Projektvendimet për heqjen e TVSH-së: Gazeta “DITA” ka mundur të sigurojë draftet ligjore ku sqarohen se si do të funksionojë kjo skemë.
Ashtu sic ka paralajmëruar në fillim të kësaj jave, shefi i qeverisë, Sali Berisha, pritet që në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave të miratohen disa ndryshime ligjore për heqjen e TVSH-së së makinave që janë të lidhura direkt me investim, apo të disa ndryshimeve që lidhen me sektorin e agrobiznesit. Të gjitha këto ndryshime, kanë kaluar pa u konsultuar me biznesin. Shefi i qeverisë është mjaftuar vetëm me deklaratat publike të tij për të thënë se cfarë po bëhet, por sipërmarrësit nuk kanë mundur të kenë në dorë draftet ligjore. Megjithatë nga ajo cfarë sipërmarrja ka dëgjuar lart e poshtë këto ditë, nga ato cfarë mediat kanë shkruar, e cilësojnë një iniciativë të tillë si të rrezikshme dhe mundësi të rritjes së inormalitetit. Edhe pse mund të ketë një impakt të përkohshëm pozitiv në sektorë të caktuar, mund të rrisë rriskun e informalitetit dhe ndërrimin e destinacionit të makinerive pasi të hyjnë në vendin tonë, duke prishur tregun, e dënuar në mënyrë të padrejtë ata biznese që janë të konsoliduara në treg. Sipërmarrësit kanë vite me radhë që kërkojnë lehtësira fiskale në momente të caktuara, për të lejuar frymëmarrje në treg. Por zëri i tyre nuk është dëgjuar asnjëherë dhe tani në fushatë zgjedhore, iniciativa merret nga vetë qeveria, pa marrë sërish në konsideratë zërin e këtij target grupi. Kështu nëse qeveria e konsideron këtë paketë si një ndihmë për zhvillimin e biznesit, një mendim krejt të kundërt ndan biznesi. Edhe pse nuk e pranojnë me zë, ata shprehen se kjo masë e marrë, do e ketë impaktin të mëvonshëm, kur ka mungesë të madhe likujditet, apo mund të rrisë rriskun e informalitetit. Ministria e Financave ka harruar se cfarë do në të vërtetë biznesi dhe nuk po e zbut klimën, por po e acaron më tepër me paragjykimet që i bën këtij komuniteti. Por zgjedhjet e qershorit, kalojnë cdo paradoks qeveritar dhe nisma të tilla në këtë moment, harrojnë se mund t’i cojnë sipërmarrësit në rishikimin e mundësive të investimit të kapitaleve të tyre jashtë vendit.
Projektvendimet për heqjen e TVSH-së
Gazeta “DITA” ka mundur të sigurojë draftet ligjore ku sqarohen se si do të funksionojë kjo skemë. Kështu në projektvendimin për përcaktimin e listës së makinerive, subjekt i këtij vendimi, pika 1, janë tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit me vlerë në ose mbi 50.000.000 (pesëdhjetë milionë) lekë. Gjithashtu tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e përpunimit aktiv, pavarësisht nga vlera e investimit, tatimpaguesit (përfshirë fermerin) që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit apo tatimpaguesit subjekt i taksës së biznesit të vogël të cilët importojnë makineri prodhuese në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre, janë furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, vetëm në rastin kur këto makineri apo pajisje importohen në funksion të kontratave të investimeve dhe importimi kryhet nga vetë tatimpaguesi pa nënkontraktim. Por këta tatimpagues të përcaktuar në pikën 1 të këtij Vendimi, të cilët importojnë makineri dhe pajisje, për të përfituar përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, duhet të pajisen me Autorizimin e Përjashtimit nga TVSH-ja nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ku sipas vendimit që pritet të marrë formë ligjore së shpejti, duhen një sërë dokumentesh. Për cdo import të makinerive dhe pajisjeve, personat e tatueshëm duhet të paraqesin kërkesat e parashtruara në këtë vendim për t’u pajisur me autorizim përjashtimi. Personat e tatueshëm, që importojnë makineri dhe pajisje për shitje nuk janë subjekte përfituese.
Projektvendimi “Për përcaktimin e kategorive të operatorëve ekonomikë që përfshihen në sektorin e përpunimit aktiv dhe të agrobiznesit”, një tjetër draft vendim që pret miratimin nga qeveria, synon sipas relacionit përcaktimin e kategorive të operatorëve ekonomik që përfshihen në sektorin e përpunimit aktiv dhe të agrobiznesit, të cilët në zbatim të nenit 26/1 shkronja gj) për importimet i makinerive dhe pajisjeve që kryhen në funksion të realizimit të kontratave të investimit, përfitojnë përjashtim nga TVSH në import. Këto kategori janë subjektet fizike ose juridike të cilat janë të angazhuara në prodhimin ose përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, peshkimit dhe pyjeve si dhe prodhimin dhe përpunimin e imputeve bujqësore si fara, fidane, plehra kimike, pesticide dhe medikamente veterinare. Synimi i këtij projektvendimi sipas relacionit është përcaktimi i proçedurave kritereve dhe sasive të përjashtimit për produktet hekur dhe çimento. Projektvendimi përcakton afatin 30 ditor për pajisjen nga organet tatimore dhe doganore me Autorizim përjashtimi. Gjithashtu përcakton se nëse gjatë ushtrimit të kontrolleve tatimore konstatohet se sasia e hekurit dhe cimentos, e përjashtuar nga TVSH-ja, nuk ka shkuar në destinacion apo nuk është përdorur brenda periudhës së investimit, atëherë do të proçedohet me heqjen e autorizimit të përjashtimit dhe paguan tatimin mbi vlerën e shtuar.
Tatimpagues që përjashtohen nga TVSH e makinerive janë:
a) Tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit me vlerë në ose mbi 50.000.000 (pesëdhjetë milion) lekë;
b) Tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e përpunimit aktiv, pavarësisht nga vlera e investimit;
c) Tatimpaguesit (përfshirë fermerin) që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit;
ç) Tatimpaguesit subjekt i taksës së biznesit të vogël të cilët importojnë makineri prodhuese në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre.
Importimi i makinerive dhe pajisjeve të kryera nga tatimpaguesit e përcaktuar sipas pikave të shënuara më sipër, që është pika 1 e këtij vendimi, është furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, vetëm në rastet kur të tilla makineri dhe pajisje importohen në funksion të realizimit të kontratave të investimeve dhe importimi kryhet nga vetë tatimpaguesit, pa nënkontraktim.