Ndreu: Militantët e PD kanë zënë vendet kryesore në Policinë e Shtetit

redaktor

Sipas ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, PD-ja jep urdhra ndaj shefave të komisariateve të pengojnë zhvillimin e aktiviteve të opozitës, ndërsa thekson se PS ka një strategji të qartë për të luftuar kriminalitetin në vend

Policia e Shtetit ndodhet në situatën më të vështirë të këtyre 22 viteve të ndërrimit të pushtetit. Krimi raportohet në shifra alarmante duke u trefishuar nga tetë vite më parë. Punonjës policie vriten dhe autorët ikin në drejtim të paditur si dhe vjedhjet e dhuna e rrugës është bërë shqetësuese. Në një bisedë me një nga ish-drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit vërejmë se gjendja në të cilin ndodhet vendi kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Pjerin Ndreu thotë për gazetën DITA se policia tashmë është bërë njësh me pushtetin duke pasur në gjirin e saj njerëz jo profesionistë, po mitingashë të Partisë Demokratike. Ai akuzon policinë si të paaftë për zbardhjen e një sërë ngjarjesh të bujshme dhe jo parandaluese ndaj krimit.

 

-Zoti Ndreu, për pesë muajt e fundit kemi tre drejtues të lartë të policisë të cilët kanë humbur jetën duke u vrarë nga krimi. Si e shpjegoni situatën kur policia nuk është në gjendje të mbrojë më dot as veten?

Askush nuk ka më dyshim se situata e sigurisë është e mjerueshme. Kriminaliteti ka marrë tatëpjetën. Krimi godet këdo e kurdo. Statistikat e krimit flasin për gjendje alarmante për sa i përket gjendjes së kriminalitetit dhe tendencës e cila është dukshëm në rritje, e ç’është më e keqja shfaqet me goditje të përfaqësuesve të shtetit, ku rastet e komisarëve janë këmbana që duhet të tronditin gjithkënd. Por fatkeqësisht sportiviteti i drejtuesve të qeverisë dhe të Ministrisë së Brendshme është diletant e vrastar në luftën kundër krimit. Realiteti as nuk njihet e as nuk konsiderohet më nga askush. Krimi ka marrë qendrat urbane duke nxjerrë jashtë loje mekanizmat parandalues që dukshëm janë inekzistent. Nuk e di me çfarë kurajo dalin para opinionit publik qeveritarët e sotëm kur e morën kriminalitetin me 8250 krime në 2005-n dhe e katandisën me 20688 në 2012-n, pra, 12438 krime më shumë që i bie më shumë se 1500 krime më tepër për çdo vit. Vetëm viti 2012 në raport me atë paraardhës 2011 evidentoi 3029 vepra penale më shumë çka përbën rekordin më negativ të 15 viteve të fundit. Këto janë pak duke marrë parasysh dhe mosevidentimin e veprave penale, një kulturë e instaluar së fundmi nga strukturat policore.

 

-A është e lidhur Policia e Shtetit me politikën dhe nëse po, ku e bazoni këtë mendim?

Policia ka kohë që është anemike, e eklipsuar komplet nga politika. Marrëdhënie mes nivelit politik dhe teknik në ministrinë e Brendshme ka marrë përmasa shqetësuese. Politika jo vetëm ka dominuar mendimin profesional duke e mbytur dhe bërë shurdhmemec, por ka instaluar një politikë personeli komplet partiake, ku mitingashët e PD kanë zënë zyrat qendrore të policisë së shtetit e në drejtoritë rajonale duke gëzuar dhe grada të pamerituara e në kundërshtim me ligjin. Këta kollovarë, kanë katandisur nivelin profesional si mos më keq dhe kanë dëmtuar rëndë imazhin dhe performancën e policisë së shtetit në sytë e publikut i cili nuk ka më besim te policia e shtetit. Rëndom në korridoret e ministrisë së Brendshme, drejtoritë e policisë së qarqeve apo komisariatet e policisë dëgjohen zotime, urdhra, angazhime e presione politike të drejtuesve të policisë drejtuar efektivave. Situata e depolitizimit të policisë është në kolaps total duke e infektuar rëndë organizatën me murtajën e militantëve mitingashë.

 

-Si mund të pastrohen policët e korruptuar apo të lidhur me politikën, a keni një strategji të qartë?

Natyrisht që kemi strategji dhe të mirë formatuar. Do depolitizohet realisht, do riformatohet mënyra e rekrutimit të personelit, do rritet profesionalizmi, disiplina, njohja e zbatimi i ligjit, performanca në rrugë, paraqitja e jashtme, do pasurohet logjistika, teknika dhe mjetet speciale e zbuluese. Do shtrihen në territor në harmoni me dinamikën e kriminalitetit, do trajtohet financiarisht më mirë, etj. Do ndëshkohen rëndë të inkriminuarit, të korruptuarit duke i pastruar radhët jo me fjalë por me prova e çështje penale të argumentuara.

 

-A ka dorë policia në disa prej vrasjeve mafioze që nuk po zbardhen, si për shembull vrasja e deputetit Xhindi, kryekomunarit Veseli, gjyqtarit Konomi, agjentit Çopa, kryekomisarëve të vrarë muajt e fundit, pasi duket se disa prej krimeve zbardhen shpejt, kurse ngjarjet e rënda zvarriten edhe pse thuhet se ka prova…

Nuk mund të them se ka dorë, por paaftësia në zbulimin e shumë prej këtyre ngjarjeve është në njëfarë mënyre një ndihmë që i jepet kriminalitetit. Është e pafalshme që pothuaj në të gjitha ngjarjet me përfaqësuesë të shtetit, policia ka dështuar në zbulimin e saj, duke nxjerrë edhe njëherë në pah mungesën e theksuar të profesionalizmit dhe mos orientimin në parandalimin e zbulimin e veprimtarisë kriminale.

-Tashmë jemi pothuajse në fushatë elektorale ku partitë po zhvillojnë takime me qytetarët. Keni frikë se uniformat blu do të keqpërdoren nga pushtetit për t’u përfshirë kundër opozitës?

Absolutisht po. Dhe keqpërdorimi ka filluar. Shefi i komisariatit të Kamzës një i ashtuquajtur Rakip Hoxha, thërret pronarin e një lokali në Bathore ku do zhvillonte aktivitet Edi Rama dhe i bën presion që të mbyllë lokalin e të mos zhvillohet aktiviteti. Të tilla raste ndodhin çdo dite çka e bën jo vetëm të pabesueshëm qëndrimin e policisë në zgjedhje, por dhe të rrezikshëm.

 

-Partia Socialiste në programin e saj i ka dhënë hapësirë të madhe edhe reformimit të policisë. Cilat do të jenë masat që të sigurohet në radhë të parë jeta e uniformave blu?

Po sigurisht që sigurimi i jetës do jetë i pari. Kemi rreth 250 policë të vrarë në krye të detyrës. Familjet e tyre jetojnë pothuaj me lëmoshë e janë pjesë e varfërisë ekstreme të vendit. Qeveria mjaftohet me ndonjë pako për Vitin e Ri dhe asgjë tjetër. Kështu që të shmangen këto situata, duhet bërë sigurimi i jetës se çdo punonjësi policie për shkak të rrezikshmërisë së lartë që ka puna që ata bëjnë.

 

-Shumica parlamentare ka vendosur që të ndryshojë ligji për pajisjen me armë duke i dhënë të drejtën çdo drejtuesi të lartë të shtetit që të ketë të drejtën e mbajtjes së armëve. Përse mendoni se është ndërmarrë kjo nismë dhe a mund të lidhet me rritjen e kriminalitetit në vend?

Këto janë ligje idiote që tregojnë se këtu jetohet në shtetin e pasigurtë dhe që në vend që të ruhen qytetarët, ruhen pushtetarët. Ky pra, është dhe morali i sloganit abuzues, Qytetarët janë të parët.

 

-Mazhoranca është duke bllokuar kontrollin e SHISH nga ana e opozitës. Keni informacion ju si parti se cili është aktiviteti që po bëjnë agjentët e SHISH dhe mendoni se edhe këtu do kemi një keqpërdorim të tyre në favor të pushtetit?

SHISH me ata drejtues që ka patur ka dhënë prova në 1993-1997 se çfarë ka bërë. Kontrolli parlamentar e sidomos nga opozita është instrumenti demokratik që duhet të kontrollojë këtë shërbim delikat. Si duket reminishencat e kohës famëkeqe Gazidede nuk zhduken lehtë pasi protagonisti Berisha dhe Visho Ajazi janë aktorë të njohur të zullumeve që i kanë sjellë shërbimit të SHISH dhe vendit.

Share This Article
3 Comments
  • Largoni Berishen para zgjedhjeve,per te bere zgjedhje te lira.Pas zgjedhjeve ,qe Berisha do t’i vjedhe pa asnje medyshje dhe vendi shkon ne lufte si ne vitin1997.

  • Brovo Pjerin i ke vene pikat mi i.

    Pjerin Ndreu eshte nje nga drejtuesit me te mire qe ka patur Policia e Shtetit. Ne cdo qark ku ka patur probleme emerohej Pjerini per te rivendosur rendin. Keshtu ka ndodhur ne Shkoder, Gjirokaster, Tirane etj.

    Te mos harrojme se ne vitin 2004 ju qep nje shtet i gjithe per ta denigruar dhe futur ne burg duke nisur nga ministri i atershem Igli Toska dhe pergunduar me Drejtorin e SHKB Sami Rashen, por nuk i gjeten dot gje.

    Eshte detyrim per gjithe punonjesit e policise ne detyre dhe ne reforme te mbeshtesin kete figure.

    Suksese dhe mbaresi

  • Mirditori qe arriti vendin me te larte ne karriere ne kohen e Enverit ishte Frrok Pjeter Gega
    u be zv minister i brendeshem per kontributet e mirditorve si spiun qe ishin mirditoret .Edhe Pjerini u be kryetar i Ps ne Tirane nje here si kompensim i i spiunlleqeve mirditore.Ne kohen e Enverit kur donin ti thonin dikujt se mos eshte spiun i thonin:Mos je Frrok pra spiun se emrin frrok e perdor vetem Mirdita.Pra i thonin mos je Mirditor.Sepse mes mirditorit dhe spiunit ishte barazim njesoj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *