndjekur Lulzim Bashën dhe Sali Berishën për të prishur bunkerin dhe jo atë. Kreu i Unionit të të Burgosurve Politikë pohon se është shoqëruar për rreth 6 orë në polici, ndërsa ka dënuar dhunën psikologjike të hetuesve.
“Dua të theksoj se nuk isha unë organizatori i protestës. Turma ka ndjekur kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, apo ish-kryeministrin Sali Berisha. Ata shkuan drejt bunkerit dhe turma i ndoqi. Ndaluan para Ministrisë së Brendshme dhe qëndruan për një kohë të gjatë. Pas prishjes, Basha dhe Berisha shkuan te selia e PD-së dhe turma sërish i ndoqi”.
“Nuk më ndoqi njeri mua, unë kam shkuar pas tyre dhe në protestë isha i ftuar. Edhe në selinë e PD-së, Basha tha se ‘sot shembëm simbolin e komunizmit’. Kjo është e faktuar, mjafton të shihen kronikat televizive. Policia ka frikë nga Basha dhe merret me të përndjekurit politikë. Unë isha në protestë si një qytetar i thjeshtë”, shton ai. /Dita/
