Përplasja mes Ylli Manjanit dhe Damian Gjiknurit për koncesionin e ndriçimit publik në Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit është fituar nga ky i fundit.
Qeveria ka miratuar një vendim, i cili i hap rrugë koncesionit, nismë e Ministrisë së Energjisë, por i kundërshtuar fort nga ajo e Drejtësisë si një projekt i paligjshëm.
Vendimi autorizon dikasterin e Damian Gjiknurit të nisë procedurat për koncesionin dhe të marrë në shqyrtimin ofertën e kompanisë daneze “HeSaLight A/S”.
Ky është një koncesion i pakërkuar, ideja për të cilin nuk ishte e Qeverisë, por e një kompanie private nga Danimarka. Vendimi i Këshillit të Ministrave i jep të drejtën Ministrisë së Energjisë të marrë në shyrtim propozimin e kompanisë “HeSaLight A/S” dhe të vendosë për hapjen ose jo të tenderit.
I gjithë procesi, përfshirë shpalljen e fituesit, do të administrohet nga kjo ministri, ndërsa kontrata e koncesionit me fituesin do të lidhet nga të dy bashkitë respektive.
Kjo është hera e parë që Qeveria miraton një koncesion, për të cilin ka pasur përplasje dhe kundërshti brenda vetes.
Gjatë komunikimeve zyrtare, Ministria e Drejtësisë e ka kundërshtuar projektin, duke e cilësuar si cënim të autonomisë vendore dhe duke u shprehur se, zanafilla e propozimeve të kompanisë është e paqartë.
Menjëherë pas vendimit ka ardhur dhe reagimi i parë nga ministri i Drejtësisë. I kontaktuar nga Top Channel, Ylli Manjani deklaroi nga Austria se, për shkak të takimeve e ka pasur të pamundur të jetë në mbledhjen e Qeverisë, por qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar.
“Jam shprehur me shkrim për atë nismë dhe mendimi im zyrtar është në dosjen e kësaj praktike. Atij mendimi i qëndroj”, ka thënë Manjani.

cfar ka ministri i drejtesise me dritat …?????????!!!
do beni shume mire te jepni edhe qeverisjen me koncesion ,apo nuk vjedhin dot
jepni me koncesion qeverisjen, ta dime te gjithe qe ne shqiperi ka vend per te huajt e jo per shqiptaret