Më shumë se sa rritja e normës së taksave, ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit fiskal ka ngjallur një klimë të fortë pasigurie te biznesi.
Politikat fragmentare për t’u dhënë zgjidhje problemeve të momentit po mbajnë peng zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të vendit dhe së fundmi, ndryshimet ekstreme të politikave fiskale e kanë çorientuar totalisht biznesin duke e çuar në dilemën, nëse duhet të vijojë aktivitetin apo ta mbyllë atë.
Vetëm këtë vit, qeveria ka vënë në zbatim rreth 26 ligje dhe udhëzime, të cilat përfshijnë rritje taksash, tatimesh dhe procedurash të reja pothuajse në të gjitha ligjet themelore fiskale. Por volumi i madh i ndryshimeve po shoqërohet me mesazhe ekstreme ndaj biznesit brenda një kohe të shkurtër, duke vënë në dilemë të ardhurat e nevojshme për ekzistencën e mijëra familjeve.
Mbi 100 mijë biznese të vogla po mbajnë frymën nga nisma e fundit e qeverisë për përjashtimin nga tatimi mbi fitimin (i thjeshtuar për bizneset nga 2-5 milionë lekë dhe fiks për bizneset deri në 2 milionë lekë), ndërsa ligji i ri i procedurave tatimore i çon në faliment të sigurt, për shkak të gjobave të larta, apo dhe zbatimit në terren të tij nëse një tatimori në terren i teket të vlerësojë gabim faturën e shitjes.
Së fundmi, gjobat e reja, të cilat janë dhjetëfishuar për evazionin dhe moslëshimin e kuponit tatimor, parashikojnë penalizim të trefishtë për bizneset e mëdha që kapen me shkelje, ndërsa është në proces miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal, në të cilin pritet të aplikohet dënimi me burg për 13 raste të mosrespektimit të legjislacionit fiskal. Ndërkohë janë në proces miratimi edhe 10 masa të reja në paketën fiskale 2016, që ndryshojnë rregullat dhe taksat për linja të veçanta të tregut.
Nikollaq Neranxi, nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve, pohon se ndryshimet e fundit në penalitetet e procedurave tatimore nuk janë bërë për të luftuar evazionin fiskal dhe as për të rritur të ardhurat në buxhet, por thjesht për të nxjerrë nga tregu disa biznese dhe për t’i zëvendësuar me disa të tjera.
Por, përtej qëllimit që kanë ligjet e reja, bizneset nuk po i përballojnë ndryshimet e shpeshta ligjore, të cilat nuk po observohen dot, duke prodhuar në shumë raste gjoba që vijnë nga moskuptimet e ligjeve dhe mosdalja në kohë e udhëzimeve.
Nuk guxon të bësh një plan afatgjatë investimi – thotë Luan Bregasi nga Biznes Albania – se qeveria i ndryshon ligjet aq shpesh, sa vë në dilemë jo vetëm ecurinë e investimit, por rrezikon të çojë në faliment biznesin që e administron atë. Rasti më i fundit është industria vendase e prodhimit të pijeve, ku në kulmin e investimeve, qeveria rrit barrën fiskale duke i thënë jo bizneseve të reja në këtë fushë dhe duke çuar në zgrip ekzistueset. Rezultatet janë më pak investime, më pak vende të reja pune dhe tkurrje e prodhimit vendas.
E teksa qeveria është vënë përballë “eksperimenteve” ligjore për të siguruar të ardhurat më të larta në buxhet, biznesi vendas ka ngrirë. Kredia për ekonominë shënoi rënie vjetore me 1.8% në shtator. Bankat arsyetuan se rënia e huas po shkon përkundër dëshirës së tyre, pasi bizneset kanë braktisur kërkesat për kreditim. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë pohon se situata e pasigurisë ndër biznese dhe konsumatorë u rrit ndjeshëm, çka u reflektua në uljen e konsumit privat në mbi 3% në tremujorin e dytë të vitit në një kohë që burimet e të ardhurave në këtë tremujor ishin shtuar nga investimet në prag të zgjedhjeve lokale, rritja e remitancave dhe indeksimi i pensioneve.
Por ndryshimet e shpeshta ligjore nuk janë çoroditja e vetme, teksa shqetësimet për kapjen e shtetit nëpërmjet VKM dhe ligjeve që favorizojnë kompani të veçanta janë rritur. Luigj Aliaj nga shoqata e Hidrokarbureve pohon se, janë të shumta rastet kur kriteret e licencimit dhe magazinimit për një industri të veçantë ndryshojnë në varësi të interesit për të licencuar një kompani të re që ka lidhje me grupime të caktuara politike apo për të vështirësuar mbijetesën e një kompanie që është tashmë në treg. Aliaj vëren se në 7 vitet e fundit, kapja e shtetit nga grupet e interesit për të miratuar ligje dhe VKM për interesa të ngushta është rritur. Ai dha si shembull koncesionet, 99% e të cilave janë dhënë si shpërblesa ndaj bizneseve të lidhura ngushtë me politikën.
Nikolin jaka i Dhomës së Tregtisë pohon se “nëse është evidentuar apo do të rezultojë në të ardhmen fenomeni “state capture” në aspektin legjislativ, abuzimi me këtë procedure shpesh është jashtë fokusit të kontrollit nga organet audituese të veprimtarisë së qeverisë dhe kësisoj nuk do te kemi individë apo subjekte private të ndëshkuar. Në opinionin dhe besimin tonë, shprehemi se ky fenomen është jo vetëm problematik për sipërmarrjen por edhe mjaft i rrezikshëm për ekonominë e një vendi. Në praktikat ndërkombëtare ky fenomen jo vetëm që është i dënueshëm kur ndodh por vende të zhvilluara kanë miratuar legjislacion shtesë në mënyrë që të parandalojnë lidhjen dhe zhvillimin e fenomenit”.
Për shkak të orientimeve afatshkurtra fiskale, Shoqata e Prodhuesve të Energjisë së Rinovueshme vijon të jetë prej dy vitesh në një sagë procesesh gjyqësore, pasi ndryshimet e rregullave të lojës, duke ulur çmimin e rregulluar të shitjes së energjisë nga 9 lekë në 6 lekë, kanë vënë në dileme vijimësinë e 500 milionë eurove investime të angazhuara pas 2010-s.
Ligjet surprizë
Që kur qeveria e re e pas 2013-s erdhi në pushtet humbi pjesërisht sovranitetin fiskal për shkak të nënshkrimit të një marrëveshjeje të re bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar me vlerë mbi 300 milionë euro në favor të qeverisë shqiptare.
Por që nga ajo kohë nën presionin e premtimeve elektorale nga njëra anë, borxhit në rritje dhe mundësive të kufizuara për rritjen e të ardhurave qeveria po eksperimenton shumë me legjislacionin fiskal, duke mos gjetur as kohën për t’i konsultuar paraprakisht me grupet e interesit. Ndryshimet në ligjin e ri të procedurave tatimore që rrit me 10 herë dënimet me gjoba për bizneset u miratuan në Parlament pa u konsultuar më parë me biznesin. Zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj, arsyetoi në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë se, konsultimet paraprake nuk ishin bërë pasi dihej se masat shtrënguese do të kundërshtoheshin nga biznesi. Gjithashtu qeveria, të tjera projektligje kishte çuar për konsultim te biznesi në kuadër të paketës fiskale 2016 dhe projekte krejt të tjera ka çuar për miratim në Kuvend.
Për të dytin vit radhazi buxheti i shtetit, ligji më i rëndësishëm pas Kushtetutës po kalon pa asnjë konsultë paraprake ndryshe nga sa përcakton ligji organik mbi të cilin hartohet buxheti vjetor. Nikollaq Neranzi nga Shoqata e Mbrojtjes së Tregtarëve tha se, në klimën që ka krijuar qeveria, konsultimi paraprak i ligjeve me biznesin është luks. Qeveria i ka shpallur “luftë” frontale dhe ligjore biznesit – tha Neranxi, një administrator me përvojë të gjatë në lëmin e importit dhe shitjes me pakicë.
Që prej shtatorit të këtij viti, administratat tatimore dhe doganore të mbështetura edhe nga Policia e Rendit janë përfshirë në një aksion të gjerë në luftën antiinformalitet me fokus disiplinimin e shitjeve me pakicë kundrejt kuponit tatimor.
Qeveria jo vetëm që nuk e ka konsultuar me grupet e interesit strategjinë që synon zbutjen e ekonomisë informale, por ende nuk e ka bërë publik dokumentin, duke lënë pezull të gjithë ekonominë se për çfarë i pret nesër. Burimet zyrtare të Ministrisë së Financave pohuan se strategjia antiinformalitet është orientuar nga Kryeministria dhe publikimi i dokumentit i takon asaj. Në një kohë që vendet e tjera të rajonit, që janë duke aplikuar nisma të ngjashme ndaj informalitetit, i kanë bërë transparente dokumentet dhe biznesi është duke u vetorientuar me masat me politikat e qeverive të tyre (rasti i Turqisë, Malit të Zi dhe Kosovës).
Kapja e shtetit me ligje selektive
Ka një shqetësim në rritje se kompani apo njerëz afër pushtetit janë duke e ndikuar vendimmarrjen për çështje përfitimi personale. Ekspertët e ekonomisë dhe bizneset janë të shqetësuara për fenomenin gjithnjë e në rritje. Madje këto tentativa kanë çuar edhe në debate aq sa Kuvendi ka kthyer mbrapsht nisma të qeverisë që ishin tërësisht të dukshme që po favorizonin kompanitë caktuara.
Vitin që kaloi, Komisioni i Ekonomisë në Kuvend e rrëzoi një propozim të Ministrisë e Financave për të përjashtuar pijet energjike nga akciza. Kjo politikë e veçuar në shërbim të pak kompanive dhe për një mall konsumi luksi nuk po shkonte në të njëjtën trajektore me politikën e rritjes së akcizës që ndërmori qeveria me mallrat e tjerë. Gjithashtu vitin e kaluar, në kulmin e konsolidimit fiskal kur rritja e taksave vërshoi pothuajse në të gjithë zërat, qeveria hoqi TVSH-në për sigurimet dhe e zëvendësoi atë me tatimin 3% për primin bruto.
Ky ndryshim, megjithëse u miratua në Kuvend, kaloi me debate të ashpra në Komisionet parlamentare, se ky ligj ishte bërë për të favorizuar kompanitë e sigurimeve dhe se, nuk do të kishte përfitime as në çmime më të lira për konsumatorët e as në të ardhura më të larta për buxhetin. Dhe në fakt, një vit pas këtij ndryshimi, lehtësimi tatimor mbi kompanitë e sigurimit nuk funksionoi as për qytetarët dhe as për arkën e shtetit.
Luigj Aliaj nga Shoqata e Karburanteve tha se kapja e shtetit është më e dukshme te koncesionet dhe në marrjen e lejeve dhe licencave. Vetëm për 7 vitet e fundit tha ai, kriteret e magazinimit dhe licencimit për hidrokarburet kanë ndryshuar shumë herë dhe kjo ka ndodhur për të favorizuar hyrjen në treg të kompanive që i kishin të lidhura interesat me politikën.
Luan Bregasi nga Biznes Albania pohoi faktin se, gjithnjë e më shumë po bëhen ligje dhe VKM nën efektin e lobuesve në dëm të zhvillimit të përgjithshëm të ekonomisë. Lobimi është një fenomen i pranuar në të gjithë botën tha Bregasi, por kur bëhet në të mirën e zhvillimit të përgjithshëm të ekonomisë dhe jo duke favorizuar një biznes dhe duke dëmtuar pjesën më vitale të ekonomisë. Qeveria uli pragun e taksimit me akcizë të birrës vendase nga 400 HK litër në 200 HK litër, në paketën fiskale të vitit 2016. Bregasi tha se kjo politikë hapur e favorizon importin dhe nuk shkon në interesin e zhvillimit të prodhimit vendas dhe cenon investimet në industrinë e pijeve.
Eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi, tha se po sheh me shqetësim nxitimin e grupeve të interesit në kërkim të sigurisë dhe rritjes së influencës ekonomike dhe të ndarjes së tregjeve kryesisht mbi bazën e afilacionit politik.
“Më keq akoma, kur qeveria, po nxiton që në emër të partneritetit publik-privat të shpërndajë drejt aleatëve të vet në fushën e biznesit shërbime të mëtejshme shtetërore, të cilat në shumicën e tyre nuk mund të mos çojnë në përkeqësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe rritjen e kostos së këtyre shërbimeve”, tha Preçi.
I shqetësuar për këtë fenomen është edhe eksperti tjetër i ekonomisë Arben Malaj, i cili pohoi, se kohët e fundit po miratohen shumë ligje dhe VKM në shërbim të çështjeve të ditës dhe të grupeve të interesit afër politikës. Duke e cilësuar si nivelin më të lartë të korrupsionit, kapjen e shtetit nga individë apo grupe të veçanta, ekspertët e ekonomisë japin alarmin se financat publike dhe zhvillimi i ekonomisë tashmë janë në rrezik.
Politikat ekstreme thellojnë çorientimin
Organizatat e biznesit, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar ndër vite kanë shprehur shqetësimet se ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit fiskal dhe i politikave afatgjata të zhvillimit i kanë mbajtur larg Shqipërisë investitorët seriozë, duke e lënë sot e kësaj dite ekonominë e vendit nën potencialet e zhvillimit. Orientimi drejt politikave afatmesme fiskale gjithnjë e më shumë po bëhet një mision i pamundur. Madje qeveria nuk po i reziston asnjë vit për të prezantuar një paketë taksash. Vetëm në vitin 2015 janë bërë dy ndërhyrje të mëdha në ligjin e procedurës tatimore, një herë në fillim të janarit dhe tani së fundmi në tetor. Krahas ndryshimeve ligjore janë lëshuar në terren rreth 600 grupe tatimorësh në të gjithë vendin për të kontaktuar fizikisht me biznesin. Aksioni që në nisje të tij priste të grumbullonte 300 milionë euro të ardhura më shumë, në fakt e bllokoi ekonominë.
Dy muaj pas aksionit, deficiti në të ardhurat buxhetore është thelluar me shpejtësi, duke arritur në 11 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar i buxhetit në shtator. Sipas të dhënave konfidenciale nga tatimet, në shtator janë lëshuar mbi 39.300 kuponë, ose 2.2 herë më shumë se shtatori i një viti më parë, por nga ana tjetër, vlera mesatare e një kuponi tatimor ka zbritur nga 3400 lekë në shtatorin e dy viteve më parë, në më pak se 1500 lekë aktualisht. Nga kjo ecuri shihet se biznesi nuk po tregohet bashkëpunues me tatimorët.
Kompanitë e mëdha të biznesit i shkurtuan më shumë se 72 mijë punonjës në shtator-tetor, si një përgjigje ndaj një klime më të vështirë të krijuar për aktivitetin e tyre. Në këtë situatë të papritur qeveria po synon të ndryshojë po me aq shpejtësi kursin për biznesin e vogël. Në paketën fiskale të 2016-s, tatimi i thjeshtuar për bizneset me xhiro 5 milionë lekë do të jetë 0, nga 25 mijë lekë që është aktualisht për bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë dhe 7.5% për bizneset me xhiro nga 2-5 milionë lekë, ndërsa për bizneset nga 5-8 milionë, tatimfitimi i thjeshtuar nga 7.5% do të bëhet në 5%. Sakaq bizneset e vogla nuk është se janë ankuar për nivelin e lartë të taksimit, por se shqetësim për ta mbetet keqpërdorimi i ligjeve fiskale nga inspektorët tatimorë në terren. Frika se mund të gjobiten edhe për detaje që nuk prekin të ardhurat ka bërë këta dy muaj që edhe biznese deri dje të ndershme në aktivitetin e tyre të ulin qepenat.
Dy pika të shumicës së konfeksioneve në zonën e Medresesë pohuan se, kanë mbyllur përkohësisht veprimtarinë deri në qartësimin e situatës, ndërsa kompanitë e mëdha po shtojnë gjithnjë e më shumë interesimin për zhvendosjen e aktivitetit jashtë Shqipërisë. Ekspertët e ekonomisë kanë lajmëruar se, heqja e taksës mbi biznesin e vogël nuk është se do të përmirësojë klimën acaruese të krijuar tashmë, përkundrazi rrezikon të kthehet në një bumerang për hapësira të tjera evazioni, pasi bizneset me xhiro pak më shumë se 5-8 milionë do të tentojnë të copëtojnë aktivitetin për të përfituar nga taksat 0.
Rritet pasiguria
Teksa burimet e financimit në ekonomi janë rritur, konsumi privat ka rënë mbi 3.2%
Për ekspertët e Bankës së Shqipërisë, kjo rënie nuk ishte parashikuar pasi treguesit sasiorë që ndikojnë konsumin kanë qenë në përmirësim. Por siç ka përcaktuar raporti i Politikës Monetare për tremujorin e dytë të vitit mësohet se shkaku kryesor për rënien e konsumit privat është rritja e pasigurisë.
Indeksi i tregtisë me pakicë për mallrat afatgjata dhe importi i autoveturave shënoi rënie vjetore në tremujorin e dytë. Banka e Shqipërisë sqaron se në periudha të karakterizuara nga rritja e nivelit të pasigurisë, individët ulin më shumë shpenzimet për mallra afatgjata, si për shembull pajisje elektroshtëpiake, mobilie, autovetura etj., dhe nga ana tjetër biznesi nuk kërkon të kreditohet dhe të investojë.
Indeksi i nëngrupit të tregtisë me pakicë “Pajisje të ndryshme elektroshtëpiake, mobilie dhe pajisje të tjera shtëpiake” regjistroi rënie vjetore prej 4.1% dhe importi i autoveturave të pasagjerëve shënoi rënie vjetore prej 15.4% në tremujorin e dytë.
Pasiguria mbetet shkaktar kryesor sipas Bankës së Shqipërisë për rënien e konsumit dhe mungesën e kredisë mbi biznesin. /Monitor/

C’NE KY ARTIKULL, NUK KEMI DEGJUAR NDONJE BIZNES TE ANKOHET?!
HAHAHAHHAHAHHAHA
Jane cartjet e rames qe duke qen totalisht bylmez ne ekonomi kujton se duke rritur masen e denimit do kete rezultate. Kujton se po po shtrengon nenet e kodit penal ku nje nga funksionet e denimit eshte te edukoje pjesn tjeter qe mos bjere ne krim. Nuk zbatohet ne ekonomi ky parim se biznesi eshte shtylla e kombit po spagoi ai shkon ne humnere ekonomia. Sic po shkon. Gjith bota biznesin e kurajon e ndihmon dhe eben eficent e pastaj duke qene eficent paguan vete taksa biznesi. Ky idjoti jone kryeminister vetem dhune ndaj biznesit shto dhe sjelljen korruptive sheshit te qeverise kemi kete rezultat. Shtrengim biznesi bllokim te iniciatives se lire dhe arrati shqiptaresh.