Nga Naun Kule
Familja Ndreko e Libofshës, derë e madhe, e hershme dhe e dëgjuar jo vetëm për numrin e madh që mblidhte sofra e kësaj dere por sidomos, për bëmat e tyre në dobi të atdheut.
***
Këta burra emërmëdhenj, të afërt e të largët ishin modelet e luftëtarëve të kohës për ”Mësuesin e merituar”. Rrugët dhe shokët e kësaj lufte përkushtuese, ndër emrat e herëshëm dhe të rinj të Ndrekove në Libofshë, doemos që janë shumë më të lashtë se brezat dhe emrat që njohim. Nuk është e rastit që kjo familje e madhe i ka dhënë vendit jo vetëm atdhetarë të shquar si mësuesin e Mësonjëtores së parë të Myzeqesë (1908), apo poetin e parë të këtyre anëve Zoji Ndreko (poema “Shqipëria”, “Kalendari Kombiar” Selanik, 1910), edhe ky Dëshmor i atdheut, deri tek i treti Dëshmor, djaloshi Ndrekë Ndreko.
Si për gjithë shqiptarët, LDB, ishte një provë e re edhe për familjen Ndreko të Libofshës. Bijtë e kësaj familje mbushën rreshtat partizane dhe luftuan trimërisht gjer në çlirimin e vendit. Dhe, nuk ishin pak por gjashtëmbëdhjetë partizanë vetëm nga kjo derë..!Të tjerat diheshin; dasmë pa mish nuk ka. Tre prej tyre nuk u kthyen ; Jovani, Zoji dhe Ndreka…!
Ndërsa dy Ndreko të tjerë, Fani dhe Ilia, u mbijetuan viteve të Luftës në kushte të jashtëzakonëshme, me sfilitje fizike dhe shpirtërore. U kthyen të sakatosur dhe jetuan për pak vite, si invalid të Luftës partizane.
-Krijuesi dhe mësuesi dëshmor, është më shumë se dëshmor…
Poezitë e tij mbetën në dorëshkrim. Vëllimi poetik me titullin simbolik “Po të pres agim i qeshur” shkruar e gatitur në llogoret e Luftës, zverdhur e zhubrosur në çantën e shpinës së poetit dhe mësuesit partizan, nuk patën fat ta shihnin dritën e botimit.
Autori i tyre,Dhimitër Mino, ra në betejë 24 vjeç..!
***
–Jovan Kristo Ndreko,1886-1944; Dëshmor i atdheut, Mësues i merituar Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit. Në vitin 1901 kreu gjysmëgjimnazin greqisht në qytetin e Beratit dhe shkollën ushtrimore për mësuesi në Çotil të Maqedonisë.Tentativa për ta hapur shkollën shqip në Libofshë në vitin 1905, dështoi dhe nxiti përndjekjen e Jovanit me shokë.Pas revolucionit xhonturk, në korrik 1908, Jovani është anëtar i klubit “Bashkimi” i formuar në Berat nga Babë Duda Karbunara.
Në gusht, 1908 hap Mësonjëtoren shqip në Libofshë, dhe shërben si mësonjës i parë i saj. Më 1909, 5 mars, i shkruan gazetës “Rrufeja” në Misir (Egjypt), të cilës i kërkon t’i dërgojë gazeta dhe libra në gjuhën shqipe.
Po këtë vit, qeveritarët xhonturq ia mbyllin shkollën dhe e përndjekin për ta arrestuar. Ismail Qemali, pasi zbriti në Durrës dhe ecte drejt Vlorës përmes Myzeqesë, më 24-25 nëntor, 1912, mbërriti në Libofshë dhe darkoi aty nën mbrojtjen e atdhetarëve myzeqarë, organizuar nga Jovan Ndreko me shokë të cilët, e shoqëruan Burrin e flamurit, deri në Vlorë.
Pas kësaj, rihap mësonjëtoren në Libofshë dhe shton nxënësit e saj nga gjithë fshatrat e krahinës. Në vitin 1913, bashkë me klerikët dhe kolegët patriotë nga gjithë Myzeqeja, organizojnë mbledhjen e njohur në manastirin e Ardenicës ku vendosën t’i përzënë mësonjësit grekë (Siomolla e co) që kishin ardhur në Myzeqe enkas për të rihapur skolitë greqisht. Në vitet 1914-15 përndiqet nga rrebelët qamilistë dhe detyrohet të largohet nga fshati. Bashkë me nipin e tij Zoji dhe klerikun, mësues e luftëtar Ikonom Dhimën me shokë, ishin organizatorët dhe mbrojtësit me armë të Kongresit të Lushnjes. Në vitet 1920-24, bashkëluftëtar i ishnxënësit dhe i shokut të tij Naun Doko Priftit, në luftën kundër feudalizmës dhe qeverisjes zogiste. Ishte anëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi” i rreshtuar me forcat demokratike fanoliste. Pas pushtimit fashist dhe gjer në vitin 1944, ishte organizator i rezistencës popullore dhe mbështetës aktiv i luftës partizane. Në vitin 1943 u zgjodh kryetar i këshillit NÇL për pushtetin krahinor. Si i tillë u vra më 10 tetor, 1944.
***
–Zoji Pando Ndreko, 1889-1944; mësues, poet,Dëshmor i atdheut.
Mësimet e para i mori në skolinë greqisht të Libofshës.
Është organizator i shumë ngjarjeve me dobi kombëtre dhe bashkëluftëtar me shumë figura të shquara kombëtare dhe lokale, të njohura në Myzeqe. Si autodidakt, studjon historinë e Shqipërisë dhe admiron veprën atdhetare të rilindasve. Në vitin 1908 është njeri nga veprimtarët më aktiv për çeljen e Mësonjëtores shqip në Libofshë, me mësues xhaxhain e tij, Jovanin.
Në vitin 1910, shkruan dhe boton shqip në “Kalendarin kombiar” në Selanik, poemën “Shqipëria” me thirrjen:
“Që kur linda gjer të vdesë/ Shqipëri ty do të thërresë…
…Gjuhën shqipe të mësojmë, në duam ty të mos harrojmë”
Në nëntorin e vitit 1912, organizoi sigurimin dhe fjetjen e Ismail Qemalit në Libofshë,(24 nëntor), hedhjen në lundër (në Petovë, lumi Seman) dhe shoqërimin e tyre deri në Vlorë. Për disa kohë qëndroi i punësuar në administratën e qeverisë së Vlorës. Në vitin 1914, hap shkollën në manastirin e Kolkondasit.
Zoji Ndreko me Ikonom Dhimën dhe atdhetarë të Myzeqesë, drejtonin forcat mbrojtëse në vargun e kodrave të Ardenicës, në rrugën Vlorë-Fier-Lushnjë, nga mund të sulmonin forcat italiane.
Gjatë gjithë viteve të Luftës nacionalçlirimtare, është i angazhuar familjarisht në mbështetje të saj. Më 1943 u zgjodh kryetar i Këshillit NÇL për gjithë zonën. U vra në krye të detyrës në vitin 1944, nga pushtuesit dhe spiunët e tyre.
***
– Ndrekë Profi Ndreko, 1920-1944. Dëshmor i atdheut.
U shkollua në vendlindje. I mbetur jetim, me ndërhyrjen e miqëve u punësua në Durrës. Këtu u njoh me veprimtarët atdhetarë dhe filloi veprimtarinë luftarake kundër pushtuesve. Në goditjen e Çetës së Myzeqesë, kundër fashistëve në Libofshë, janar 1943, Ndreka ishte njeri nga të rinjtë që preu lidhjet telefonike me Lushnjen dhe Fierin. Ishte partizan i Grupit të Myzeqesë dhe më pas në Brigadën e 16-të,si komandant toge. Ra në luftimet e ashpra për të mbrojtur Kodrën e Bajrakut, afër Ardenicës-në përleshje me gjermanët që tërhiqeshin pas çlirimit të qytetit të Fierit. Ishte15 tetori,1944. Djaloshi partizan Ndrekë Ndreka, sapo kishte mbushur 24 vjeç.
***
– Dy Ndrekot, të mbijetuarit e Luftës… si në legjendë !
Ilia Jovan Ndreko,
bir i mësuesit dëshmor, në vitin 1938 kreu gjimnazin e Shkodres ku njohu edhe heronjtë e ardhshëm Q.Stafa, V.Kushi, H.Dushi, E.Durakun. Në vitin 1936, gjimnazisti myzeqar Ilia Ndreko, është anëtari më i ri i Grupit komunist të Shkodrës.
Në qytetin Pesaro-Itali, kreu një shkollë ushtrake nga erdhi me gradën n/toger. ..
Në mars, 1945, ushtria e kuqe u fut në Austri. Gjithë natën aleatët bombarduan. Në mëngjez, rojet s’po i shihnim më. Kapën zv/komandantin e burgut një nazist i pamëshirshëm .E hodhën kokëposhtë në gropën e nevojtores. Udhëtuam për në Jugosllavi me trena, me dy flamurë, shqiptar dhe jugosllav. Në Beograd na pritën me banda muzikore. Këtu u ndamë; Kosovë-Maqedoni-Shqipëri. Fjeta një natë në Strugë. Na gjetën makinë mua dhe dy vëllezërve, Tomorr e Besim Çeli. Në Durrës kisha dajat. Aty gjeta edhe motrat të veshura me të zeza për vdekjen time. Komanda e Durrësit më pajisi me leje dhe makinë gjer në Lushnjë. Nga Lushnja telefonova familjen. Të gjithë më dinin të vdekur. Kur zbrisja kodrat e Ardenicës për në fshat, dëgjoja saze dhe të thirrurat e barinjëve me bagëti.. Ishte ditë pazari në Libofshë, e mërkurrë. Pazari u prish, tellalli thërriste cep më cep. Njerëzit nxitonin përballë grupe grupe…
Unë i katandisur, në 30 kg njeri, as flisja, as ecja. I humbur në kujtesë e në fuqi, mezi… Turma këndonte, qeshte, qante… Unë kërkoja me sy babain. Nuk ishte?! Nuk e pashë…Babai,i nipi Zoji dhe kushua im Ndrekua, kishin rënë… Sazet ia merrnin me oii… Unë hiç. As i gjallë, as i vdekur..!
***
Fani Themi Ndreko;
Por, ndërsa Ilia e pa vdekjen me sy dhe e sfidoi aq trimërisht sa çuditi të gjallët, kushëriri i tij, Fani edhe e provoi vdekjen…Po, edhe varrimin. Edhe betimin e shokëve mbi varrin e tij.
…Ishte operacioni 1943-44. Dimër dhe gjermanë. Dëborë kishte, dëborë binte. U dha urdhëri që të nis marshimi për në zonën e Korçës përmes maleve të Skraparit. Në spitalin partizan të Lavdarit na dhanë ca tableta rozë si aspirina, me shije të ëmbël. Dimrit dhe gjermanit, iu shtua dhe armiku i tretë; uria. Tri ditënetë pa ngrënë. Barku u bë zgof.
Fani nxjerrë tabletat. Tundohet dhe provon…një, tri, shtatë, i mbaroi. Iu duk se e theu urinë. Mirëpo… Po ndihej keq e më keq. Nisi të vjella dhe nuk ecte më. E hipën mbi mushkë. Pas një orë udhëtim, ushtari i mushkës tha se Fani u shtri, vdiq. E shtrinë mbi një batanie, hapën një gropë mbi njëmetroshe në dëborë, e mbuluan me nje batanije dhe me borë.
Nderuan e u betuan me grushtin lart, dhe vazhduan marshimin.
…Pas 10-12 orëve, shtresa e borës po fundosej mbi bardhësinë nga ku varri i ri dukej si njollë e zezë. Doli në shesh batania, pastaj koka, pastaj…Fani !? U zgjua si nga një gjumë i rëndë. Nuk kujtonte asgjë. Sa shumë paskam fjetur! mendoi. Po shokët…!? Kishte vdekur klinikisht…!
Duket se ftohtësia e borës e ndihu të rikthehej në jetë. U ngrit, eci, eci..
Trokiti në një portë dhe kërkoi bukë. Duke ngrënë misërnike dhe gjizë, eci sa mundi. Ngrënia dhe mosha e djaloshit, sikur i dhanë forcë.
Pragdarke, hyri në shtëpi. Askujt s’i rrëfeu. E mbytën me pyetje për djemtë e tjerë të Ndrekove që luftonin maleve…
…Gjithësesi, vërtetë atje në Qafën e Beçit, ia hodhi vdekjes, por jo pasojave të saj. Për vite me radhë bëri jetën e invalidit të Luftës.
Por nderimi për veprën atdhetare dhe flijimin për lirinë, e rrethoi deri në fund, siç vazhdon ende, ndaj bijëve të tij të devotshëm, nipave dhe mbesave të Fanit, të Ndrekove dhe të gjithë Shqipërisë.

Shkruan bukur qerratai!
Po Fred piloti nga keta rrjedh?